Mustafa: SHBA-të po ndihmojnë fuqishëm në ngritjen e infrastrukturës arsimore(Foto)

Lajme

Mustafa: SHBA-të po ndihmojnë fuqishëm në ngritjen e infrastrukturës arsimore(Foto)

Më: 8 korrik 2016 Në ora: 16:44
Isa Mustafa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për zhvillimin e Programit Fullbright.

Në fjalën përshëndetëse, kryeministri Mustafa falënderoi Qeverinë Amerikane që përmes programeve të tilla, po ndihmon Republikën e Kosovës në ngritjen e infrastrukturës arsimore, shkencore dhe ekonomike.

Kryeministri Mustafa e ka quajtur një ditë të rëndësishme nënshkrimin e memorandumit që mundëson shkollimin e studentëve dhe të rinjve në programin Fullbright, si një program tepër i rëndësishëm i cili ka dhënë rezultate në përgatitjen e kuadrove të Kosovës për shkencë, arsim dhe ekonomi.

“Ne në Qeveri keni dhënë zotimin tonë se ne do të përkrahim edhe për këtë vit edhe për vitet e ardhshme këtë program i cili do t’iu mundësoj shumë të rinjve tanë që të studiojnë në nivele të ndryshme të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që këto kuadro pastaj t’i kontribuojnë zhvillimit të institucioneve tona. Ne e kemi parë të arsyeshme që edhe pjesëmarrja e ministrive tona në financimin e këtij programi, përmes Qeverisë të jetë e tillë që ne të shpërndajmë edhe nevojat tona tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në mënyrë që karshi nevojave që ne i kemi për kuadro të kemi një ndërlidhje më të fortë të ministrive përkatëse me njerëzit tanë që shkollohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë program”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, më tutje theksoi se kjo është një mundësi e veçantë që i ofrohet Kosovës dhe një pjesëmarrje e veçantë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në financimin e njerëzve të Kosovës që të shkojnë atje për studime.

“Andaj, dëshiroj sot të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadorit Delawie që së bashku është me ne këtu dhe Qeverinë Amerikane për të gjithë atë që po bënë për ngritjen e infrastrukturës arsimore, shkencore dhe ekonomike të Republikës së Kosovës dhe ngritjen e institucioneve tona”, tha kryeministri Mustafa.

Para të pranishmëve, nga një fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat