Dakordohen që për një kohë të caktuar të pezullohet fiskalizimi

Ekonomi

Dakordohen që për një kohë të caktuar të pezullohet fiskalizimi

Më: 7 prill 2014 Në ora: 17:13

Këshilli Konsultativ i përbërë nga Ministria e Financave, Administrata Tatimore, Doganat dhe bizneset i kryesuar nga Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, në takimin e radhës kanë diskutuar për disa çështje të rëndësishme dhe kanë rekomanduar institucionet për veprime.

Është shqyrtuar çështja e avullimit të karburanteve gjatë transportit dhe pranimi i mungesave. Të pranishmit thanë se kjo çështje nuk është rregulluar për vite të tëra. Këshilli rekomandon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që të inicoi Ligjin apo ndonjë vendim që rregullon çështjen e karburanteve.

Drejtori i Doganave, Lulëzim Rafuna, tha se ky problem ekziston dhe kjo duhet rregullohet me ligj dhe doganat do të implemtoi posa të bëhen ndryshimet. Ndërsa për çështjen e fiskalizimit të naftëtarëve, drejtori i Administratës Tatimore, tregoi se fiskalizimi është pezulluar përkohësisht.

Besim Beqaj, ministër i Financave, tregoi se pas takimeve me të gjithë akterët janë dakorduar që për një kohë të caktuar të pezullohet fiskalizimi, por sipas tij kjo nuk do të thotë se ata nuk duhet të lëshojnë kupona fiskal dhe se kontrollat nuk do të ndalen.

Agim Shahini, kryetar i këshillit, tha se të gjitha bizneset duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ai shtoi se edhe ky sektor duhet të rregullohet dhe këto biznese të jenë të barabarta me mbi 20 mijë bizneset tjera të fiskalizuara.

Në këtë takim u diskutua edhe shkresa për kryetarët e komunave për mundësi të vazhdimit të ndërrimit të lokacioneve derisa të bëhen ndryshim plotësimet e ligjit të Lojrave të Fatit. Po ashtu u shqyrtua kërkesa e sektorit të Lojrave të Fatit, të cilat u tha se kanë dëmtuar këto biznese dhe mbyllja e tyre do linte pa të ardhura mbi katër mijë familje.

Ministri i Financave Besim Beqaj, tha se kjo industri është cilësuar si problematike dhe është vlerësuar si kancer i shoqërisë.

“Nuk ka tendencë as fushatë ndaj askujt, nuk është interesi të dëmtohet dikush apo të mbyllet ndonjë biznes, por të zbatohet ligji dhe të shtohet rritja ekonomike”, tha ministri i Financave.

Agim Shahini, tha se të gjithë sektorët duhet të zhvillohen e rregullohen si duhet, të trajtohen të gjitha bizneset njësoj dhe që të rriten invetsimet.

Në këtë takim u diskutua edhe për mallrat me origjinë nga vendet e CEFTA-s dhe vendosja e pezullimit të trajtimit preferenecial. U diskutua edhe për licencimin e Terminaleve Doganore dhe kriteret e reja të cilat do të harmonizohen me Bashkimin Evropian.

Ndërsa kërkesa për lirimin nga doganat për disa produkte dhe transporit të udhëtarëve si mjete pune u vendos që të shqyrtohen në takimin tjetër ku ministri i Financave kërkoi që të pasurohet lista nga përfaqëuesit e biznesit për lëndë të parë në mënyrë që të lirohen nga taksat për prodhuesit vendës.

Këshilli u informua edhe për të hyrat e 3 mujorin e parë nga Doganat e Kosovës dhe ATK -ja si dhe vlerësua si performancë pozitive e këtyre agjencioneve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat