SHBA dhe Kina me qasje të ndryshme ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme

Bota

SHBA dhe Kina me qasje të ndryshme ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 22:11
Foto nga takimi

Kina do të vazhdojë të mbështesë "të gjitha përpjekjet për nxitjen e dialogut" për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit në Lindjen e Mesme, mes tensioneve që po përshkallëzohen, tha Ministria e Jashtme kineze.

Në konferencën e rregullt për shtyp më 23 tetor, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning tha: "Ndërsa flasim për përshkallëzim të konfliktit palestinezo-izraelit, situata në Gazë është shumë e rëndë dhe konflikti i armatosur po përhapet në rajon".

“Të gjitha palët duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe atë humanitar, të mbrojnë civilët dhe të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shmangur një tragjedi humanitare edhe më të rëndë.”

Ajo shtoi se nevojat humanitare duhet të plotësohen.

“Kina do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për nxitjen e dialogut dhe rivendosjen e paqes dhe do të japë kontributin e saj për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze.”

Komentet e saj theksuan dallimet midis Uashingtonit dhe Pekinit mbi luftën Izrael-Hamas, për të cilin analistët druhen se do të nxisë më tej tensionet midis dy superfuqive.

Presidenti Joe Biden u tha amerikanëve më 19 tetor në një fjalim të drejtpërdrejtë televiziv se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin mbështetjen për Ukrainën dhe Izraelin.

"Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk paguajnë një çmim për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk paguajnë një çmim për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos dhe vdekje dhe më shumë shkatërrim", tha Presidenti Biden. “Nëse ata vazhdojnë me këtë, edhe kostoja dhe kërcënimi për Amerikën dhe botën do të vazhdojë të rritet”.

Ndërmjetësimi nga Kina në mars i marrëveshjes që çoi në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Iranit dhe Arabisë Saudite, të cilat ishin ndërprerë që nga viti 2016, u pa si një shenjë e fuqisë politike të Pekinit në Lindjen e Mesme.

I dërguari i Kinës për çështjet e Lindjes së Mesme, Zhai Jun, u dërgua nga Pekini në rajon për të ndërmjetësuar midis Izraelit dhe Hamasit. Ai u takua me ministrin e Jashtëm të Katarit Al-Huraifi në Doha më 19 tetor dhe mori pjesë në Takimin e Paqes në Kajro të Egjiptit, në të cilin nuk ishin të pranishëm Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Takimi përfundoi më 21 tetor pa një marrëvesheje mbi hapat për të frenuar përhapjen e dhunës në rajon.

Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme, i tha Zërit të Amerikës se qëndrimi i Pekinit ndaj Hamasit ka të bëjë më shumë me konkurrencën kineze për ndikim global me Shtetet e Bashkuara sesa me vetë çështjen palestineze.

"Unë mendoj se Kina e sheh qartë këtë si një moment të vështirë për Shtetet e Bashkuara. Kina dëshiron të ofrojë një qasje të ndryshme, ku ajo do të shihej si palë e drejtë dhe do të përpiqet ta paraqesë Amerikën si një palë me qasje të padrejtë", thotë analisti Alex Vatanka.

Guy Laron, profesor në fakultetin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit, i tha Zërit të Amerikës se nuk është optimist për përpjekjet e Kinës si ndërmjetësuese në Lindjen e Mesme.

Ai tha në një diskutim në internet të organizuar nga Qendra Wilson më 18 tetor se "Kina ka qenë një kalorës i lirë në Lindjen e Mesme, duke përfituar nga fakti që Shtetet e Bashkuara kanë siguruar lirinë e lundrimit në Gjirin Persik dhe do të të eksplorojë mundësitë për të investuar kudo që të mundet, por nuk mendoj se mund të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si fuqia kryesore në Gjirin Persik, dhe mendoj se kjo është gjëja kryesore dhe mendoj se edhe vendet në Gjirin Persik e kuptojnë shumë mirë këtë. "

Duke folur pas një takimi më 19 tetor në Katar me përfaqësuesin special të presidentit rus për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, Mikhail Bogdanov, zoti Zhai tha: "Arsyeja themelore për situatën aktuale në konfliktin Palestinë-Izrael është se e drejta e ligjshme e popullit palestinez për të patur një shtet të tyre nuk është garantuar”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të premten nga ministria e jashtme kineze.

Kina njohu shtetin e Palestinës në vitin 1988 dhe vendosi lidhje diplomatike me Izraelin në vitin 1992.

David Hale, ish-i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, i tha Zërit të Amerikës se "Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të duken se kanë interesa të përbashkëta për stabilitetin në Lindjen e Mesme, por pikëpamjet e tyre për stabilitetin janë të ndryshme. Përveç stabilitetit, ata duan edhe kontroll të rrugëve të furnizimit me energji dhe mendoj se ky do të jetë drejtimi i politikës së tyre të ardhshme. Në aspektin afatgjatë, kjo nuk është një situatë e qëndrueshme për vendet e tjera të botës."

Tuvia Gering, studiuese e marrëdhënieve Izrael Kinë në Institutin e Sigurisë Kombëtare, i tha Zërit të Amerikës se kritikat e Kinës ndaj Izraelit dhe mbështetja për një shtet palestinez pasqyrojnë përpjekjet e saj për të krijuar marrëdhënie të favorshme me vendet myslimane dhe për të mbushur atë që Pekini e sheh si boshëllëk të krijuar nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Lindja e Mesme.

Kina ka kontrata afatgjata të furnizimit me naftë me Iranin, një nga mbështetësit kryesorë të Hamasit, grupit të armatosur që sulmoi Izraelin më 7 tetor. Importet e naftës nga Irani janë trefishuar në dy vitet e fundit në Kinë. Rreth 87 për qind e totalit të eksporteve të naftës iraniane në shtator kanë përfunduar në Kinë.

Dalia Dassa Kaye, studiese në Institutin Ndërkombëtar të Universitetit të Kalifornisë në Los Angjelos, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund të bashkëpunojnë në stabilizimin e Lindjes së Mesme për shkak të një shqetësimi të përbashkët për çmimet e naftës.

“Kina nuk është e interesuar për paqëndrueshmëri globale në këtë rajon, sepse kjo do të shkaktonte rritjen e çmimit të naftës”, thotë ajo. "Edhe Shtetet e Bashkuara nuk e duan këtë për shkak të luftës në Ukrainë, e cila ka qenë tashmë e vështirë për Shtetet e Bashkuara dhe për Evropën, për aleancën perëndimore, për NATO-n. Pra, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë një interes të përbashkët për të qetësuar rajonin”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat