Shkololli në sallonin “Artgeneve” të Zvicrës

Diaspora

Shkololli në sallonin “Artgeneve” të Zvicrës

Më: 27 janar 2015 Në ora: 19:48

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK), Erzen Shkololli, është ftuar si mysafir nderi në edicionin e katërt të sallonit të artit “Artgenève”.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK), Erzen Shkololli, është ftuar si mysafir nderi në edicionin e katërt të sallonit të artit “Artgenève”, që do të mbahet nga 29 janari deri më 1 shkurt në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa pjesëmarrës i këtij edicioni është edhe artisti Anri Sala.
“Artgenève” sivjet do të mbledhë 70 galeri nga 14 shtete të ndryshme dhe disa ekspozita dhe performanca jo-komerciale, të inspiruara nga tema e këtij edicioni “Qendrat & Periferitë” (Centres & Peripheries). Ndër ekspozitat e këtij viti do të jenë “A no-show” nga Joanna Warsza, kuratore e Manifesta X, pastaj një ekspozitë me punë të zgjedhura nga koleksioni i Eric & Suzanne Syz kuruar nga Nicolas Trembley, kurse një vepër nga Ugo Rondinone nga koleksioni Ringier dhe një vepër nga David Zink Yi nga një koleksion privat do të jenë disa nga instalacionet në sallon.

Për më tepër, sipas kumtesës së GKK-së, Anri Sala dhe kolektivi M/2 do të fillojnë “Artgenève – musique” në Villa Sarasin, ndërsa gjithashtu do të hapet ekspozita e jashtme e skulpturave pranë liqenit.

Me këtë rast, Shkololli do të vizitojë institucionet Ethnographic Museum of Geneva (MEG), Archive Antonio Saura Foundation, Martin Bodmer Foundation, Contemporary Art Center, Le Lignon etj.

“Artgenève” është një sallon dhe ekspozitë e artit, që synon të krijojë një platformë artistike në Suisse Romande – në pikën e artit bashkëkohor, artit modern dhe dizajnit. “Artgenève” mirëpret galeritë ndërkombëtare dhe gjithashtu i kushton rëndësi dhe një hapësirë të veçantë koleksioneve publike dhe private, si dhe hapësirave të pavarura dhe kuratorëve, duke pranuar dinamizmin e krijuar përmes dialogut ndërmjet institucioneve të ndryshme, shitësve të artit dhe artistëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat