Debati i pistë për FMN-në

Ekonomi

Debati i pistë për FMN-në

Më: 14 prill 2014 Në ora: 09:34

Problemi i borxhit të madh dhe tejkalimi dhe rritja e nivelit të tij prej qeverisë aktuale nëpërmjet huave nga FMN-ja dhe institucione të tjera ndërkombëtare, është tema më e rrahur në debatin e sotëm ekonomik. Opozita akuzon qeverinë për këtë problem, duke theksuar pasojat që do ketë ky borxh mbi jetën e qytetarëve shqiptarë. Nuk është e vështirë ta kuptosh se skenarin për këtë veprim e ka shkruar qeveria e djeshme, sot opozita, kur e la Shqipërinë në pikë të hallit me borxhe të deklaruara e të fshehta prej qindra milionë dollarësh ndaj kompanive private për punët e papaguara. Ajo që të çudit është kurajo ose paturpësia e opozitës për t’i kërkuar llogari qeverisë, për rrënimin që ajo vet me keqqeverisjen e saj i ka bërë ekonomisë shqiptare. Si rrallë here me ndonjë përfaqësues të qeverisë, debati ishte shumë profesional dhe më kryesorja dhe ishte po aq i kuptueshëm për qytetarët me formim joekonomik. Kjo erdhi sepse ministri ishte i hapur, i drejtpërdrejtë dhe argumentues.

Dhe kjo u duk kur nuk iu shmang asnjë pyetjeje. Por edhe se ata që kishte përballë ishin specialistë dhe jo fanatikë partie, që bëjnë zhurmuesin në mungesë të argumenteve. Pyetjes pse qeveria thirri në ndihmë FMN-në ai iu përgjigj fare thjesht: “Po si do t’ia bënte qeveria kur arkën e shtetit e gjeti bosh?!”. Ndërkohë ishte i ftohtë dhe pa pasione kur deklaroi se do të çonte në prokurori dosjen me shkeljet e shumta (sipas tij) të ministrit paraardhës, i cili, ndërsa akuzon sot qeverinë për marrjen e borxhit nga FMN-ja , vet në vitin 2009 ka marrë një borxh (sikurse tha ministri) me interes 13,3%. Ministri tregoi edhe si mund të dilet nga kjo gjendje në planin afatgjatë, pasi dihet se marrja e borxheve për të larë borxhet e vjetra nuk është zgjidhje afatgjate, dhe aq më pak e lumtur. Gjithë puna është që të rinisë punën rrota e ekonomisë, që të hartohen plitika të tilla që të nxitet prodhimi, pasi ekonomia shqiptare bazohet vetëm në shërbime , në industrinë e ndërtimit (sot në rënie) dhe në një turizëm “artizanal”, që lë shumë për të dëshiruar për nga infrastruktura dhe kultura e shërbimit.

Gjatë gjithë debatit ministri ishte i qartë dhe i qetë në ato që thoshte dhe pati mirëkuptimin dhe aprovimin e specialistëve, që kishte përballë. Kjo vjen, sigurisht, prej aftësisë profesionale dhe njohjes së thellë të gjendjes së sektorit që drejton. Nga ana tjetër, ky ministër nuk flet shumë, sikurse tha dhe vet, nuk ka mani për deklarata mediatike; është i qartë në punën e vet dhe transparent, kur pranon edhe vështirësitë që duhen kapërcyer, si edhe barrën që bie mbi qytetarët shqiptarë. Natyrisht FMN-ja nuk është nënë Tereza dhe dashuria për të është dashuri prej zorit, siç do të thoshin shkodranet. Ka shumë debate për praninë apo mospraninë e saj në ekonomitë e vendeve të ndryshme. Zakonisht ajo ndërhyn në ekonomitë e pasuksesshme apo të pamëkëmbura. Në rastin tonë, FMN-ja është një e keqe e domosdoshme që na e la peshqesh qeveria e mëparshme. Prandaj tingëllojnë të neveritshme sulmet e ish-qeveritarëve të djeshëm ndaj qeverisë së sotme dhe lotët e krokodilit, që ata lëshojnë për pasojat dhe kushtet e rënda, që FMN-ja i paska imponuar qeverisë së sotme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat