Vriten dy ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet ruse

Bota

Vriten dy ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet ruse

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 08:43
Ligjvënësi ukrainas, Illya Kyva, anëtar i Platformës së Opozitës For-Life, në një tubim në Kiev. 9 shtator 2021.

Dy ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet ruse janë vrarë, njëri nga të shtënat në afërsi të Moskës dhe tjetri nga një bombë në makinë në Luhansk të Ukrainës-pjesë e pushtuar nga Rusia.

Burime ukrainase të zbatimit të ligjit i thanë Radios Evropa e Lirë se Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) "likuidoi" ish-deputetin ukrainas Illya Kyva duke e qëlluar për vdekje në një operacion special më 6 dhjetor.

Raportet e mediave në Rusi thanë më herët se Kyva u gjet i vdekur pranë Moskës.

Kyva ishte i njohur për qëndrimin e tij pro-rus. Në muajin nëntor, një gjykatë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, e dënoi atë në mungesë me 14 vjet burg, pasi e shpalli fajtor për tradhti të lartë.

Pasi Rusia nisi pushtimin e saj, të vazhdueshëm, të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, Kyva u transferua në Rusi ku mori pjesë në shfaqje televizive pro-Kremlinit dhe në tryeza të rrumbullakëta.

Vdekja e Oleh Popov, një ish-deputet de facto në një pjesë të rajonit të Luhanskut të Ukrainës të pushtuar nga Rusia, u raportua gjithashtu më 6 dhjetor. Popov u vra nga një mjet që shpërtheu në makinën e tij në qytetin e Luhansk.

Komiteti Hetimor tha në një deklaratë se filloi një hetim për vdekjen e Popov.

Popov kryesoi komitetin qeveritar të instaluar nga Rusia për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit, agjencitë e zbatimit të ligjit, sistemin gjyqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Yury Yorov, një anëtar i parlamentit de fakto në Luhansk, u citua nga Interfax të ketë thënë se në shtator të vitit 2022 u bë një tentativë për vrasjen e Popovit që ai tha se ishte organizuar nga SBU.

Disa shtetas ukrainas, të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet okupuese ruse, janë vënë në shënjestër vitet e fundit dhe disa prej tyre janë vrarë.

Së fundmi, një ligjvënës de fakto i asamblesë rajonale të instaluar nga Rusia në Luhansk, Mykhaylo Filiponenko, u vra muajin e kaluar në një bombë me makinë. Përgjegjësinë për atë vrasje e mori drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ukrainës.

Rusia ka akuzuar shërbimet speciale ukrainase për organizimin e atentateve. Kievi rrallë merr përgjegjësinë për sulmet.

Disa ditë përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj të vazhdueshëm, udhëheqësit separatistë të disa pjesëve të mbështetura nga Kremlini, të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut të Ukrainës i kërkuan presidentit rus Vladimir Putin të njohë pavarësinë e dy rajoneve nga Ukraina.

Ligjvënësit rusë në mesin e shkurtit 2022 gjithashtu i bënë thirrje Putinit të njohë Luhanskun dhe Donetskun- pjesët e kontrolluara nga separatistët, si shtete të pavarura dhe ratifikuan dokumentet përkatëse pasi Putini i nënshkroi ato.

Moska përdori dokumentet për të justifikuar pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës, i nisur më 24 shkurt 2022./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat