S&P: Ekonomia shqiptare e qëndrueshme

Ekonomi

S&P: Ekonomia shqiptare e qëndrueshme

Më: 11 prill 2014 Në ora: 15:14

Agjencia e vlerësimit të cilësisë së kreditit Standard & Poor’s, përmirësoi vlerësimin e situatës ekonomike në Shqipëri me parashikim të ndryshuar nga “negativ” në “të qëndrueshëm” si dhe i dha një notë pozitive politikave të qeverisë për reduktimin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Në një njoftim për shtyp të publikuar sot, agjencia tha: “Ne besojmë se ecuria e rritjes së Shqipërisë do të përmirësohet dhe se qeveria do të ruajë angazhimin e vet për konsolidim fiskal, gjë që do të sjellë rënie graduale të borxhit të përgjithshëm të qeverisë. Për rrjedhojë ne rikonfirmojmë vlerësimin për borxhin sovran afatgjatë dhe afatshkurtër në monedhë vendëse apo të huaj për Shqipërinë në ‘B+/B’ ”.

Parashikimi “i qëndrueshëm” reflekton këndvështrimin tonë se Shqipëria do të ndjekë politika të shëndosha fiskale dhe ekonomike të lidhura me përpjekjet për integrimin në Bashkimin Europian.”

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me FMN në bazë të së cilës pret të përfitojë rreth 1 miliardë euro kredi të buta në tre vjet në këmbim të reduktimit të deficitit primar të vendit dhe uljes së borxhit publik nga 71 për qind të PBB-së që është aktualisht në më pak se 60 për qind në vitin 2019.

Ndërkohë ministria e Financave ndërsa ka vlerësuar raportin e “Standard & Poor’s” për Shqipërinë ka theksuar se pavarësisht vlerësimit negativ në dhjetor të 2013, kjo agjenci ka rikthyer edhe njëherë besimin për ekonominë shqiptare. Në rishikimin dhe më pas vlerësimin pozitiv, nënvizon Ministria e Financave, rol kyç ka luajtur marrëveshja me FMN.

Ministria e Financave thekson gjithashtu se angazhimi i qeverisë për të likuiduar detyrimet e prapambetura të biznesit rrit pritshmërinë e “S&P” për një përmirësim të sektorit bankar, duke rritur kreditimin e ekonomisë dhe si rrjedhojë, duke i dhënë fund trendit negativ të rritjes ekonomike dhe siguri për të ardhmen.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat