Buxhuku: Rikthimi i TVSH për makineritë dhe pajisjet i gabuar

Ekonomi

Buxhuku: Rikthimi i TVSH për makineritë dhe pajisjet i gabuar

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 13:24

Konfindustria mbështet qëndrimin e Komisionit parlamentar të Ekonomisë për të shmangur pagesën e TVSH për makineritë dhe pajisjet e parashikuara në p/ligjin e paraqitur nga Ministria e Financave. Përmes një deklarate për mediat, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria Gjergj Buxhuku theksoi se rikthimi i Tatimit të Vlerës së Shtuar për makineritë dhe pajisjet, që shërbejnë për prodhim dhe investime do të ishte e gabuar dhe me pasoja të rënda për zhvillimin ekonomik të vendit në afatgjatë.

“Konfindustria vlerëson se rikthimi i TVSH për makineri dhe pajisje, që i shërbejnë procesit të prodhimit do të ishte goditje e rëndë për investimet e vendit dhe të huaja aq shume të nevojshme për ekonominë kombëtare, që vazhdon të ndjejë ashpër pasojat e krizës globale. Vecanërisht të prekur do të ishin investimet në vazhdim, që rrezikojnë të dështojnë për shkak të rritjes së paparishikuar të kostove, duke krijuar në këto raste edhe shkaqe për penalizime të mundshme të shtetit shqiptar në gjykatat e vendit dhe ndërkombëtare. Njëkohësisht me pagesën e TVSH prej 20% për makineri dhe pajisje goditje të drejtpërdrejtë do të merrte edhe fuqia konkuruese e prodhimeve vendore krahësimisht atyre të huaja me pasoja të renda për ekonominë kombëtare. Vlerësojmë, se edhe në kushtet e sotme të mospageses së TVSH, importet e makinerive dhe pajisjeve janë në nivelet më të ulta historike nga viti 2008 i fillimit të krizës globale”, tha Buxhuku.

Konfindustria vlerëson se vendime kaq të rëndësishme të politikës fiskale duhet t’i nënshtrohen paraprakisht studime të hollësishme për pasojat në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në asnjë mënyrë të ndërmerren si “fakt i kryer” për biznesin dhe qytetarët.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat