LIVE: “Operacione të fuqishme ushtarake”, Ukraina i jep një ‘goditje’ Rusisë – ky është vendimi i fundit i Putinit

Bota

LIVE: “Operacione të fuqishme ushtarake”, Ukraina i jep një ‘goditje’ Rusisë – ky është vendimi i fundit i Putinit

Nga: Bota sot Më: 4 janar 2024 Në ora: 06:55 Përditësuar në ora: 20:11 më 04.01.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Këshilli NATO-Ukrainë do të diskutojë sulmet ajrore ruse

Zyrtarët e NATO-s dhe të Ukrainës do të takohen javën e ardhshme për të diskutuar sulmet ajrore të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka përfshirë valë të mëdha sulmesh që nga fillimi i vitit.

Zëdhënësi i NATO-s, Dylan White, tha të enjten se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mblidhte Këshillin NATO-Ukrainë më 10 janar, “pas sulmeve të fundit ruse me raketa dhe dronë”.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar që aleatët të forcojnë mbrojtjen ajrore të vendit, ndërsa Rusia ka kryer sulme të përditshme me raketa dhe dronë duke vënë në shënjestër qytetet ukrainase.

Dy nga netët më aktive të sulmeve ruse kanë ndodhur gjatë javës së kaluar, duke përfshirë dhjetëra raketa dhe dronë që kanë sulmuar kryeqytetin, Kiev.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të mërkurën se një nga temat kryesore në takimin e Këshillit NATO-Ukrainë do të ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe ai i quajti bisedimet një “shenjë të rëndësishme të unitetit euro-atlantik përballë përshkallëzimit të terrorit rus”.

Të martën, zoti Kuleba u bëri thirrje aleatëve që të dërgojnë shpejt sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municionet në Ukrainë dhe t'u ofrojnë forcave ukrainase dronë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë se 300 kilometra.

Zoti Kuleba gjithashtu bëri thirrje që të miratohet përdorimi i aseteve ruse të sekuestruara për të ndihmuar Ukrainën dhe për të izoluar diplomatët rusë.

Ukraina tha të enjten se Rusia vazhdoi sulmet e saj ajrore gjatë natës me dy dronë që mbrojtja ajrore ukrainase i rrëzoi në rajonin Khmelnytskyi.

Sulmi rus përfshinte gjithashtu tre raketa që synonin qytetet Kharkiv dhe Donetsk, thanë forcat ajrore ukrainase.

Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve ‘Agence France-Presse’ dhe ‘Reuters’./VOA

Ukraina thotë se e ka goditur një njësi ushtarake ruse në Krime

Ukraina tha të enjten se ushtria e saj e ka goditur një njësi ushtarake ruse në afërsi të Jevpatorias, në Gadishullin e uzurpuar nga Rusia, Krime.

Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, i falënderoi pilotët dhe “të gjithë të cilët e planifikuan operacionin për punën e përsosur luftarake”, përmes një mesazhi në Telegram.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj e parandaluan një sulm ukrainas, por nuk i komentoi shpërthimet në Jevpatorias.

Mikhail Razvozhayev, guvernatori i vendosur nga Rusia në Sevastopol, tha se 10 raketa ukrainase “u shkatërruan mbi Gadishullin e Krimesë nga mjetet e rregullta të mbrojtjes ajrore”.

Razvozhayev gjithashtu tha se një person u lëndua nga rënia e copëzave mbi shtëpi dhe rrugë. Ekipet e shpëtimit shkuan në vendin e ngjarjes, tha ai, duke u bërë thirrje banorëve ta ruanin qetësinë.

Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë raportoi se rreth 10 shpërthime u dëgjuan në Sevastopol rreth orës 17:15 me kohë lokale.

Kievi synon ta çlirojë Krimenë, të cilën Rusia e uzurpoi dhe e aneksoi jashtëligjshëm më 20214.

Ushtria ukrainase i ka kryer një sërë sulmesh të mëdha në këtë gadishull prej se nisi lufta, përfshirë ndaj luftanijeve, zyrave të flotës ruse në Detin e Zi dhe urës e cila e lidh gadishullin me Rusinë jugore./REL

Putini u ofron nënshtetësi të huajve që luftojnë për Rusinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka shpallur të enjten një dekret i cili ua mundëson shtetasve të huaj, të cilët luftojnë për Rusinë në Ukrainë, të marrin nënshtetësi ruse për vete dhe për familjet e tyre.

Sipas dekretit, njerëzit të cilët kanë nënshkruar kontrata gjatë thirrjeve të Moskës për “operacionin e veçantë ushtarak” në Ukrainë mund të aplikojnë për pasaportë ruse për vete, për gratë e veta, për fëmijët dhe prindërit e vet.

Ata duhet patjetër të sjellin dokumente që dëshmojnë se ata janë regjistruar në ushtri për së paku një vit.

Për nënshtetësi mund të aplikojnë ata të cilët kanë nënshkruar kontrata me forcat e armatosura, apo me “formacionet e tjera ushtarake” – një përshkrim i cili mund të vlejë për grupet siç është grupi mercenar, Wagner.

Ky dekret duket se ka për qëllim t’i nxisë të huajt me përvojë ushtarake të aplikojnë për t’iu bashkuar Rusisë.

Moska nuk i bën të ditura të dhënat për numrin e të huajve që luftojnë përkrah ushtrisë së saj në Ukrainë.

Megjithatë, Reuters ka raportuar në të kaluarën se kubanët, të cilët u regjistruan në ushtrinë e saj në këmbim të bonuseve të barasvlershme me njëqindfishin e pagës mesatare të Kubës, dhe për tre afrikanë të rekrutuar nga Wagneri, prej të cilëve dy u vranë duke luftuar.

Një raport i deklasifikuar i inteligjencës amerikane ka gjetur se lufta në Ukrainë i ka kushtuar Rusisë me 315.000 trupa të vdekur dhe plagosur, apo mbi 90 për qind e trupave me të cilat e nisi konfliktin.

Rusia i thirri 300.000 ushtarë shtesë në shtator 2022 në mobilizimin e saj të parë prej Luftës së Dytë Botërore. Ka pasur raportime të vazhdueshme se ajo do ta përsërisë këtë lëvizje, mbase pas zgjedhjeve presidenciale të marsit, në të cilat Putini pritet ta vazhdojë mandatin edhe për gjashtë vjet të tjera.

Kremlini ka thënë vazhdimisht se nuk i nevojitet tjetër mobilizim, megjithatë, pasi qindra mijëra burra nënshkruan kontrata vullnetarisht vitin e kaluar për t’u bërë ushtarë profesionistë.

As Rusia e as Ukraina nuk kanë treguar cila është shkalla e humbjeve të tyre në luftën tashmë 22-mujore./REL

Lufta Ukrainë-Rusi, Uashingtoni me qëndrime të ndara për fondet për Kievin

Rusia dhe Ukraina e filluan vitin 2024 me sulme kundër njëra-tjetrës, ndërsa Kievi vazhdon përpjekjet për të çliruar zonat e marra nga forcat pushtuese të Kremlinit. Por një pjesë e madhe dramatike e konfliktit është përqendruar në Uashington, ku republikanët hezitojnë të miratojnë kërkesën urgjente të Presidentit Joe Biden për të miliarda dollarë fonde për Ukrainën .

Një fillim i zymtë i vitit 2024, ndërsa afrohet dy vjetori i fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërsa bota shënoi fillimin e vitit 2024, Moska goditi Kievin dhe Kharkivin në Ukrainë. Kievi u kundërpërgjigj, duke goditur sërish rajonin kufitar të Belgorodit në Rusi.

Por pjesa më e madhe e dramës pas këtij konflikti po shpaloset në anën tjetër të globit, në Uashington, ku udhëheqësit republikanë hezitojnë të miratojnë kërkesën e Presidentit Joe Biden për rreth 64 miliardë dollarë ndihma ushtarake dhe qeveritare për Ukrainën.

Republikanët theksojnë shqetësimet për përgjegjësinë për fondet dhe barrën që shkakton kjo ndihmë për Shtetet e Bashkuara, por Shtëpia e Bardhë thotë se koha nuk pret.

“Me gjithë ato që kam dëgjuar në disa raporte shtypi se zoti Putin befas është i gatshëm për të negociuar, ai nuk po vepron si dikush që është i gatshëm të negociojë. Ai po bën gjithçka kundër ukrainasve, dhe kjo është arsyeja se pse është kaq i rëndësishëm miratimi i kërkesës së presidentit për fonde shtesë”, thotë John Kirby, drejtor i komunikimeve strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Analistët ushtarakë thonë se situata në terren duket si një ngërç, me Ukrainën që po tregon vendosmëri të lartë kundër një armiku shumë më të madh, Rusinë.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Mark Cancian, kolonel në pension me Forcat Rezerviste të Korpusit të Marinës, aktualisht këshilltar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Pa ndihmën amerikane, aftësia ushtarake e Ukrainës do të zbehet dhe përfundimisht nuk do të jenë në gjendje t'i rezistojë sulmeve ruse. Madje tani, ndoshta nuk kanë municione dhe furnizime të mjaftueshme për të nisur një kundërofensivë. Në disa muaj, ata do ta kenë të vështirë të ndërmarrin kundërsulme. Mendoj se nga pranvera, ata do ta kenë të vështirë për të mbrojtur pozicionet. Përpjekja për ndihmën ushtarake është vendimtare për të ardhmen e konfliktit”.

Presidenti Vladimir Putin u zotua kohët e fundit se do ta vazhdojë luftën.

“Ne do të vazhdojmë. Ndoshta e keni vënë re që goditje të tilla janë ndërmarrë dhe ato do të vazhdojnë çdo ditë”.

Konflikti ka tërhequr vëmendjen botërore, ndërsa udhëheqësi i kishës katolike ka bërë thirrje për paqe. 

“Le të mos harrojmë popujt në luftë. Lufta është marrëzi dhe gjithmonë një humbje. Le te lutemi”, tha Papa.

Por analistët thonë se ajo që Ukraina ka nevojë tani janë armët./VOA

Stoltenberg zbulon datën e mbajtjes së Këshillit NATO-Ukrainë

Një takim i Këshillit NATO-Ukrainë në nivelin e ambasadorëve do të mbahet në Bruksel më 10 janar me kërkesë të Kievit, tha zëdhënësi i NATO-s, Dylan White.

"Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të thërrasë një takim të Këshillit NATO-#Ukrainë të mërkurën më 10 janar në nivel ambasadori me kërkesë të Ukrainës pas sulmeve të fundit me raketa dhe drone ruse", shkroi ai në platformën e mediave sociale X (ish Twitter).

Rusia ka nisur ditët e fundit një nga sulmet më të mëdha me raketa dhe dronë kundër Ukrainës që nga pushtimi i vendit në 24 shkurt 2022. Përballë këtyre sulmeve, Kievi po kërkon më shumë mbrojtje ajrore, raketa dhe drone nga aleatët e saj perëndimorë, raporton Tass.

Ndihma ushtarake nga Shtetet e Bashkuara është ende e bllokuar nga Kongresi amerikan për shkak të hezitimit të ligjvënësve republikanë.

SHBA-ja thotë se nuk qëndrojnë raportimet se ajo do që Ukraina të ndryshojë strategji

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka quajtur të pavërteta raportimet se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ndryshojë strategjinë e saj në luftën kundër Rusisë.

"Jo. Kjo nuk është e vërtetë," tha më 3 janar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ndryshojë strategjinë e saj.

Politico muajin e kaluar citoi një zyrtar të paidentifikuar të administratës Biden dhe një diplomat evropian të kenë thënë se zyrtarët amerikanë dhe evropianë po e zhvendosnin fokusin e tyre nga mbështetja me qëllim të fitores totale të Ukrainës, në përmirësimin e pozicionit të saj në negociatat e mundshme për t'i dhënë fund luftës.

Më 28 dhjetor 2023, Shtëpia e Bardhë e ka miratuar një tjetër ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 250 milionë dollarëve.

Në paketën e fundit përfshihen armë për mbrojtje ajrore, artileri, municion i vogël dhe armë anti-tank, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Mirëpo kjo është ndihma e fundit që mund të niset prej SHBA-së në Ukrainë, nëse Kongresi amerikan nuk miraton ndihmë shtesë.

Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit.

Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

NATO njofton blerjen e një mijë raketave “Patriot” për të mbrojtur aleatët

NATO njoftoi të mërkurën se do të ndihmonte në blerjen e deri në 1000 raketave “Patriot” në mënyrë që aleatët të mund të mbrojnë më mirë territorin e tyre ndërsa Rusia po intensifikon sulmet ajrore në Ukrainë.

Agjencia e NATO-s për Mbështetje dhe Prokurim tha se do të mbështesë një grup vendesh, duke përfshirë Gjermaninë, Holandën, Rumaninë dhe Spanjën, në blerjen e raketave “Patriot”, të cilat përdoren për t'u mbrojtur nga raketat me vetëdrejtim, raketat balistike dhe avionët e armikut.

Sipas burimeve të industrisë, kontrata për blerjen e këtyre armëve mund të jetë rreth 5.5 miliardë dollarë.

Blerja mund të ndihmojë aleatët që t’i japin Ukrainës më shumë armë nga sistemet e tyre të mbrojtjes. Agjencia e NATO-s tha se "vende të tjera pritet të përfitojnë nga kushtet e kontratës", pa dhënë hollësi të mëtejshme mbi këtë.

“Sulmet e Rusisë me raketa dhe dronë ndaj civilëve dhe qyteteve të Ukrainës tregojnë se sa e rëndësishme është mbrojtja ajrore moderne”, tha përmes një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. "Rritja e prodhimit të municioneve është thelbësor për sigurinë e Ukrainës dhe sigurinë tonë."

Si organizatë, NATO ofron vetëm mbështetje logjistike për Ukrainën, por anëtarët e saj dërgojnë armë dhe municione veç e veç ose në grupe.

Rusia ka shtuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë periudhës së Vitit të Ri dhe të premten kreu sulmin e saj ajror më të madh që nga fillimi i luftës pothuajse dyvjeçare në Ukrainë, duke vrarë të paktën 39 persona.

Dy qytetet më të mëdha të Ukrainës u goditën herët të martën nga raketat ruse, që vranë pesë njerëz dhe plagosën 130 të tjerë, thanë zyrtarët, ndërsa lufta po i afrohet përvjetorit të saj të dytë./VOA

Kirby: SHBA nuk sheh keqpërdorim të armëve nga ushtria ukrainase

Nga: A.Sh

Administrata Biden thotë se armatimi i SHBA-së i ofruar Ukrainës "po përdoret siç duhet në fushën e betejës", u tha gazetarëve më 3 janar John Kirby, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare.

"Ne nuk kemi parë asnjë tregues se ka pasur ndonjë korrupsion ose keqpërdorim në shkallë të gjerë nga ushtria ukrainase," tha Kirby.

SHBA-ja ka dhënë rreth 44.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe më shumë se 47 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga pushtimi fillestar i Rusisë në Ukrainë në 2014.

Në shtator, SHBA dërgoi personel në Kiev për të vlerësuar përdorimin e ndihmës ushtarake amerikane, sipas raportit të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA. Ekipi ka punuar në ambasadën e SHBA në Kiev për vlerësimin dhe mbikëqyrjen.

"Ne i shtuam ekspertizë dhe individë ekipit në Kiev posaçërisht për qëllime llogaridhënieje. Dhe ukrainasit e kuptojnë nevojën tonë për llogari," shpjegoi Kirby. "Ata e ndajnë këtë dhe e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm të punojnë me ne për masat e llogaridhënies për të gjitha sistemet që po ofrohen."

NYT: Ukrainasit janë të lodhur nga 'propaganda shtetërore'

Nga: A.Sh

Pasi u përshkrua si një "armë" nga Presidenti Volodymyr Zelensky, shumë ukrainas pas gati dy vitesh luftë thonë se janë lodhur nga telemaratona e mbështetur nga qeveria e transmetuar 24/7, raportoi New York Times më 3 janar.

Oksana Romaniuk, shefja e Institutit të Informacionit Masiv me bazë në Kiev, e quajti atë propagandë shtetërore, duke thënë se "Të gjithë janë të ngopur me këtë foto që thotë, Ne po fitojmë, të gjithë na pëlqejnë dhe na japin para".

Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022, ukrainasve u është shfaqur një burim i vetëm i lajmeve televizive që rrethojnë liderët politikë që mbledhin mbështetje jashtë vendit dhe trupat që shpërthejnë pozicionet ruse. Ai përmban slogane tërheqëse dhe tema që përmirësojnë humorin.

Shumica e ukrainasve e panë telemaratonën si jetike në fillim të luftës. "Ishte përmbajtje shpëtimtare," sipas Khrystyna Havryliuk, një gazetare e njohur vendase.

Por ndërsa lufta hyn në vitin e tretë, numri i ukrainasve që i besojnë Telemaratonës ka rënë ndjeshëm nga 69 për qind në maj 2022 në vetëm 43 për qind në dhjetor 2023, sipas një sondazhi nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev.

Një studim i ngjashëm zbuloi se më shumë se dy të pestat e ukrainasve mbështesin ndoshta largimin nga programi.

Importet e teknologjisë ruse nga Kina rriten 10 herë

Nga: A.Sh

Dorëzimi i makinerive të avancuara të prodhuara nga Kina, si mikroçipet, janë dhjetëfishuar që nga fillimi i vitit 2022, duke shfaqur një marrëdhënie të lulëzuar tregtare dypalëshe që ka anashkaluar kryesisht sanksionet perëndimore, raportoi FT më 3 janar.

Rusia ka nevojë për mikroçipe dhe mjete të tjera makinerish të avancuara për të prodhuar raketa, dronë dhe produkte të tjera të sofistikuara ushtarake. SHBA-ja ka kërkuar të mbysë fluksin e pajisjeve të teknologjisë së lartë në Rusi, por Kina është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të mikroçipëve, mineraleve të rralla të tokës dhe është partneri më i madh tregtar i Moskës.

“Kina dhe Rusia ndajnë të njëjtin interes politik, që është të sfidojnë dhe të përballen me SHBA-në, fakti është se Rusisë i është ndërprerë importimi i makinerive evropiane, ajo nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbështetet te Kina,” Michael Raska, një profesor asistent në Singapori. Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare S Rajaratnam, tha për FT.close

Pekini pohon se nuk ofron ndihmë vdekjeprurëse për Moskën, por dërgesat e produkteve të Kinës duke përfshirë energjinë, makineritë, mallrat e konsumit, mjetet industriale dhe makinat po forcojnë ekonominë e Rusisë përballë sanksioneve perëndimore. FMN-ja parashikon që ekonomia e Rusisë do të rritet me 1.1% në vitin 2024.

Uashingtoni heziton të përdorë sanksione financiare për të synuar kompanitë kineze që ndihmojnë Rusinë, sepse kjo mund të shkaktojë një luftë tjetër tregtare globale, sipas Emily Kilcrease, një ish-zyrtare tregtare amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat