OEAK nuk mund t’i mbështes anëtarët e saj për prishje të vendimeve të ATK-së

Ekonomi

OEAK nuk mund t’i mbështes anëtarët e saj për prishje të vendimeve të ATK-së

Më: 14 prill 2014 Në ora: 12:04

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës nuk mund t’i mbështes anëtarët e saj për prishje të vendimeve të Administratës Tatimore të Kosovës, përkatësisht institucioneve të pavarura. Kështu ka thënë drejtori i Odës Arian Zeka duke u përgjigjur në akuzat e kompanisë 3-CIS se nuk kanë marrë mbështetje nga Oda Amerikane.

Kompania “3CIS” e cila është ndër eksportuesit më të mëdhenj të Kosovës, së fundi ka paralajmëruar se do të largohet nga Kosova për shkak të një gjobe të vendosur nga Administrata Tatimore. Kompania në fjalë ka akuzuar edhe Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për mosdhënien e mbështetjes, megjithëse kanë qenë anëtarë. Drejtori i Odës Amerikane Arian Zeka thotë se misioni i tyre është i qartë.
“Janë shumë të qarta misionet përkatësisht qëllimet e Odave Ekonomike. Vlerësimi i vendimeve të institucioneve të pavarura në këtë rast të ATK-së asesi nuk bën pjesë në qëllimet të cilat i kryen një Odë Ekonomike, është gjithsesi në diskrecionin e asaj kompanie që të jep vlerësime personale, ne kemi bërë atë që është funksion i Odave ekonomike, krijimin e mundësive të kontaktit midis kompanive të sektorit privat edhe institucioneve, adresimin e atyre problemeve, aty përfundon edhe angazhimi jonë”, tha ai.
Kritika kohën e fundit ka pasur edhe në drejtim të Odës Ekonomike të Kosovës. Berat Rukiqi, ish sekretar dhe tash këshilltar në këtë Odë, thotë se rezultati i punës së tyre matet si tërësi.
“Nëse rezultati matet në raport me kompanitë individual që mund të kenë kërkesa të caktuara që shpesh mund të jenë edhe konteste të ndryshme ligjore që janë me institucione apo në raste të caktuara edhe mes kompanive veç e veç, atëherë mendoj se është qasje e gabuar”, tha ai.
Rukiqi tha se Odat Ekonomike duke lobuar në institucione për interesat e bizneseve si tërësi, kanë arritur shumë rezultate. Ndryshe, eksportuesja ndër më të mëdhenjtë të Kosovës, kompania 3cis, është gjobitur nga Administrata Tatimore e Kosovës me 530 mijë euro, për shkak se nuk ka paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Sipas “3cis”, konsumatorët të cilëve iu dedikohet TVSH-ja janë 100% jashtë Kosovës, prandaj nuk mund ta paguajnë TVSH-në në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat