Gjermania zbulon Afrikën - Kancelari Scholz në Nigeri

Bota

Gjermania zbulon Afrikën - Kancelari Scholz në Nigeri

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 12:54
Kancelari Scholz dhe presidenti Akufo-Addo

Afrika është bërë një pikë tërheqëse strategjike e ekonomike për Gjermaninë. Ekonomia më e madhe e Evropës dëshiron të ndërtojë lidhje më të forta me këtë kontinent. Në këtë kontekst shikohet edhe vizita e Scholzit atje.

Vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Nigeri dhe Gana, në Afrikën Perëndimore, që është udhëtimi i tij i tretë në Afrikë në dy vitet e fundit, kishte për qëllim thellimin e lidhjeve ekonomike midis Gjermanisë dhe dy vendeve afrikane. Nigeria ka probleme të brendshme ekonomike, sepse vlera e prodhimit të saj ka rënë në 477 miliardë dollarë në vitin 2022, nga 546 miliardë dollarë sa ishte në vitin 2015.

Gjatë bisedimeve dypalëshe, presidenti i Nigerisë Bola Tinubu, joshi investitorët në sektorin e minierave të vendit, një sektor që ka mbetur i pazhvilluar për dekada të tëra. Ai foli gjatë takimeve me kancelarin gjerman edhe për potencialin e eksportit të gazit në Evropë.

"Mundësia e sektorit të energjisë për të lehtësuar dërgimin e gazit të lëngshëm në Evropë është diskutuar edhe më parë. Ne kemi shikuar këto mundësi," tha Tinubu.

Kompanitë gjermane synojnë të nxisin aktivitetet e tyre në Afrikë, veçanërisht në fusha të tilla si hidrogjeni i gjelbër dhe gazi natyror i lëngshëm. Anëtarët e Shoqatës Gjermane të Biznesit Afrikan sinjalizuan gatishmërinë e tyre për investime në Afrikë.

Rritja e investimeve në Afrikë

Kancelari Scholz foli po ashtu për rëndësinë e këtij kontinenti dhe investimeve atje. Një fushë kyçe për investimet është sektori i energjisë. Scholz tha në Nigeri se një nga pjesët kryesore të bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Nigerisë do të ishte "përdorimi i mundësive ekonomike të vendit tuaj". Ndër mundësitë e mira ai përmendi "gazin dhe naftën, të cilat janë të lidhura tradicionalisht me vendin tuaj."

Image
Olaf Scholz me presidentin nigerian Bola Ahmed Tinubu në konferencë shtypi

Si ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania ka kërkuar të zvogëlojë varësinë e saj nga Rusia për gaz, pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, në shkurt 2022. Ajo e sheh sektorin e energjisë në Afrikë si një alternativë të mundshme për bashkëpunim.

Në Ganë, ekonomia e dytë më e madhe e Afrikës Perëndimore, diskutimet e kancelarit Scholz me presidenten Nana Akufo Addo u fokusuan në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike në fushat e energjisë, bujqësisë dhe digjitalizimit.

Eksportet e Gjermanisë në Ganë në vitin 2022 ishin 314,77 milionë dollarë. Ekspertët besojnë se atje ka një potencial për rritjen e vëllimit të tregtisë mes dy vendeve në vitet e ardhshme. Disa analistë e konsiderojnë Gjermaninë si mbështetësen kryesore të Bashkimit Afrikan. Një arsye për këtë është puna e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), e cila ka disa programe ekonomike në fuqi në të gjithë kontinentin afrikan.

Gjurmët e ndihmave gjermane në Afrikë

Analisti i çështjeve afrikane, Emmanuel Bensah tha për DW se vizita e Scholz do të forcojë investimet dhe do t'i mundësojë Gjermanisë të mbajë këtë lloj ndikimi në Afrikë. "Unë mendoj se ne të gjithë e dimë se sa shumë GIZ gjatë dhjetë viteve të fundit e më shumë ka mbështetur shumë aktivitete të Bashkimit Afrikan, ECOWAS dhe shumë prej institucioneve të rajonit," tha ai.

Ai shtoi se takimi i Scholz me liderët e Ganës dhe Nigerisë, duhet t'i mundësojë atij të vlerësojë ndikimin që programe të tilla kanë te njerëzit e vërtetë. Gjermania ka shprehur gjithashtu mbështetjen e saj për demokracinë në Afrikë. Scholz e ka thënë këtë gjatë vizitës së tij në sekretariatin ECOWAS (Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore), ku ai shprehu shqetësimet për numrin e madh të grushteve të shtetit në të gjithë Afrikën.

Paul Ejime, një analist i çështjeve ndërkombëtare me bazë në Nigeri, shpjegoi rëndësinë e qëndrueshmërisë për investime. "Asnjë vend nuk do të shkonte dhe nuk do t'i hidhte paratë në ndonjë vend ku nuk ka qëndrueshmëri, sepse stabiliteti është me rëndësi për realizimin e interesave të investitorëve”.

Nisma e Gjermanisë "Kompakti me Afrikën" ka qenë një prej aspekteve kryesore në marrëdhëniet e saj me këtë kontinent. Fokusi i nismës është mbështetja e migracionit dhe ndihma për riintegrim, për afrikanët që dëshirojnë të kthehen nga Gjermania dhe Evropa në vendet e tyre. Gjermania kohët e fundit po reformon politikën ndaj migracionit dhe tani shpreson të tërheqë fuqi punëtore të re të kualifikuar nga ky kontinent. "Unë mendoj se është një ide e shkëlqyer, një mundësi e shkëlqyer për këto dy vende në Afrikën Perëndimore, që të kenë një mbështetës të madh të sinergjive dhe institucioneve nga vendet si Gjermania," tha Bensah.

Image
Olaf Scholz pritet me nderime ushtarake në Abuja

Përpara takimit të 20 nëntorit të Afrikës dhe vendeve të G20 në Berlin, Scholz dëshiron të dërgojë sinjale pozitive në të gjithë kontinentin me vizitën e tij në Afrikë.

Roli i Afrikës

Një nga pikat kryesore të vizitës së tij në Ganë ishte takimi me studentët e Universitetit Ashesi në pjesën lindore të vendit. Bisedimet u fokusuan në potencialin e Afrikës dhe rolin e të rinjve në këtë kontinent. Një nga studentët, Valeria Ackon, i tha kancelarit: "Ndërsa ne vazhdojmë të diskutojmë për të ardhmen e Afrikës, unë do të doja një rol më të rëndësishëm të Gjermanisë në këtë. Fuqitë e jashtme harrojnë se në këtë kontinent ka zgjidhje të ndryshme dhe ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar nga Perëndimi. Idetë ekzistojnë, ndërsa tani duhet të shikohen mundësitë për zbatimin e tyre."

Kancelari u pajtua me këtë dhe mbështeti angazhimin që Afrika të zotërojë me kapacitetet e veta. Scholz tha se pika më e rëndësishme nga bisedat e tij me studentët ishte se "me talentin dhe teknikat që po zhvilloni në Afrikë, shumë gjëra mund të arrini t'i bëni vetë."/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat