Kërkohet ngritja e nivelit të sigurisë në punë

Ekonomi

Kërkohet ngritja e nivelit të sigurisë në punë

Më: 24 prill 2014 Në ora: 14:42

Për rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, nevojitet të fuqizohen kapacitetet e Inspektoratit të Punës, dhe të rritet numri e inspektorëve. Kështu u tha në një konferencë ndërkombëtare me këtë temë, të organizuar nga Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës dhe Fondacioni Gjerman Friedrich Ebert.
Siguria në punë në vendin tonë ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Me qëllim të përmirësimit të gjendjes, qeveria do të rrisë numrin e inspektorëve të punës, të cilët do të angazhohen për rritjen e nivelit të sigurisë në punë dhe shëndetin e të punësuarve, tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.
“Gjithmonë punëdhënësit dhe punëtorët i kanë disa rezerva, veçanërisht rezervat ndodhin kur është fjala për inspektoratin e punës, pra inspektorati është aty për t’ju ndihmuar jo për t’i dëmtuar, dhe ne me të vërtetë do të mundohemi të themelojmë një bashkëpunim me të gjithë punëdhënësit. Çelësi qëndron tek respekti i ndërsjellët, pranimi i përgjegjësive, pra punëdhënësit i kanë përgjegjësit e veta, duhet të jenë të vetëdijshëm për to”, shprehet ministri Rashiq.
Shqetësimin për numrin e vogël të inspektorëve e shprehu edhe kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi. Sipas tij për të zvogëluar papunësinë nevojitet të reduktohet tregu joformal dhe të forcohet sundimi i ligjit, e njëkohësisht nevojitet të reformohen politikat e punësimit dhe të promovohet dialogu social.
“Shkalla e lartë e papunësisë tregon se ka disproporcion në mes të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, si pasoj kjo i bënë punëdhënësit që mos t’i marrin masat që kushtojnë, të sigurimit, të kushteve të shëndetshme dhe të sigurta në punë. Në anën tjetër punonjësit nuk do t’i denoncojnë punëdhënësit e tyre për mos respektimin e ligjeve dhe rregulloreve të sigurisë dhe shëndetit në punë prej frikës së mos e humbin vendin e punës”, deklaron kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi.
Sipas koordinatores së Programit në Fondacionin Friedrich Ebert, Besa Luzha, Inspektorati i Punës ka kapacitete të kufizuara të funksionimit dhe se duhet të angazhohet më shumë për të siguruar që ligji po zbatohet dhe siguria dhe shëndeti në punë të respektohen në vendet e punës kudo në Kosovë.
Ndryshe, vitin e kaluar në vendet e punës kanë humbur jetën 17 persona, aq sa kishin humbur jetën edhe gjatë vitit 2012, ndërkaq lëndime kanë marrë dhjetëra sish.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat