Sulm masiv me dronë ndaj Kievit

Bota

Sulm masiv me dronë ndaj Kievit

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 15:18
Një kopësht fëmijësh i dëmtuar nga dronët në Kiev (25 nëntor 2023)

Rusia kreu të shtunën sulmet më intensive me dronë ndaj Ukrainës, që nga fillimi i ofensivës ushtarake në vitin 2022. Objektivi kryesor i sulmit ishte kryeqyteti Kiev. Sipas zyrtarëve ukrainas, Rusia dërgoi 75 dronë të prodhimit iranian, shumica e të cilëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Forcat ajrore ukrainase njoftuan se 74 nga 75 dronët iranianë Shahed u shkatërruan nga mbrojtja ajrore. Sipas kryeadministratorit të Kievit, ky ishte sulmi më masiv me dronë ndaj Kievit.

Në qiejt e kryeqytetit dhe zonën përreth, mbrojtja ajrore vazhdoi të shkatërronte dronët e nisur nga forcat ruse deri në orët e para të mëngjesit. Të paktën pesë civilë u plagosën dhe godina të shumta u dëmtuan nga rrëzimi i dronëve, ndër to edhe një kopsht fëmijësh.

Image
Ukraine

“E rrëzuan dhe ra mbi kopshtin. Pati një shpërthim të madh. U prishën dritaret këtu në katin tonë dhe zjarri ra brenda në korridor. Arritëm të iknim me fëmijën. Falë Zotit jemi gjallë. Siç e shikoni, shumë apartamente u dëmtuan dhe njerëzit janë të tronditur”, thotë banorja 34-vjeçare Tetiana.

Në rajonin Solomiansky, në oborrin e një kompleksi pallatesh mbeti një krater i hapur nga shpërthimet dhe godinat mbetën me dritare dhe ballkonë të shkatërruar.

Image
Ukraine

“Gjithçka u prish këtu... E shikoni se ç’kanë bërë?...”, thotë 55-vjeçarja Svitlana ndërsa pastron pjesët e shkatërruara nga shpërthimet.

Banorët, pjesa më e madhe të moshuar, morën ndihmë mjekësore dhe shumë prej tyre u strehuan në një stacion të nëndheshëm treni aty pranë. Një nënë ukrainase thotë se kanë qëndruar gjatë nëntokë.

“Kemi qëndruar këtu që nga ora 3 e mëngjesit. Pra, kemi rreth pesë orë e gjysëm këtu”, thotë ajo.

Njerëzit vazhduan të pastronin mbetjet dhe xhamat e thyer, ndërsa në sfond dëgjohej gumëzhima e valës së radhës të dronëve që afroheshin.

Sulmi ndaj Kievit filloi në orën 4 të mëngjesit dhe vazhdoi për gati gjashtë orë. Rryma elektrike u ndërpre në 77 komplekse apartamentesh dhe 120 godina të institucioneve.

Sipas Ministrisë ukrainase të Energjitikës rreth 17 mijë persona mbetën pa energji në rajonin e Kievit dhe se rryma u arrit të rikthehet pasdite.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkruajti në rrjetin Telegram se “ushtarët tanë rrëzuan pjesën më të madhe të dronëve, por fatkeqësisht jo të gjithë”.

“Do të vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen tonë ajrore”, tha ai.

Sulmi u bë në mëngjesin e Ditës Përkujtimore të Holodomorit, kur Bashkimi Sovjetik shkaktoi zinë e bukës në Ukrainë ku humbën jetën miliona njerëz gjatë periudhës 1932-1933.

Krahas kryeqytetit Kiev, u sulmuan edhe rajonet Sumy, Dnipropetrovsk, Zaporizhia, Mykolaiv dhe Kirovohrad.

Ndërkaq bombardimet me artileri vranë të shtunën një person dhe plagosën tre të tjerë në rajonin jugor Kherson. Sipas Guvernatorit Oleksandr Prokudin, ky rajon është bombarduar mbi 100 herë gjatë 24 orëve të fundit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat