MF: Kosova ka trende pozitive të zhvillimit ekonomik

Ekonomi

MF: Kosova ka trende pozitive të zhvillimit ekonomik

Më: 8 prill 2014 Në ora: 18:07

Ministria e Financave vlerëson se deklarimet e liderëve të partive opozitare të pabazuara në indikatorët makroekonomik, mund të dëmtojmë jashtëzakonisht imazhin e vendit në raport me investitorët e huaj ndërkombëtar.

Lidhur me këtë, MF konsideron se nuk qëndron vlerësimi se Qeveria e Kosovës ka dështuar në ekonomi, përkundrazi raportet e institucioneve kredibile vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se trendët e indikatorëve ekonomik janë pozitiv, përkundër sfidave me të cilat është duke u ballafaquar Kosova si shtet i ri.

Kosova në vitin 2013 kishte rritje ekonomike prej 3.2 %. Në periudhën afatmesme, konform parametrave të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve është planifikuar rritja prej 4.5 %.

:Bazuar në analizën krahasuese në raport me vendet e rajonit, Kosova vazhdon të ketë rritjen ekonomike më të lartë dhe më të qëndrueshme si rezultat i investimeve publike, investimeve private, konsumit dhe eksportit."

Kjo sipas MF-se është konfirmuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare siç janë FMN, Banka Botërore etj. Gjithashtu, në kudër të vizitës së FMN-së me rastin e përfundimit të programit 20 mujor Stand – by, është vlerësuar se Kosova është shembull për disiplinë financiare dhe bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), ndërsa raportet në mes të Kosovës dhe FMN-së janë model për të tjerët.

Është vlerësuar se gjatë tri viteve të kaluara Kosova ka arritur një rezultat shumë të mirë në aspekt të stabilitetit buxhetor dhe makro fiskal dhe kjo është arritur si rezultat i politikave të matura dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin efikas të financave publike në vend.

"Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë trendin pozitiv të investimet e huaja direkte në vend. Investimet e huaja direkte në vitin 2013 kanë shënuar rritje prej 12% krahasuar me vitin 2012, si rezultat i politikave ekonomike adekuate dhe reformave përkatëse për krijimin e kushteve të të berit biznes, si dhe krijimit të bazës ligjore për mbështetjen e sektorit privat veçanërisht sektorit prodhues përmes Ligjit për lirimet doganore, heqjes së tatimit doganor për një numër të konsiderueshëm të lëndëve të para, makinerive, linjave të prodhimit, teknologjisë informative, etj", thekson MF përmes një komunikate.

Po ashtu, si rezultat i komunikimit të ngushtë me asociacionet e bizneseve, Qeveria e Republikës së Kosovës ka hequr TVSH-në për produktet primare bujqësore, me ç ‘rast ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në reduktimin e ekonomisë joformale në vend, si dhe rritjen e prodhimit, rritjen e të punësuarve këtë sektor dhe zvogëlimin e nivelit të importit të këtyre produkteve.

Gjithashtu po ritheksojmë se niveli i borxhit të jashtëm vazhdon të jetë më i ulëti në rajon, përkatësisht në nivelin 9% në raport me Bruto Produktin Vendor. Duhet theksuar se pjesa më e madhe e borxhit aktual publik të Republikës së Kosovës është borxhi i vjetër i Kosovës i trashëguar nga ish Jugosllavia.

Anëtarësimi i Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, BB, BERZH, BIE, BZHKE është e arritur e rëndësishme për ekonominë e Kosovës. Marrëdhëniet e Kosovës me këto institucione janë duke dhënë rezultate konkrete, veçanërisht reflektohen në gatishmërinë e tyre për të përkrahur Kosovën duke përfshirë edhe sektorin privat.

Nuk ka asnjë dyshim që kjo është shprehje e vlerësimit të tyre për qeverisje të mirë, disiplinë financiare, menaxhim të mirë të financave publike si dhe vizionin e qartë të programit të Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat