Prodhuesit e veshjeve gjejnë mbështetje nga qeveria për taksat dhe lehtësira të tjera

Ekonomi

Prodhuesit e veshjeve gjejnë mbështetje nga qeveria për taksat dhe lehtësira të tjera

Më: 21 prill 2014 Në ora: 17:44

Qeveria shqiptare paraqiti sot paketën e parë ndihmëse për industrinë e prodhimit të veshjeve, e cila u arrit pas 3 muaj bisedimesh me organizatat e biznesit. Qeveria u angazhua që të rimbursojë taksën e vlerës së shtuar brenda 30 ditëve, të mbështesë firmat me 4 paga në vit për çdo punëtor të ri, si dhe t'u ofrojë firmave objekte dhe mjedise prodhimi me 1 euro për investimet e reja. Këto janë vetëm disa nga 46 masat e shqyrtuara, të cilat synojnë të rritin eksportin e veshjeve me 80 për qind dhe trefishimin e punëtorëve brenda 3 viteve.
Kryeministri Edi Edi Rama i paraqiti këto masa në një takim me firmat e veshjeve, ku theksoi se se kjo paketë është fillimi i përmirësimeve në industrinë e përpunimit, që do të shtrihet në të gjithë ekonominë, për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. “Shqipëria po vendoset kështu zyrtarisht në hartën e prodhuesve për tregun europian si një pikë e afërt dhe si një pikë e rëndësishme e hapur, për industrinë e përpunimit aktiv” - tha zoti Rama.
Përfaqësues të shoqatës së firmave të fasonerisë pohuan se marrëveshja i bën optimistë për arritjen e rezultateve, sepse propozimet e këtij sektori u dëgjuan për herë të parë dhe shumë prej tyre u miratuan. Në dhomën kombëtare të prodhimit të veshjeve, Lindita Legisi, thotë se ky sektor është aktualisht punëdhënësi më i madh në vend, dhe kjo do të thellohet akoma më shumë me mbështetjen e re.
“Secili biznes i veshjve - thotë zonja Legisi - e ka fuqinë e rritjes, për të shtuar prodhimin dhe punëtorët; të gjitha këto tani duhen riformatuar dhe duhen forcuar në kushtet e reja”. Megjithatë, ajo shtoi se shtetet fqinje janë shumë hapa përpara prej disa vitesh me këto lehtësira, prandaj firmat e veshjeve në Shqipëri pas këtij hapi të parë të sotëm, kanë nevojë për një mbështetje tjetër pas pak kohe, që të arrijnë konkurrencën e shteteve fqinje.
Fondi i punësimit për industrinë përpunuese është këtë vit 5 milionë dollarë, ndërsa nga objektet me kontratë 1 euro sipërmarrësit mund të kursejnë rreth 2,5 milionë dollarë nga qeratë. Industria e përpunimit të veshjeve ka aktualisht rreth 470 firma prodhimi me porosi nga jashtë. Sipas statistikave të organizatës së tyre, ky sektor kishte 100 mijë punëtorë në vitin 2008, ndërsa tani për shkak të krizës ka më pak se gjysmën. Fasoneria ishte e para ndër bizneset e eksportit për tërheqjen e monedhës euro vitin e kaluar, ndërsa tani ka dalë e dyta pas energjisë dhe mineraleve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat