Beqaj: Lufta kundër informalitetit është betejë që fitohet bashkërisht

Ekonomi

Beqaj: Lufta kundër informalitetit është betejë që fitohet bashkërisht

Më: 18 prill 2014 Në ora: 16:45

Ministri i Financave Besim Beqaj ka thënë se lufta kundër informalitetit është betejë që fitohet bashkërisht dhe se kjo nuk është betejë që mund ta fitojë as Qeveria vetë, as biznesi vetë, e as popullsia vetë por është një aktivitet i përbashkët.

Duke folur në tryezën e organizuar nga Qendra për hulumtime strategjike dhe sociale “STRAS“ kushtuar parandalimit dhe luftimit të informalitetit ministri Beqaj tha se bëhet fjalë për një betejë e cila duhet të fitohet dhe një temë boshte dhe prioritet i institucioneve të Kosovës.

“Ne presim që gjatë këtyre ditëve të del edhe një hulumtim tjetër sa i përket nivelit të hendekut tatimor, dhe i cili do ta tregon që edhe më tutje ka hapësirë të mjaftueshme për të marrë hapa konkret në drejtim të luftimit të kësaj dukurie. Por, që si Qeveri dhe si Ministri e Financave kohëve të fundit kemi qenë mjaft aktiv dhe i falënderojë edhe pjesëmarrësit e shoqërisë civile dhe biznesit që edhe në hartim të strategjisë, të cilës ju referua edhe z. Rexhepi, kanë marrë pjesë në mënyrë aktive që ta bëjmë një Strategji dhe një Plan veprimi i cili nuk do të jetë Strategji vetëm e shkruar apo vetëm Strategji e vetëm institucioneve , por le të jetë Strategji e përbashkët për ta luftuar ekonominë joformale”, tha me këtë rast ministri Beqaj.

I pari i Ministrisë se Financave tha se strategjia ka një nga objektivat e saj rritjen e besueshmërisë, respektivisht vetëdijesimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin e qytetarëve në këtë drejtim.

“Dhe këtu dua të ja jap një kredi pozitive shumë bashkëpunimeve që kohën e fundit qytetarët tanë kanë pasur me institucionet tona, duhet të përmend këtu Doganën dhe ATK-në sepse ka pasur komunikime të cilat po na ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pra, është një efekt i cili po arrihet duke na dhënë informata qoftë nëpër kalimet kufitare apo duke na dhënë informata për gjetjen e produkteve të cilat nuk janë të taksuara brendapërbrenda territorit, apo edhe informata se nga janë kanalet e hyrjes së mallrave të cilat janë të paligjshme dhe të cilat nuk i nënshtrohen proceseve tatimore”.

Ministri Beqaj tha se ekonomia joformale në mënyrë të drejtpërdrejtë e dëmton biznesin, sepse kemi konkurrencën jo lojale.

“Në shumicën e rasteve të komunikimit që kemi pas gjatë këtyre ditëve me biznesin janë të interesuar që të bashkëpunojnë. Dhe unë i kam ftuar për me bashkëpunua sepse ato biznese të cilat dëmtohen nga ekonomia joformale, e kanë informatën më të përafërt dhe mund të na ndihmojnë me informacione. Ndërsa, në fushën e bashkëpunimit me qytetarët duhet të them që Dogana ka të instaluar mekanizimin e kompensimit apo le të themi një lloj shpërblimi të cilët do ta japin për ata qytetarë të cilët do ta sjellin informacionin”.

Duke falënderuar për performancë shumë të mirë Doganën dhe ATK-në, ministri Beqaj tha se reformat e zhvilluara ne Dogana kanë dhënë rezultate që ne në tre muajt e parë të këtij viti të kemi 20 milionë euro të hyra me shume se sa vitin e kaluar, apo 7 milionë euro më shumë se sa projeksioni që e kemi pasur respektivisht ATK-ja vitin e kaluar ka pasur performancë, por këtë vit duhet të jemi të sinqertë që plani është dikur rreth 70 milionë euro (68 milionë) sepse viti paraprak dhe jemi gati në 100% në realizim të planit”, tha ministri Beqaj.

Me këtë rast ministri Beqaj tha se misioni ynë është që ta ngjallim bashkëpunimin e subjekteve ekonomike në luftimin e ekonomisë joformale dhe se nuk e kemi synim ti gjobisim.

“Nuk e kemi synim që në bazë të penaleve të krijohet buxheti. Jemi të thirrur që të krijojmë bazë që të komunikojmë, dhe besoj se komunikimi me biznesin gjatë këtyre muajve po jep rezultate e veta në mënyrë ekstreme “, tha Beqaj.

Ai theksoi se e kuptojmë se ekonomia joformale është e madhe edhe më tutje dhe me të do të merremi.

“Është utopike që të themi për një vit ose për gjashtë muaj do të eliminohet ekonomia joformale. Ne do të marrim hapa në bazë institucionale, por po e them që është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi bashkëpunim. Pra, Ministria e Financave dhe Qeveria e ka vënë prioritet numër një dhe deri tash rezultatet janë pozitive. Nënkuptohet që mund të ketë edhe shumë punë për tu bërë dhe do të ju ftoj të gjithë juve që kur të keni ide se si ti mbyllim kanalet e informalitetit dhe respektivisht ti heqim ato, dëmet që janë duke ja bërë ekonomisë dhe për këtë jam i gatshëm që të bashkëpunoj me juve pa asnjë lloj problemi”, tha ministri Beqaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat