Izraeli e Hamasi e presin ftohtë propozimin egjiptian për përfundimin e luftës

Bota

Izraeli e Hamasi e presin ftohtë propozimin egjiptian për përfundimin e luftës

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 11:46
Foto ilustrim

Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – më 25 dhjetor e pritën ftohtë një propozim të Egjiptit për t’i dhënë fund luftës. Por, armiqtë e kamotshëm nuk e refuzuan krejtësisht planin, duke rritur mundësitë për një rund të ri të diplomacisë për ndërprerjen e ofensivës shkatërruese izraelite në Rripin e Gazës.

Plani egjiptian bën thirrje për lirimin e pengjeve përmes disa fazave dhe për formimin e një qeverie palestineze, të përbërë nga ekspertët, që do të administronte Rripin e Gazës dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, sipas një zyrtari të lartë egjiptian dhe një diplomati evropian, që janë në dijeni me propozimin.

Zyrtari egjiptian, që foli në kushte anonimiteti për propozimin, tha se detajet janë punuar me shtetin e Katarit, dhe propozimi u është prezantuar qeverive të Izraelit, Shteteve të Bashkuara, shteteve evropiane dhe Hamasit. Egjipti dhe Katari ndërmjetësojnë mes Izraelit dhe Hamasit, ndërkaq SHBA-ja është aleatja më e ngushtë e Izraelit dhe një fuqi kyçe në rajon.

Kryeministri izraelit, Benjamin Nentanyahu, nuk e ka komentuar drejtpërdrejt propozimin. Por, gjatë bisedës me anëtarët e partisë së tij, Likud, ai tha se ishte i vendosur që të vazhdonte me ofensivën e Izraelit, që nisi si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 persona dhe u morën peng rreth 240 të tjerë.

“Ne do t’i zgjerojmë luftimet në ditët në vijim dhe kjo do të jetë një betejë e gjatë që nuk është afër përfundimit”, tha ai.

Hamasi ka vazhduar të gjuajë raketa brenda Izraelit, teksa luftimet po vazhdojnë. Të hënën mbrëma, grupi radikal lëshoi një breshëri raketash, duke nxitur lëshimin e sirenave për sulme ajrore në qytetin jugor izraelit Ashkelon. Sipas videove të Associated Press, sistemi mbrojtës i Izraelit shkatërroi disa raketa. Ende nuk ka raportime për dëme apo viktima nga këto sulme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat