Ago Agaj e Xhafer Deva i shpëtuand familjet hebreje të Mitrovicë

Dokumentare

Ago Agaj e Xhafer Deva i shpëtuand familjet hebreje të Mitrovicë

Nga: Fazli HAJRIZI Më: 18 janar 2010 Në ora: 13:34

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore Mitrovica me rrethe përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë gjatë historisë. Kjo liri, siç thotë Agaj, e ndezi popullin aq shumë, sa edhe gratë morën pjesë në kremtimin e 28 Nëntorit 1941. Ishte hera e parë që ato merrnin pjesë në një mbledhje. Për herë të parë, pas 500 vjetëve, ato dolën sheshit të veshura me kostume kombëtare e të zbukuruara me flori e gurë të çmueshëm e me qendisje artistike, aq sa të huajt mbetën të habitur. Mirëpo, pas kësaj feste, siç tregon Agaj, ndodhi një ngatërresë e papritur me gjermanët. Komanda kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe jevgjit. Në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje, por kishte rreth katër mijë jevgj që i quanin gabelë. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve. Ago Agaj u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me origjinë egjiptiane, kurse ciganët ishin me prejardhje nga India dhe ishin nomadë që nuk ngulen në asnjë vend. Ky shpjegim nuk mjaftoi dhe lypseshin fakte të tjera. Me anën e Vehbi Frashërit u gjet libri i prof.E. Novack-ut, i cili ishte marrë me studimin e këtyre popujve. Kështu, jevgjit shpëtuan dhe ata, në shenjë falënderimi, dhanë një koncert, siç dinë vetëm ata. Edhe hebrenjve, në saje të angazhimit të Ago Agajt e Xhafer Devës, ua shpëtuan jetën. I vendosën në një ndërtesë të mirë. Pas largimit të Ago Agajt, Xhafer Deva gjeti mënyrën për t’i çuar këto familje në Shqipëri, ku gjetën strehim dhe mikpritje. Ago Agaj qëndroi një kohë të shkurtër në krye të prefekturës, sepse Gjermania ndërhyri tek italianët, ngase “kjo liri e kjo administratë u muar si shembull edhe për Shqipërinë dhe rinia kërkonte edhe atje të njëjtin administrim”. Kështu, Ago Agaj ishte bërë shumë popullor në mes kosovarëve me të cilët ai bashkëpunoi aq mirë.

Emërimi i Ago Agajt ministër i Bujqësissë në qeverinë e Rexhep Mitrovicës

I dashuruar pas Kosovës, ai do të mbiquhej edhe “kosovari nga Vlora”. Në vitin 1943, u zgjodh deputet i Asamblesë Kushtetuese. Po atë vit u emërua ministër i Ekonomisë. Më 5 nëntor 1943, Këshilli i Naltë emëroi Rexhep Mitrovicën kryeministër. Ai formoi kabinetin e tij që kishte në përbërje mjaft personalitete me edukatë shkollore të lartë, që nuk ishin vegla të fuqisë së huaj, në këtë formacion: Rrok Kolaj - ministër i Drejtësisë, Xhafer Deva - ministër i Punëve të Brendshme, Ago Agaj - ministër i Bujqësisë, Sokrat Dodbiba - ministër i Financave, Musa Gjylbegu - ministër i Punëve Botore, Kolë Tromara - ministër i Kulturës Popullore e Propagandës, Eqrem Çabej - ministër i Arsimit, Mehmet Konica - ministër i Punëve të Jashtme, Qazim Bllaca - ministër i Ekonomisë Kombëtare, Ernest Çoba - nënsekretar i shtetit.

Në qershor të vitit 1944, Ago Agaj mori pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit. Kongresi i Dytë u mbajt më 15 janar 1944. Delegatë të mbledhjes së Dytë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pos Ago Agajt, ishin edhe: Kol Margjini, Bedri Pejani, Musa Shehu, Tahir Zajmi, Esat Berisha, Sylejman Aliu, Ahmet Lusha, Kemajl Karahoda, Lukë Simon Mjeda, Nuredin Halili, Bejtulla Devaja, , Nexhip Basha, Bajram Gashi, Shemsi ferri, Vehbi Hamzaga, Adem Kurtaga, Musa Boletini, Ekrem Jegeni, Mentor Çoku, Adem Sabriu, Remzi Ragipi, Haxhi Xheladini, Sylejman Akshiu, Hasan Agë Zvezdiu, Zenun Gashi, Lutfi Spahiu etj. U zgjodh edhe Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit në këtë përbërje: Bedri Pejani, kryetar (i dënuar prej gjyqit partizan, vdiq më 1946), Musa Shehzade, nënkryetar (i pushkatuar), Nexhip Basha, anëtar, Sylejman Akshia, anëtar, Esat Berisha, anëtar (i pushkatuar), Mahmut Shefik Basha, anëtar, Rexhë Meta, anëtar, Ekrem Jegeni, anëtar, Dr. Agolli, anëtar, Asllan Boletini, anëtar, dhe Isa Çavolli, anëtar.

Formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe më vonë Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912), në radhë të parë ishtin vepra të kombit shqiptar dhe e anëtarëve, si: Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit; Ismail Qemalit, Shahin Kolonjës, Bajram Currit, Idriz Seferit, Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit, Faik Konicës, Hasan Prishtinës, Dervish Himës, Prenk Doçit, Petro Nini Luarasit, Mithat Frashërit, Luigj Gurakuqit, Çerçiz Topullit, Nikollë Ivanajt, Sotir Pecit, Kadri Prishtinës, Fehim Zavalanit, Gjergj Qiriazit, Murat Toptanit, At Gjergj Fishtës, Ibrahim Temos, Seit Najdenit e shumë të tjerëve, ndërsa formimi i Shqipërisë në kufijtë etnikë ishte vepër e nacionalistëve, si: Mithat Frashërit, Ago Agajt, Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Bedri Pejanit, Mehdi Frashërit, Rexhep Krasniqit, Vasil Andonit, Ymer Berishës, Ernest Koliqit, Ahmet Gashit dhe shumë e shumë të tjerëve.

Njeriu i pajisur me kulturë perëndimore

Në fund të vitit 1944, pas vendosjes së regjimit komunist dhe diktaturës së kuqe, Ago Agaj u detyrua të ikë nga Shqipëria për të cilën punoi dhe sakrifikoi shumë. Emigroi në Itali, Austri dhe pastaj në Egjipt, ku qëndroi deri në vitin 1965, kur u vendos përfundimisht në ShBA, pranë vëllait të tij në teqenë e Baba Rexhepit. Kudo që jetoi, ai e mbajti në zemër Shqipërinë. Ka qenë anëtar i Bllokut Kombëtar Indipendent. Njeri i cili shquhej për thjeshtësinë dhe modestinë e tij proverbiale, i pajisur me një kulturë të gjerë perëndimore, ai ka ditur të bashkëpunojë me atdhetarë të tjerë atje, të përcjellë me vëmendje çdo ngjarje në vendin e tij, duke vepruar në forma të ndryshme për ta ndihmuar atë. Ka botuar në të gjitha organet të shtypit të diasporës studime historike, gjurmime në fushën e folklorit, monografi etj. Lidhur me miqësinë me gjermanët në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, “vlonjati i Kosovës” i deklaron Cuf Hoxhës kështu: “Gjermania ka ndryshuar. Ajo është amerikanizuar shumë. Gjermanët janë bërë më shumë biznesmenë. Nuk janë më ata gjermanët e vjetër. Një gjeneral egjiptian që ishte shkolluar në Gjermani, kur isha në Egjipt, më pati thënë se aleatët u munduan ta shkatërronin këtë shtet, mirëpo ai sot është ekonomikisht shumë i fuqishëm. Megjithatë, në një aspekt tjetër, aleatët patën sukses. Ndryshuan karakterin gjerman. Pas luftës janë bërë ndryshime të mëdha në Evropë. Por në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, është bërë hataja me shkatërrimin e moralit e të karakterit shqiptar. Enver Hoxha qe një sadist që kënaqej me vuajtjet e kundërshtarëve. Kur emisarët e tij kërkuan nga unë që të isha ndërlidhës ndërmjet komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, meqenëse kisha shërbyer në Mitrovicë dhe i njihja mirë serbët, unë u thashë se do ta bëja këtë punë me një kusht që Kosova të mbetej pjesë e Shqipërisë. Dhe, ata nuk u dukën më”./Vijon

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat