LIVE: Nuk ndalen sulmet mes ushtrisë amerikane dhe rebelëve të Houth-it; tensione mes Izraleit dhe Hamasit!

Bota

LIVE: Nuk ndalen sulmet mes ushtrisë amerikane dhe rebelëve të Houth-it; tensione mes Izraleit dhe Hamasit!

Nga: Bota sot Më: 18 janar 2024 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 19:17 më 18.01.2024
Foto ilustrim

Pakistani kryen sulme hakmarrëse në Iran

Pakistani tha të enjten se ushtria e tij kreu sulme kundër "strehimeve të terroristëve" në Iranin fqinj, dy ditë pasi Teherani bombardoi ata që tha se ishin "terroristë iranianë", të cilët strehoheshin në tokën pakistaneze.

Ministria e Jashtme pakistaneze tha se sulmet ushtarake "shumë të bashkërenduara dhe të sakta” vranë një "numër terroristësh" në provincën kufitare të Iranit, Sistan-Baluchistan, në operacionin me emrin e koduar "vdekje terroristëve".

"Pakistani respekton plotësisht sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Republikës Islamike të Iranit. Objektivi i vetëm i aktit të sotëm ishte siguria dhe interesi kombëtar i Pakistanit, i cili është parësor dhe nuk mund të rrezikohet", thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme.

Media shtetërore e Iranit citoi zyrtarë të sigurisë të kenë thënë se sulmet pakistaneze vranë të paktën shtatë "shtetas jo iranianë" në qytetin kufitar juglindor të Saravanit. Në mesin e të vrarëve thuhet se janë katër fëmijë dhe tri gra.

Operacioni hakmarrës pakistanez u krye pasi autoritetet iraniane thanë të martën se "sulmet e tyre me raketa dhe dronë" shkatërruan bazat e një grupi militant anti Iran, Jaish al-Adl, ose Ushtria e Drejtësisë, në provincën kufitare të Pakistanit, Baluchistan.

Islamabadi dënoi sulmet, që sipas tij vranë dy fëmijë dhe disa civilë të tjerë, duke u zotuar të përgjigjet në përputhje me rrethanat.

Hakmarrja ushtarake e së enjtes nga Pakistani shënoi një përshkallëzim të pashembullt të tensioneve ndërmjet dy vendeve.

Të mërkurën, Pakistani tha se po tërhiqte ambasadorin e tij nga Teherani dhe do të pezullonte të gjitha angazhimet dypalëshe me Iranin për të protestuar kundër sulmit ajror vdekjeprurës ndërkufitar "të paprovokuar".

"Pakistani rezervon të drejtën për t'iu përgjigjur këtij akti të paligjshëm. Përgjegjësia për pasojat do të bjerë drejtpërdrejt mbi Iranin," paralajmëroi zëdhënësja e ministrisë së Jashtme Mumtaz Zahra Baloch.

Ajo tha se Islamabadi i kishte bërë të qartë Teheranit se sulmet ishin një "shkelje e hapur" e sovranitetit të Pakistanit dhe një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian, duke folur të mërkurën përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, mbrojti sulmin e së martës.

"Asnjë nga shtetasit e vendit mik dhe vëlla të Pakistanit nuk u vu në shënjestër të raketave dhe dronëve iranianë", tha ai. Ato goditën "terroristët iranianë në tokën e Pakistanit", shtoi ministri Amirabdollahian.

Shtetet e Bashkuara dënuan sulmet iraniane.

Kina u kërkoi të dy vendeve të mërkurën të ushtrojnë përmbajtje dhe theksoi se sovraniteti, pavarësia dhe tërësia tokësore e të gjitha vendeve duhet të respektohen.

Irani dhe Pakistani ndajnë një kufi prej afërsisht 900 kilometrash të gjatë, që ndan provincën e trazuar juglindore të Iranit Sistan-Baluchistan dhe Baluchistanin e goditur nga kryengritësit në Pakistan.

Islamabadi dhe Teherani vazhdimisht akuzojnë njëri-tjetrin se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar grupet e armatosura anti-shtetërore të strehohen në territoret e tyre përkatëse dhe të kryejnë sulme terroriste ndërkufitare kundër forcave të sigurisë./VOA

16 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Mjekët palestinezë thanë të enjten se 16 persona u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në qytetin Rafah, në Gazë. Sipas tyre, gjysma ishin fëmijë. Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se ushtria vazhdoi sulmet në zona ku civilëve u është thënë të gjejnë strehim.

Ndërkohë, nuk ka asnjë deklaratë nëse ilaçet që hynë në Gazë të mërkurën, si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Franca dhe Katari, u janë shpërndarë dhjetëra pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.

Luftimet mes Izraelit e Hamasit po vazhdojnë prej më shumë se 100 ditësh. Ato nisën pasi grupi Hamas, sulmoi Izraelin në 7 tetor. Ushtria izraelite vazhdon të kryejë një prej ofensivave ushtarake më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në historinë e kohëve të fundit, me qëllimin për të shkatërruar grupit militant që ka udhëhequr Gazën që prej vitit 2007 si dhe për të liruar personat që po mbahen peng. Lufta ka nxitur tensione në të gjithë rajonin dhe janë shtuar shqetësimet se mund të nxisë konflikte të tjera.

Rreth 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe sipas Kombeve të Bashkuara një e katërta e popullatës po vuan nga uria.

Qindra mijëra palestinezë i janë bindur urdhërave të evakuimit të Izraelit dhe janë zhvendosur në jug të Gazës, ku qendrat e strehimit të ngritura nga Kombetet e Bashkuara janë mbipopulluar. Por Izraeli ka vazhduar të godasë, siç thotë, objektivat e militantëve në të gjithë Gazën, duke vrarë shpesh gra dhe fëmijë./voa

Analistët, të shqetësuar nga agresioni në rritje i Iranit në Lindjen e Mesme

Ushtria amerikane kreu një tjetër sulm kundër zonave të kontrolluara nga rebelët Houthi të Jemenit. Kjo ishte kundërpërgjigje ndaj një sulmi që Houthi bëri të mërkurën dhe që dëmtoi një anije tregtare në pronësi të Shteteve të Bashkuara, e cila lundronte në Gjirin e Adenit. Sulmet u bënë pasi Shtetet e Bashkuara i ripërcaktuan rebelët Houthi, një organizatë që mbështetet nga Irani, si organizatë terroriste pas disa javësh sulmesh me raketa dhe dronë të grupit jemenas ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, kritikët mbeten të shqetësuar për agresionin në rritje të Iranit në rajon.

Shtetet e Bashkuara të mërkurën i futën militantët Houthi në listën e grupeve terroriste, pas rreth 30 sulmeve ndaj anijeve në rrugët ndërkombëtare të Detit të Kuq.

“Nëse (rebelët) Houthi ndalojnë sulmet, ne mund ta rishqyrtojmë vendimin”, thotë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Në të kundërtën, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mund të kryejnë më shumë sulme kundër pikave brenda Jemenit nga ku Houthi lëshon raketa dhe dronë kundër anijeve në Detin e Kuq.

“Ata duhet të pyesin veten se deri në ç’masë duan shkatërrimin e aftësive të tyre ushtarake ndërsa vazhdojnë këto sulme të pamatura dhe të rrezikshme”, thotë gjeneralmajor Pat Ryder, zëdhënës i Pentagonit.

“Është një përgjigje e vonuar dhe ende nuk mund të vlerësohet si e plotë”, thotë Behnam Ben Taleblu i Federatës për Mbrojtjen e Demokracive.

Kritikët e Shtëpisë së Bardhë, si analisti Behnam Ben Taleblu thonë se duhet bërë më shumë kundër grupit Houthi, të cilët shërbejnë si përfaqësues të mbështetësit të tyre ushtarak, Iranit.

“Ky është një projekt neo-kolonial në të cilin Republika Islamike po bën përpjekje për të nxitur kriza në të gjithë zonën arabe të Lindjes së Mesme, për t'i bërë grupet që mbështesin të aftë të luftojnë kundërshtarin ideologjik të Republikës Islamike, që është shteti hebre”, thotë zoti Taleblu.

Irani furnizon me armë grupet e dhunshme në të gjithë Lindjen e Mesme: në Gazë, Liban Siri, Irak dhe Jemen.

Gjatë këtij muaji, forcat amerikane me një varkë të vogël në brigjet e Somalisë konfiskuan disa armë të avancuara, të prodhuara nga Irani dhe që kishin si destinacion Jemenin.

Irani mohon të ketë furnizuar Huthit me raketa, pavarësisht provave të shpeshta për të kundërtën.

“Irani zakonisht synon të krijojë distancë midis tij dhe kërcënimeve gjë që i krijon mundësinë që të mohojë përfshirjen. Por regjimi islamik në fakt krenohet hapur me kapacitetin e raketave që ka zhvilluar”, thotë analisti Behnam Ben Taleblu nga Federata për Mbrojtjen e Demokracive.

Teherani kreu sulme me raketa vdekjeprurëse brenda Irakut dhe Pakistanit këtë javë, duke zemëruar fqinjët e tij. Islamabadi tërhoqi ambasadorin e tij iranian ndërsa irakianët në rajonin verior kurd nisën protesta masive./VOA

​ShBA nis raundin e katërt të sulmeve ndaj objektivave Houthi në Jemen

Shtetet e Bashkuara kanë kryer një raund të katërt sulmesh ndaj Houthi-ve të mbështetur nga Irani në Jemen, konfirmuan zyrtarët e Pentagonit të mërkurën mbrëma.

Rreth 14 raketa Houthi, për të cilat SHBA thotë se mund të kenë qenë të destinuara për sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq, u vunë në shënjestër të forcave amerikane.

Sulmet vijnë pasi SHBA i cilësoi Houthi-t si "terroristë globalë".

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se masa, e cila anuloi një vendim për të hequr përcaktimin në ditët e para të administratës së Biden, ishte në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të militantëve ndaj anijeve tregtare në rajon.

Houthi-t filluan të sulmojnë anijet tregtare në nëntor, duke thënë se po i përgjigjeshin operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza. Që atëherë, grupi ka nisur dhjetëra sulme ndaj cisternave komerciale që kalojnë nëpër Detin e Kuq, një nga korsitë më të ngarkuara të anijeve në botë.

Si përgjigje, SHBA dhe Britania e Madhe nisën një valë sulmesh ajrore kundër dhjetëra objektivave Houthi më 11 janar. Sulmet - të mbështetura nga Australia, Bahreini, Holanda dhe Kanadaja - filluan pasi forcat Houthi injoruan një ultimatum për të ndërprerë sulmet e tyre në rajon, shkruan BBC.

Jemeni është shkatërruar nga një luftë civile që u përshkallëzua në vitin 2015, kur Houthi-t morën kontrollin e pjesëve të mëdha të perëndimit të vendit nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht dhe një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në një përpjekje për të rivendosur sundimin e tij.

Luftimet thuhet se kanë lënë më shumë se 160.000 njerëz të vdekur dhe kanë shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë, me dy të tretat e popullsisë - 21 milionë njerëz - në nevojë për një formë ndihme.

Turqia: Të merren masa për luftën në Gaza

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan bëri një thirrje për të “ndaluar gjenocidin” në Rripin e Gazës.

“Është absolutisht e papranueshme që Izraeli të justifikojë sulmet e tij në Gaza për arsye sigurie”, tha Fidan.

Duke folur në një konferencë shtypi me homologun e tij jordanez Ayman Safadi në Aman, Hakan theksoi gjithashtu se palestinezët kanë të drejtë të krijojnë një shtet të pavarur.

Në nëntor, Ministria e Jashtme e Turqisë tërhoqi ambasadorin e saj në Tel Aviv, duke përmendur refuzimin e Izraelit për të pranuar një armëpushim, “sulmet e vazhdueshme kundër civilëve” dhe mohimin e hyrjes së lirë në ndihma humanitare. Ishte kulmi i një zhytjeje të mprehtë në lidhjet që nga 7 tetori.

"Krijimi i shtetit palestinez është thelbësor", thirrja e Lavrov gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov bëri thirrje për krijimin e një shteti palestinez ndërsa foli për situatën në Gaza gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp të enjten.

“Drejtimi kryesor i përpjekjeve duhet të jetë krijimi i një shteti palestinez në përputhje të plotë me vendimet e Këshillit të Sigurimit,  një shtet që, siç shkruhet në këto vendime, do të ekzistonte në siguri dhe fqinjësi të mirë krahas Izraelit me vendet e tjera të rajonit”, nënvizoi Lavrov.

Sipas tij kjo është edhe e vetmja zgjidhje e konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Pa këtë, çfarëdo që të ndodhë, do të shohim përsëritje të dhunës që shihet tani në Gaza, sepse pa krijimin e një shteti palestinez, populli palestinez do të vazhdojë të ndihet i pafavorizuar, do të vazhdojë të jetojë në kushte drejtësie inferior”, tha ai.

Lavrov shtoi se ai e kupton se kjo ishte është papranueshme për Izraelin për momentin.

“Ne nuk mund të bëjmë asgjë përveçse t’ua shpjegojmë atë,” argumentoi Lavrov. 

Lavrov më pas theksoi se përpjekjet e ndërmjetësimit nga SHBA-të nuk do të funksionojnë nëse nuk ka dialog të drejtpërdrejtë midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Irani thotë se sulmet e aleatëve s’do të ndalen derisa të përfundojë lufta në Gaza

Sulmet nga grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme nuk do të ndalen derisa të përfundojë lufta e Izraelit ndaj Hamasit në Gaza, paralajmëroi të mërkurën kryediplomati i Teheranit.

Ky paralajmërim vjen në një kohë kur i gjithë rajoni rrezikon të shkojë në një luftë më të gjerë.

“Nëse gjenocidi në Gaza ndalet, atëherë kjo do të çojë në fundin e krizave dhe sulmeve të tjera në rajon”, tha Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian për Fareed Zakaria të CNN në një intervistë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të mërkurën.

Komentet e Abdollahian i bëjnë jehonë objektivave të deklaruara të grupeve të armatosura individuale në rrjetin e ndikimit të Iranit.

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë 60 luftëtarë palestinezë në Gazë

Forcat izraelite kanë vrarë afër 60 luftëtarë palestinezë në Rripin e Gazës, tha ushtria izraelite përmes një njoftimi në 18 janar.

Në njoftimin u tha se luftëtarët u vranë në operacionet e ushtrisë izraelite gjatë 24 orëve të fundit.

Afër 40 luftëtarë u vranë në zonën jugore të Han Junisit dhe disa të tjerë në veri të Rripit të Gazës, përfshirë edhe në një ndërtesë që përdoret nga fraksioni palestinez, Xhihadi Islamik, u tha në deklaratën e ushtrisë izraelite.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit.

Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me ofensivë tokësore, detare dhe ajrore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 24.000 palestinezë. Por, ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit dhe do të lirojë pengjet e mbetura në Gazë.

Medikamentet për pengjet izraelitë dhe për palestinezët mbërrijnë në Gaza

Ilaçet për pengjet izraelitë dhe për palestinezët kanë hyrë në Gaza, tha Katari të mërkurën, pasi ai arriti një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të ofruar ilaçe jetike për enklavën e shkatërruar nga lufta.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Katari të martën do të shohë dorëzimin e ilaçeve për pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi në Gaza në këmbim të ilaçeve dhe ndihmës humanitare për civilët palestinezë, shkruan CNN.

“Gjatë orëve të fundit, ilaçet dhe ndihmat hynë në Rripin e Gazës, në zbatim të marrëveshjes së shpallur dje për të mirën e civilëve në Rrip, përfshirë pengjet”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari në X.

Katari, së bashku me partnerët e tij rajonalë dhe ndërkombëtarë, vazhdon përpjekjet e ndërmjetësimit në nivel politik dhe humanitar.

Ndërsa Hamasi ka përcaktuar që për çdo kuti me ilaçe që u jepet pengjeve, palestinezët në Gaza duhet të marrin 1.000 kuti.

Kreu i ushtrisë izraelite thotë se muajt e ardhshëm mund të nisë lufta me Libanin

Kreu i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, ka thënë se gjasat për luftë në frontin verior të Izraelit janë shumë më të larta se në të kaluarën.

Këto komente Halevi i bëri gjatë vizitës së një stërvitjeje rezervistësh pranë kufirit me Libanin, teksa shtoi se tha se vendi i tij po rrit gatishmërinë për luftime.

“Nuk e di se kur do të ndodhë lufta në veri, por mund t’ju them se gjasat që ajo të ndodhë në muajt e ardhshëm janë shumë më të mëdha se sa ishte në të kaluarën”, tha Halevi, shkruan CNN.

Ai shtoi se ka mësuar shumë prej luftimeve të zhvilluara në mes Hamasit dhe Izraelit në Gaza.

“Ne kemi shumë mësime nga luftimet në Gaza, shumë prej të cilave janë shumë të rëndësishme për luftimet në Liban dhe ka disa që duhen përshtatur”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat