BE humb imazh në Azinë Juglindore

Bota

BE humb imazh në Azinë Juglindore

Më: 21 prill 2024 Në ora: 08:46
BE: humbje e imazhit në Azinë Juglindore?

Reputacioni i Bashkimit Evropian duket se ka pësuar rënie në Azinë Juglindore, sipas një sondazhi mes "elitës" në rajon të kryer nga Instituti ISEAS-Yusof Ishak në Singapor. Studiuesit grumbulluan të dhënat nga anketimi i rreth 2000 përfaqësuesve të akademisë, biznesit, qeverisë dhe shoqërisë civile në janar dhe shkurt të këtij viti. Të anketuarit vijnë nga Singapori, Indonezia, Malajzia, Filipinet, Tajlanda, Vietnami, Kamboxhia, Mianmari, Laosi dhe Brunei.

Rezultatet tregojnë se tani ka më pak besim tek BE si mbështetëse e tregtisë së lirë apo rendit të bazuar në rregulla krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm rreth 14% e të anketuarve e shohin BE-në si lidere të rëndësishme të agjendës globale të tregtisë së lirë, nga pothuajse 22% në sondazhin e vitit të kaluar. Vitin e kaluar, BE u rendit e dyta si vendi ose blloku, të cilit aziatikët juglindor i besonin më shumë për të mbështetur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ligjin ndërkombëtar.

Në sondazhin e këtij viti, BE ra në vendin e tretë me përqindjen e saj që u ul në gati 17% nga 23%, duke u renditur pas Shteteve të Bashkuara dhe Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Sondazhi tregoi gjithashtu se tani ka më pak besim se BE do të "bënte gjënë e duhur" për të kontribuar për paqen, sigurinë, prosperitetin dhe qeverisjen globale. Vetëm 41% u pajtuan me këtë nga rreth 51% vitin e kaluar. Nga ata që kishin pak ose aspak besim nëse BE do mund të "bënte gjënë e duhur", pothuajse një e treta thanë se kjo ishte për shkak se ata mendonin se Brukseli ishte "i fokusuar më shumë me problemet e tij të brendshme dhe kështu nuk mund të përqëndrohet në shqetësimet dhe çështjet globale".

Image
Samiti BE me vendet e Indo-Paqësorit, shkurt 2024Fotografi: Bogdan Hoyaux /EU

Reagimi nga Brukseli

"Gjetjet e sondazhit të Gjendjes së Azisë Juglindore 2024 nënvizojnë se Bashkimi Evropian duhet të rrisë ndjeshëm përpjekjet e tij të bashkëpunimit me Azinë Juglindore," tha David McAllister, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Parlamentit Evropian për Tregtinë Ndërkombëtare, e përshkroi sondazhin si "pak si marrje e një dëftese me nota mesatare. Nuk është gjithçka keq, por është e qartë se kemi disa detyra shtëpie për të bërë."

Sipas Bridget Welsh, një bashkëpunëtore kërkimore nderi në Institutin Kërkimor të Azisë në Universitetin e Nottinghamit në Malajzi, lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka qenë deri tani çështja më "dëmtuese" për BE-në gjatë 12 muajve të fundit. "Shumë në Azinë Juglindore e shohin mbështetjen e papenguar të BE-së për Izraelin dhe gjakderdhjen në Gaza si të papranueshme," tha ajo për DW. Të anketuarit e renditin konfliktin e Gazës si çështjen më të rëndësishme gjeopolitike, duke lenë pas shqetësimet e vetë rajonit, të tilla si tensionet në Detin e Kinës Jugore dhe një luftë civile që shpërtheu në Mianmar.

Malajzia dhe Indonezia në mosmarrëveshje me BE-në

Image
Lufta në Gaza preokupon edhe opinionin në Azinë Juglindore - Godina të shkatërruara në Khan JunisFotografi: Ali Jadallah/Anadolu/picture alliance

Që para se shkallëzimit të luftës në Gaza, BE-ja ndodhej në grindje me Malajzinë dhe Indonezinë, dy prodhuesit më të mëdhenj në botë të vajit të palmës, lidhur me legjislacionin e Brukselit për shpyllëzimin. BE planifikon të ndalojë importin e mallrave që mund të identifikohen se lidhen me shpyllëzimin. Por disa shtete të Azisë Juglindore kjo ndikon në mënyrë të padrejtë në sektorët e tyre bujqësorë dhe nuk i njeh përpjekjet që po bëjnë ata për klimën. Në mars, një panel i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) vendosi teknikisht në favor të BE-së, pasi Malajzia kishte paraqitur një çështje në organin ndërkombëtar të tregtisë. Por OBT gjithashtu ra dakord me disa nga ankesat e Malajzisë në lidhje me mënyrën se si BE-ja kishte përgatitur, publikuar dhe administruar rregulloret e saj të shpyllëzimit.

BE si 'opsioni i tretë' më i mirë mes SHBA-së dhe Kinës

Pavarësisht këtyre çështjeve, zëdhënësi i çështjeve të jashtme të BE-së, Peter Stano, tha se rezultatet e fundit tregojnë se besimi tek "BE si një partner i ASEAN-it mbetet i fortë". Stano i tha DW, se sondazhi, për shembull, zbuloi se BE-ja është partneri i katërt më i rëndësishëm i dialogut të ASEAN-it, pas Kinës, SHBA-së dhe Japonisë, dhe se ajo ruan pozitën e saj udhëheqëse si partneri strategjik i preferuar i ASEAN-it në mbrojtjen kundër rivalitetit SHBA-Kinë. "Anketa e vitit 2023 tregoi një rritje në vlerësimin e rajonit për rolin e BE-së krahasuar kjo me vitin 2022," shtoi ai. Stano këshilloi të mos interpretohet më shumë se ç'duhet sondazhi, sepse ai ndryshon sipas pjesëmarrësve, vendndodhjes gjeografike dhe sektorit.

Edhe Rahul Mishra, studiues në Universitetin Thammasat në Tajlandë, ishte gjithashtu skeptik në lidhje me rezultatet e sondazhit. "Është e habitshme se si kontributet e BE-së dhe angazhimi aktiv me rajonin nuk janë pasqyruar siç duhet në sondazh," tha ai, duke shtuar se ndoshta anketuesit "do duhej ta kishin hartuar pyetësorin me më shumë kujdes."

Megjithatë në pjesën më të madhe, rezultatet e sondazhit tregojnë se BE ka ende shumë punë për të bërë që të bindë aziatikët juglindorë për interesat e saj afatgjata në rajon. "Kur vjen puna për të formësuar imazhin tonë dhe për t'u siguruar që ne shihemi si partnerë të mirë në tregti dhe bashkëpunim, nuk ka shkop magjik," tha eurodeputeti, Bernd Lange, duke shtuar, se tani duhen përveshur mëngët, të ulemi me miqtë tanë në Tajlandë, Filipine dhe Indonezi për të krijuar marrëveshje që janë të drejta, që ndihmojnë të gjithë. "Duhet të tregojmë se jemi aty për një kohë të gjatë, të gatshëm për të dëgjuar, mësuar dhe përmirësuar njëri-tjetrin."/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat