Trusti, me rezultat të kënaqshëm, 32 milionë euro kthim nga investimet

Ekonomi

Trusti, me rezultat të kënaqshëm, 32 milionë euro kthim nga investimet

Më: 16 korrik 2014 Në ora: 13:57

Fondi i Kursimeve Pensionale, ka përfunduar gjysmën e parë të vitit 2014, me një rezultat tejet të kënaqshëm, ku vetëm nga investimi i mjeteve, është bërë e mundur që vlera e kursimeve pensionale të kontributdhënësve kosovarë, të rritet për 32 milion euro. Kështu pohoi Ymer Havolli, kryesues i Bordit drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, në një konferencë për media, me ç’rast prezantoi raportin e aktiviteteve kryesore për periudhën e gjashtëmujorit të parë të vitit 2014.
Ndërsa sipas tij performansa e investimeve të fondit të kursimeve pensionale të Kosovës, erdhi kryesisht nga investimet në fondet investuese në tregjet e aksioneve.

“Fondi i kursimeve pensionale, të Kosovës, e përfundoi gjysmë vjetorin e parë të vitit 2014, me një rezultat tejet të kënaqshëm të kthimit nga investimet në tregjet financiare dhe globale. Vetëm nga investimet e mjeteve u bë e mundur, që vlera e kursimeve pensionale të kontributdhënësve kosovarë, të rritet bruto për 32 milionë. Do të thotë kthimi nga investimet është 32 milionë euro. Ky është gjithsesi, një rezultat shumë i kënaqshëm dhe bordi drejtues dhe menaxhmenti i fondit të kursimeve pensionale të Kosovës, shprehin kënaqësinë, që përmes jush t’ua komunikojmë kontribuuesve këtë lajm të mirë“, tha ai.

Havolli po ashtu tha se përveç investimeve në tregjet financiare globale, në fund të këtij gjashtë mujori, Fondi, kishte të investuara në letra me vlerë, të Qeverisë së Kosovës, rreth 64 milionë euro. Ndërsa ndikimi i investimeve në Kosovë, në kthimin bruto nga investimet që janë bërë në këtë gjashtë mujor është 456 mijë euro.

Ai tha se përveç përformansës së investimeve, Fondi ka vazhduar dhe me prurje shumë të kënaqshme të kontributeve pensionale, që grumbullohen nga të punësuarit në vend dhe se vlera e këtyre mjeteve të akumuluara, arrin shumën 62 milionë euro, për gjashtë muaj. Së bashku kontributet e akumuluara , plus kthimi nga investimet, sipas tij, kanë bërë që mjetet nën menaxhim të rriten për 83 milionë euro dhe të arrin shifrën 996 milionë euro. Ndërsa theksoi se menjëherë pas mbarimit të gjashtëmujorit të parë, me saktë me 2 korrik të këtij viti, Fondi për herë të parë, prej themelimit, ka tejkaluar shifrën prej 1 miliard euro mjete nën menaxhim, e që është një simbolikë pozitive e zhvillimit të këtij institucioni 12 vjet pas themelimit.

Ndërsa duke folur për premtimet që kanë dhënë partitë politike për fushatë, duke premtuar kthimin e fondeve në Kosovë, ai ka pohuar se mbi të gjitha duhet ruajtur, interesi i kontribuuesve për kursimet e tyre dhe se ata do të veprojnë, vetëm në bazë të ligjit.

“Ne jemi duke zbatuar mandatin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në bazë të ligjit mbi pensionet e Kosovës dhe çdo hapësirë që e lejon ligji i aprovuar nga ky Kuvend, që ne jemi të mbikëqyrur nga ky Kuvend, bordi drejtues i kursimeve pensionale të Kosovës ka me marrë në shqyrtim. Kërkesat në realisht duke e parë përsëri interesin e kontribuuesve. Me kushtet ligjore, të cilat ekzistojnë sot Fondi i Kursimeve pensionale, vazhdimisht është duke bërë investime në Kosovë“, tha ai.

Ndryshe, Fondi i Kursimeve Pensionale për këtë gjysmë viti, ka shpaguar rreth 8 milionë euro, në emër të 2 mijë e 429 përfituesve të pensionit. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë, ishin paguar 5.7 milionë euro, në emër të 3 mijë e 570 përfituesve. Ndërsa prej themelimit, e deri në fund të gjashtë mujorit të parë të vitit 2014, fondi ka shpaguar rreth 47 milionë euro, në emër të 22 mijë e 932 përfituesve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat