Rrjedhat politike ngadalësojnë zhvillimin ekonomik

Ekonomi

Rrjedhat politike ngadalësojnë zhvillimin ekonomik

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 11:37

Prishtinë, 19 korrik - Rrjedhat e fundit politike si dhe mosformimi i Qeverisë do të ndikojnë në mënyrë negative në ritmin e zhvillimit ekonomik, pasi do të reflektojnë te bizneset vendore dhe investitorët e huaja në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Këtë deklaratë e kanë dhënë për “Epokën e re” njohës të zhvillimeve ekonomike në vend.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se ngadalësimi i çështjeve politike do të ketë ndikimi negative në zhvillimin ekonomik dhe do ta ngadalësojë ritmin e rritjes ekonomike. Sipas tij, ritmi i rritjes ekonomike në Kosovë është ngadalësuar muajt e fundit, por rrezikon të ngadalësohet edhe më tutje.

Ai ka thënë se janë dy arsye të cilat po ndikojnë drejtpërsëdrejti tek investimet e huaja, por dhe te ngadalësimi i zhvillimit ekonomik. “Janë dy arsye: njëra për shkak të politikave fiskale të pafavorshme, tjetra se me politikën dhe skemën politike të Kosovës është komplikuar situata, prandaj po ndikon drejtpërsëdrejti në investime dhe në ngadalësim të zhvillimit ekonomik dhe në krijim të një hutie të përgjithshme qoftë në biznes, qoftë në publik”, ka thënë ai, duke potencuar se ky vakum institucional dhe kjo shtyrje mes politikanëve është një mesazh i keq në demokraci dhe në përshpejtim të zhvillimit ekonomik, por edhe në realizim të projekteve madhore dhe kapitale.

Shahini ka deklaruar se “ne kemi një mentalitet ballkanik që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ekonomia është e lidhur me politikën”. “Përderisa në disa shtete, të cilat kanë demokraci të zhvilluar, qeveritë mund të ndërrohen çdo gjashtë muaj, por administratat dhe shteti funksionojnë pa asnjë problem, këtu te ne nuk e kemi administratën e zhvilluar, të lidhur me politikën. Në anën tjetër, edhe politika nuk ka arritur që edhe pas 14 vjetësh pas luftës ta krijojë një administratë shtetërore, e cila funksion pavarësisht rrethanave politike apo ndryshimeve politike. Kjo bën që ne të kemi ngadalësim të zhvillimit, huti dhe zvarritje të realizimit të projekteve në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sa iu përket investitorëve të huaj, Shahini ka treguar se ata janë shumë të interesuar për rrjedhat politike në Kosovë dhe se në takimin që kishin në AKB me bizneset bullgare dolën pyetje të shumta rreth çështjeve politike që ndërlidhen me rrjedhat ekonomike në Kosovë. “Rrjedha politike ka qenë një nga pyetjet e mëdha që kanë bërë përfaqësuesit e bizneseve. Ata janë të interesuar se çfarë do të ndodhë, si do të ndodhë, a do të ndryshojë administrata, a do të ndryshojnë ligjet, si do të ndryshojnë, a do të kenë bizneset privilegje më shumë apo do të kenë sanksione më shumë”, ka deklaruar Shahini.

Investitorët e huaj i përcjellin me kujdes rrjedhat e fundit politike në Kosovë

Ndërkaq Alban Zogaj nga Instituti RIINVEST ka thënë se ngadalësimi i formimit të institucioneve padyshim se do t’i ketë efektet e veta edhe në aktivitetet biznesore dhe në të ekonomisë në përgjithësi pasi, sipas tij, shumë punë të cilat janë të lidhura me institucionet shtetërore do të bllokohen për një kohë të gjatë. “Në ekonomi çdo bllokadë e punës kushton dhe ka koston e vet financiare.

Në anën tjetër, ne e kemi të qartë dhe e dimë se ekonomia është e lidhur me institucionet, për arsye se bizneset aplikojnë për licenca të ndryshme për leje, kanë disa punë me tenderë dhe marrin pjesë në punët e institucioneve qeveritare. Kështu që, konsideroj se kjo vonesë e krijimit të institucioneve ka efekte negative në ekonomi”, ka thënë Zogaj. Sipas tij, investitorët e huaj do ta presin qeverinë e re dhe ata nuk lajmërohen pa u stabilizuar qeveria e re dhe pa e parë dhe me cilët liderë do të kenë punë.

“Investitorët e huaj do të duhej që më shumë t’i kenë aktivitetet e veta me bizneset në Kosovë, për arsye se ata do t’i kenë partnerë të bizneseve lokale”, është shprehur ai. Po sipas Zogajt, krijimi i institucioneve dhe stabiliteti i tyre kanë rëndësi tek investitorët e huaj dhe ata i përcjellin këto ngjarje me interes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat