Mediat greke zbardhin detaje të reja nga atentati i përgjakshëm në Athinë ku mbeti i vdekur 32-vjeçari shqiptar, Roan Brahimi, ndërsa u plagos lehtë bashkëshortja e tij, 37 vjeçe.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë bërë me dije se çifti kishte shkuar në park për të marrë fëmijën e tyre.
Në ato momente, teksa çifti priste në makinë, autori me një motoçikletë është afruar dhe ka qëlluar me breshëri arme dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
“E kuptuam që diçka ndodhi, vrapuam, pamë makinën të parkuar në cep dhe gruaja e tij bërtiste “ndihmë, ndihmë”. Erdhën për të marrë fëmijën që luante në park”, përshkruan një dëshmitar okular.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në ekzekutimin e të riut në shtetin grek. Roan Brahimi njihej si rival i ish-bosit të basteve sportive Ervis Martinaj i zhdukur prej gushtit të vitit 2022. Zhdukja e Martinajt ka sjellë një zinxhirë atentatesh me disa viktima në Shqipëri.
“Vajza ime e vogël po luante me fëmijën e tyre kur dëgjuam të shtënat”
Duke folur për Newsbomb.gr, një grua që ndodhej pranë skenës së sulmit, tha rreth se gjysmë ore para incidentit të përgjakshëm se “vajza ime e vogël po luante me djalin e vogël të tij (të viktimës). Dëgjuam të shtënat dhe vrapova për të parë nëse ishte diçka apo ishte vetëm një lojë.
Vogëlushi vraponte dhe thoshte “babai im, babi im” dhe gjyshja tha “është dhëndri im, dhëndri im” dhe unë lajmërova policinë. Ishte një motoçikletë me dy persona”.
“Dëgjuam dy të shtëna, ata bërtisnin “ndihmë, vrasje””
Kalimtarë të lagjes folën për Newsbomb.gr , duke thënë ndër të tjera se “e qëlluan çiftin teksa po merrnin fëmijën e tyre” dhe “dëgjuam dy të shtëna të fuqishme. Ata bërtisnin ndihmë, vrasje”.