Vëllezërit Seferi nga Prekazi, një storje suksesi në Gjermani (Video)

Diaspora

Vëllezërit Seferi nga Prekazi, një storje suksesi në Gjermani (Video)

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 07:20

Që nga kryetari i komunës, politikanët lokalë dhe të tjerë, japin rrëfimet e tyre për kontributin për qytetin e Augsburgit, në emisioni Stadtgespräch të televizioni ATV.

Këtë javë në studio janë ulur vëllezërit Fatmir dhe Faton Seferi nga Prekazi i Skënderajt. Ata kanë rrëfyer rrugën e gjatë të kësaj familjeje që ka ikur nga Kosova në vitet ‘90 të shekullit të kaluar dhe që ka krijuar jetë të re në Gjermani duke pasur sukses në biznesin e restoranteve, raporton KTV.

Moderatori u ka thënë ta shpjegojnë nisjen e ikjes nga Kosova që në kohën e ardhjes në pushtet të Millosheviqit, kur djali më i madh i familjes Iliri kishte ikur për të shmangur Ushtrinë jugosllave.

Fatmiri ka treguar se vetë ka ikur pas masakrës ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pjesa tjetër e familjes kishte mbetur në Kosovë.

Qëndrimin në Kosovë e shpjegon Fatoni i cili tregon se si kishte parë me sytë e tij vrasjen dhe plagosjen e shqiptarëve nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Fatoni tregon se edhe pse ishte fëmijë 14-vjeçar, një polic e goditi atë me kondak të revoles.

Por, në studio natyrisht ata ishin të ftuar për të folur për sukseset e tyre. Fatmiri e Fatoni rrëfejnë se si nisën punën si pjatalarës dhe brenda një kohë u shndërruan në udhëheqës të disa prej restoranteve kryesore bavareze.

Ata tregojnë se sa e vështirë ishte që të bindet birraria lokale që të bashkëpunonte me një familje kosovare që po merrte përsipër restorantet në zë, si “Gasthof zum Ochsen”, “Haunstetter Hof”, “Zeughausstuben”, “Weisser Hase”, “Hasenbrähaus Kälberhalle” dhe së fundi edhe birrarinë më të vjetër “König von Flandern”.

Moderatori konstaton se ata janë shembulli më i mirë i integrimit të suksesshëm të kosovarëve në Gjermani. Ai i pyet në fund për ardhjen masive të imigrantëve në Gjermani, dhe Fatmiri thotë se nuk e kupton pse po vijnë njerëzit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo Serbia, por ka mirëkuptim për ata që vijnë nga zonat e luftës.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat