Magjia që i bashkon fëmijët shqiptar - Bota Sot
Magjia që i bashkon fëmijët shqiptar

Durrësi

E diel, 24 qershor 2018

Magjia që i bashkon fëmijët shqiptar

Nga: Kadri Tarelli Më: 10 maj 2018 Në ora: 23:47
Durrës

Fillim Maji 2018. Në mjediset e kolegjit “T. Ozal”, në Durrës, QKF e Durrësit zhvilloi olimpiadën mbarëshqiptare të matematikës, për klasat e shtata të shkollave të ciklit 9-vjeçar, të titulluar ”Fest-matematika 7. Durrës”. Krahas nxënësve të Shqipërisë, u ulën edhe nxënës nga Kosova, Maqedonia dhe Presheva. Është një ngjarje e bukur për fëmijët, që krahas shpalosjes së dijeve, të njihen dhe të miqësohen mes vedit, si shqiptarë të një gjaku. Magjia e matematikës, i bën bashkë fëmijët e trevave shqiptare.

Në sallën e koncerteve, mbushur plot e përplot me drejtues shkollash, mësues, nxënës, prindër dhe të ftuar, ishin ulur edhe drejtuesit e Klubit “Paskal” të Tetovës, Nexhat Kasa, Agim Bukli, Taxhedin Rexhepi. njëkohësisht Ahmet Osmani nga Presheva, bashkë me ta edhe Sami Shurdhani, Agim Bytyçi dhe Nexhmedin Rexhepi, të tre nga Kosova. Në sallë ndodheshin edhe znj. Drita Zgjanolli, bashkëshorte e mësuesit Pertef Zgjanolli, hartues e botues librash, njëkohësisht edhe Pavlina Zhupa, bashkëshorte e mësuesit të talentuar Vasil Zhupa, së bashku me to edhe familjarë të tjerë të dy mësuesve të nderuar të matematikës, që nuk jetojnë më, por që sot do të vlerësohen për punën në vite, pranë QKF, Durrës.

Organizatorët kishin menduar një gjetje të bukur dhe praktike. Në kohën kur nxënësit do të uleshin të zgjidhnin ushtrimet e konkursit, në sallën e koncerteve të shkollës, do të zhvillohej veprimtaria festive, duke përfshirë tri ngjarje, që lidhen dhe i përkasin mbretëreshës së shkencave, matematikës:

E para: Njoftim për krijimin e klubit të matematikanëve të Durrësit. Ide e shprehur prej kohësh nga ish drejtori i QKF, z. Naim Kërçuku, dikur mësues matematike. Kjo nismë mjaft e bukur dhe e dobishme, pret të organizohet e të fillojë veprimtarinë, në ditët në vazhdim.

E dyta: Vlerësim për dy mësuesit e nderuar, Pertef Zgjanolli dhe Vasil Zhupa, nga QKF, duke i dhënë çertifikatën: “NDERI I QENDRËS KULTURORE TË FËMIJËVE, DURRËS”, me përkushtimin: “Për arritje të larta në veprimtaritë shkencore, të organizuara nga QKF e Durrësit, në shkallë vendi, në shkallë kombëtare dhe mbarëshqiptare”.

Ishin çaste krenarie për familjarët, por dhe mirënjohje, për kujdesin që drejtoria e QKF, tregoi, për të nderuar dy ish mësuesit, që nxitën dhe mbajtën gjallë frymën dhe dëshirën e nxënësve të talentuar, për t’u marrë me matematikë. Ky veprim i bukur, le të bëhet traditë në të ardhmen, duke nderuar ata, që nuk kursehen për të ndihmuar dhe rritur talentet.

Unë si koleg dhe drejtues shkolle, tani në rolin e gazetarit, pata nderin të flas pak fjalë, për jetën dhe veprimtarinë e të dy miqve të mi të hershëm, Pertefit dhe Vasilit.

E treta: Shpërndarja e çmimeve dhe vlerësimeve për nxënësit pjesëmarrës në olimpiadën, për klasat (4 – 8), të ciklit 9-vjeçar, të shkollave të rrethit të Durrësit.

z. Avni Çuni, drejtori i QKF, Në fjalën e tij të përshëndetjes, për të gjithë të pranishmit, theksoi rëndësinë e olimpiadës, kujdesin që tregohet nga prindërit, drejtoritë dhe mësuesit nëpër shkolla. Ky vit shënon numrin më të madh të pjesëmarrësve, rreth 320 nxënës, ku pati më shumë se 110 fitues çmimesh, pra rreth 1/3 e të gjithë garuesve.

- Ne i përshëndesim, - theksoi ai, - por edhe i mbështesim të gjithë nxënësit, që kanë guxim të hyjnë në oborrin dhe botën e matematikës. Është një investim i madh dhe i bukur, që i bëjnë vetes për të ardhmen. Në këtë moshë, nuk kanë rëndësi çmimet dhe lavdërimet. Ato veç na kënaqin dhe na përkëdhelin sedrën, vetëm për pak çaste, për të nisur udhën e suksesit, me më shumë vrull. Për ne, të gjithë nxënësit janë fitues dhe kështu duhet ta ndjejë veten secili.

Në vazhdën e kësaj ideje, përshëndeti edhe Nexhat Kasa, drejtues i klubit të matematikës “Paskal”, Tetovë, duke vënë theksin, se nuk ka rëndësi as vendi që ze, as çmimi që merr. Ky është vetëm fillimi, rëndësi ka puna që do të bëjë secili, në ditët dhe vitet në vazhdim. Ai tregoi shkurt një ndodhi: - Para disa vitesh, në olimpiadë, një nxënës zuri vendin e parë dhe u gëzua shumë, ndërsa një tjetër vendin e shtatë. Por ç’ndodhi më vonë? - vazhdoi ai: - I pari u bë një mësues i thjeshtë matematike, ndërsa i shtati është shkencëtar, i kërkuar në katedrat më të mira të universiteteve me emër në botë.

Në bisedë me z. Agron Xhyra, drejtues i sektorit shkencor të QKF, që është dhe organizatori i olimpiadës, ku ai shprehu kënaqësinë për nxitjen e guximit dhe dëshirës, që mësuesit nëpër shkolla, po ngjallin te nxënësit e tyre, për matematikën. Matematika nuk është aq e egër sa duket. Vetë pjesëmarrja, më e madhe se çdo vit tjetër, është një tregues, që natyrisht nuk mjafton, sepse kërkohet arritje dhe ky është i prekshëm. Ka shumë fitues me çmime dhe medalje. Garuesit dhe fituesit i bëjnë nder vetes, prindërve që kujdesen aq shumë, mësuesve dhe shkollave përkatëse. Çdo vlerësim i tyre është një lloj note, për cilësinë e punës së çdo mësuesi, në përgjithësi edhe për emrin e çdo shkolle. Të gjithë e lakmojnë suksesin, por e arrijnë vetëm ata që punojnë, zbulojnë, mbështesin dhe nxisin talentet, që fatmirësisht ndodhen kudo.

 Në fjalën e tij, ai falënderoi të gjithë nxënësit, që morën pjesë në fazën e dytë të olimpiadës, që u zhvillua në fillim të Prillit 2018, në mjediset e Gjimnazit “Leonik Tomeo”, por u ndal më shumë te ata, që mundën të renditen në krye dhe të marrin medalje ari. Një vlerësim i merituar dhe i lakmuar, që i mbetet në “Pasaportën” shkollore, secilit fitues.

Tabela për fituesit e olimpiadës në fazën e dytë. Durrës

Nr.

Emri Mbiemri

Klasa

Shkolla

Vlerësimi

1. Tedi Kallço

8 V. Prendushi

100. pik. Medalje ari

2. Tirada Kacmoli

8 T. Ozal

100. pik. Medalje ari

3. Sabrina Alushi

8 Kushtrimi Lirisë

100. pik. Medalje ari

4. Klevis Liperi

8 Kushtrimi Lirisë

100. pik. Medalje ari

5. Erlisa Demneri

7 T. Ozal

100. pik. Medalje ari

6. Erka Koka

6 Vasil Ziu

100. pik. Medalje ari

7. Variola XHyra

6. Bedrije Bebeziqi

 100. pik. Medalje ari

Mbas përfundimit të konkurrimit, për nxënësit e klasave të shtata, korrigjimet dhe vlerësimet u bënë dhe u shpallën brenda pak orësh. Rezultatet ishin këto:

Tabela.

Nr.

Emri Mbiemri

Klasa

Shkolla

Rrethi

Vlerësimi

1. Erlisa Demneri

VII

Kolegji. “T. Ozal”

Durrës

Medalje ari

2. Mateo Velaj

VII

Vlorë

Medalje argjendi

3. Lum Jerliu

VII

Gjilan. Kosovë

Medalje bronxi

4. Erina Çollaku

Nx. Kl. VI, konkuron për kl. VII.

Kushtrimi lirisë

Durrës

Vendi tretë.

Këta nxënës do të jenë pjesëmarrës në fazën finale gjithëshqiptare, që zhvillohet për tre dit, në qytetin e Beratit, në datat: 18-19-20, Maj, 2018. Organizuar dhe drejtuar nga Revista “Plus”, klubi “Paskal. Tetovë.

Faza finale, sipas traditës lëviz nëpër qytete të ndryshme, në trevat shqiptare. Këtë vit, ky nder i takon Beratit. Siç shihet nga tabela, dy nxënës do të përfaqësojnë Durrësin. Jemi të nderuar!

I urojmë suksese!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test