Pushime në shkurt, në Durrës shkojnë ende turistë të huaj

Durrësi

Pushime në shkurt, në Durrës shkojnë ende turistë të huaj

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 15:17
Durres

Ditët plot diell jashtë sezonit dhe promovimi i vazhdueshëm në prestigjozet mediatike botërore, kanë sjellë frekuentim gjithëvjetor të bregdetit të Adriatikut.

Edhe këtë fundjavë shkurti, plazhi i madh i Durrësit është plot me pushues të huaj e vendas.

“Gjithë muaji janar dhe shkurti kanë pasur kohë fantastike dhe pushuesit kanë zgjedhur bregdetin për të kaluar fundjavat e tyre”, shprehet menaxherja Anjeza Selimaj.

“Ndjehem shumë mirë. Është kohë e bukur. Hotele fantastike. Ushqim shumë i mirë. Kafe shumë e mirë. Gjithçka është fantastike. Disa vite më parë kam pushuar në Sarandë dhe Ksamil. Këtë herë erdhëm këtu. Energji të mira“, thotë një turist polak.

“Jam nga Polonia dhe vij për herë të parë. Bukur. Shumë këndshëm. Mendoj të kthehem në verë po duhen para dhe kohë. Më duhet të punoj”, shprehet një tjetër turist nga Polonia.

Jehona e Shqipërisë si destinacion pushimesh ka mbërritur dhe në Britaninë e Madhe ku agjencitë turistike janë angazhuar për të sjellë flukse turistësh të organizuar.

“Jemi nga Mbretëria e Bashkuar dhe kemi ardhur për të parë dhe promovuar Shqipërinë si një destinacion i mirë dhe i sigurt pushimesh. Ishim në një konferencë në Tiranë për këtë bashkë me përfaqësues agjencish nga vende të ndryshme. Është hera ime e parë këtu dhe vërtet shumë këndshëm. Kohë dhe kushte fantastike, njerëz shumë miqësor. Shpesh krijohen opinione të gabuara, po kur vjen këtu sheh një tjetër realitet. Një vend i sigurt dhe destinacion i mirë për pushime. Do të kthehem në mars sërish“, tregon një turiste.

“Këtë verë patjetër që do të ketë më shumë britanikë që do të vijnë për të pushuar këtu. Moti plot diell, njerëzit, akomodimi dhe ushqimi janë një ftesë për të ardhur dhe për t’u rikthyer këtu“, shprehet një tjetër.

Bazuar në rezervimet e hershme dhe fundjavat plot me pushues edhe gjatë stinës së ftohtë, operatorët turistikë në Durrës janë të bindur se ky vit do të jetë edhe më i mbarë se i kaluari.

“Viti 2023 ishte një vit i suksesshëm për të gjitha strukturat hoteliere dhe 2024-a ka nisur me sezonin e dimrit duke shënuar rritje… Rezervimet për stinën e verës kanë nisur me early booking dhe janë nga vende të ndryshme. Përmendim këtu Belgjika, Franca që janë vendet e para në rezervimet për të vizituar Shqipërinë dhe gjithashtu nga vendet nordike si Finlanda, Norvegjia, Suedia. Patjetër kemi dhe shqiptarë nga Kosova dhe diaspora shqiptare”, thotë menaxherja.

Bregdeti i Durrësit ofron një numër të konsiderueshëm strukturash akomoduese për të pritur turistë të huaj dhe vendas, ndaj bizneset kanë nisur përgatitjet për të përballuar edhe këtë vit me sukses flukset turistike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat