Dhjetëra punëtorë krahu kanë vizituar të martën kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri,me të cilin kanë biseduar për vështirësitë dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen në jetën e tyre të përditshme.
Musli Ismaljli, njëri nga këta punëtorë, tha se për çdo ditë del ne tregun e punës dhe rrallëherë gjen punë.
“Gjatë muajit gjej punë dy apo tre ditë. Jam veteran i luftës por më kanë lënë në rrugë. Jetoj në një banesë të Habitatit, çka do të thotë se problemin e banimit e kam të pazgjidhur. Po ashtu edhe një vëlla më është vrarë gjatë luftës dhe më ka lënë një jetim. Pra bëjë jetë shumë të vështirë dhe nuk po di se çka të bëjë, prandaj kam ardhur bashkë me këta shokë këtu, e që jemi përfaqësues edhe të tridhjetë të tjerëve që të kërkojmë ndihmën tuaj”, ka thënë Ismajli.
Rrëfime të ngjashme kanë treguar edhe punëtorët tjerë të krahut që ishin bashkë me Ismajlin dhe që të gjithë thanë se jetojnë në kushte tejet të vështira dhe nuk po i`a dalin që t`i plotësojnë të nevojat jetësore për familjet e tyre.
Në anën tjetër, kry etari Bahtiri tha se e kupton shumë mirë gjendjen në të cilën ata ndodhen dhe se po bënë përpjekje maksimale për të ndryshuar këtë gjendje të tyre, por edhe të mijëra të tjerëve që kanë gjendje të ngjashme.
“Më vjen mirë që ju kërkoni punë dhe doni të punoni, por që fatkeqësisht punë nuk po gjeni. Ne po bëjmë përpjekje maksimale që të krijojmë vende të lira të punës, por për të realizuar planet tona po dalin probleme të tjera që nuk i kemi paraparë. Megjithëkëtë, besoj se në shtator do të filloj punën fabrika e parë për prodhimin e kërpudhave dhe më pastaj do të vazhdoj hapja e fabrikave të tjera. Deri atëherë, unë do ta shqyrtoj bashkë me drejtorët gjendjen tuaj dhe do të hulumtojmë mundësitë për t`ju ndihmuar materialisht”, theksoi Bahtiri.
Ai shtoi se nuk do të kursej asgjë për t’ ju ndihmuar në forma të ndryshme dhe se do të kenë prioritet për punësim me të filluar punën fabrika e parë. Ai njërit nga punëtorët që ishin prezent në takim, i premtoi se do t`i ndihmoj në ndërtimin e shtëpisë, duke dërguar menjëherë ekskavatorin për të përgatitur truallin për ndërtim.