UNICEF: Mesdheu është kthyer në një varrezë për fëmijët, mbytja e emigrantëve është trefishuar këtë vit

Bota

UNICEF: Mesdheu është kthyer në një varrezë për fëmijët, mbytja e emigrantëve është trefishuar këtë vit

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 17:58
Foto ilustrim

Tre herë më shumë emigrantë vdiqën ose u zhdukën këtë verë duke u përpjekur të kalonin Mesdheun sesa në vitin 2022, sipas UNICEF.

Nga qershori deri në gusht të paktën 990 njerëz u mbytën në Mesdheun qendror, rruga më e rrezikshme e migrimit në botë, e cila lidh Afrikën e Veriut me Evropën. Ky numër është tre herë më shumë se 334 emigrantë që vdiqën në të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas raportit të agjencisë së OKB-së.

Megjithëse numri i përgjithshëm i fëmijëve që vdiqën në Mesdhe nuk është regjistruar qartë, UNICEF regjistroi rreth një duzinë çdo javë në korrik.

Sipas të dhënave, 11,600 “të mitur të pashoqëruar” u përpoqën të arrinin në Itali nga janari deri në mes të shtatorit 2023 me anije, 60% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (7,200), tha agjencia.

Mesdheu është kthyer në një varrezë për fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Numri tragjik i vdekjeve të fëmijëve që kërkojnë azil dhe siguri në Evropë është rezultat i zgjedhjeve politike dhe një sistemi joadekuat të migrimit”, tha Regina De Dominicis, përgjegjëse për këtë çështje në UNICEF.

Në total, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) njoftoi dje, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit kushtuar krizës mesdhetare, se 2500 emigrantë kanë humbur jetën ose janë zhdukur nga 1 janari deri më 24 shtator 2023, një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përcaktimi i moshës

Skenat që nga mbërritja e mijëra emigrantëve në ishullin e vogël italian të Lampedusa në mes të shtatorit sollën në plan të parë çështjen e bashkëpunimit evropian për menaxhimin e flukseve të migracionit.

Me 8,500 njerëz të zbarkuar në tre ditë në ishull, një numër më i madh se popullsia e Lampedusa, ardhjet e emigrantëve ndezën një krizë në ishull dhe një stuhi politike në Itali, e cila miratoi masa më të rrepta.

Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e udhëhequr nga një koalicion i krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë, miratoi të mërkurën mbrëma një projekt-dekret që hap rrugën për të miturit e pashoqëruar mbi 16 vjeç për t’u strehuar në ambiente të rriturish. Njëkohësisht, parashikon kryerjen e kontrolleve mjekësore për përcaktimin e moshës së të miturve.

Drafti, i cili nuk është miratuar nga parlamenti, ku koalicioni qeverisës ka shumicën absolute, parashikon që të miturit e pashoqëruar t’i nënshtrohen radiografisë për të përcaktuar moshën e tyre.

“Emigrantët nuk do të jetë më e mundur që të gënjejnë për moshën e tyre reale, për të shmangur deportimin e mundshëm”, ka shkruar Meloni në Facebook. Kjo është një masë “shqetësuese”, vlerësoi Andrea Iacomini, përfaqësues i UNICEF-it në Itali.

Situata në Mesdhe riktheu debatin në Bruksel për reformën e sistemit të azilit të 27 vendeve anëtare të BE-së. Drafti i reformës në shqyrtim parashikon kryesisht forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së, por edhe një mekanizëm solidariteti ndërmjet vendeve anëtare.

Në të njëjtën kohë, liderët e nëntë vendeve anëtare mesdhetare të Bashkimit Evropian do të takohen sot në Valetta të Maltës, për të koordinuar qëndrimet e tyre, kryesisht për çështjen e emigracionit.

“Përshtatja e një përgjigjeje në nivel evropian për të mbështetur fëmijët dhe familjet është absolutisht e nevojshme në mënyrë që fëmijët e tjerë të mos vuajnë”, theksoi De Dominicis.

Sipas UNICEF-it, “lufta, konflikti, dhuna dhe varfëria” i shtyjnë fëmijët të largohen vetë nga vendet e tyre të origjinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat