Valë shkarkimesh pas korrupsionit në ushtrinë ukrainase

Bota

Valë shkarkimesh pas korrupsionit në ushtrinë ukrainase

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 12:41
Pamje e një zyre rekrutimi

Pas kontrolleve në të gjithë vendin në Ukrainë do të zëvendësohen të gjithë drejtuesit e zyrave rajonale të rekrutimit.

“Po shkarkojmë të gjithë komisarët ushtarakë rajonalë. Ky sistem duhet të drejtohet nga njerëz që e dinë me saktësi, se çfarë është lufta dhe pse cinizmi dhe korrupsioni në luftë paraqesin tradhti. Atyre luftëtarëve që ishin në front ose nuk mund të jenë më në llogore, për shkak se janë plagosur apo kanë humbur gjymtyrë, por kanë ruajtur dinjitetin dhe nuk janë cinikë, atyre mund t’ua besosh sistemin e rekrutimit”, u shpreh presidenti Volodymyr Zelensky, pas takimit të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare.

Ky vendim u parapri nga një kontroll i zyrave rajonale të rekrutimit të ushtrisë ukrainase, raporton dw.

Sipas të dhënave hetimore të Zyrës Shtetërore të Hetimit janë hapur 112 procese hetimore kundër përfaqësuesve të këtyre zyrave, 33 raste janë nën dyshimin e korrupsionit, 15 persona janë akuzuar.

Javët e fundit Ukraina është tronditur nga disa skandale, ku të përfshirë kanë qenë drejtues të zyrave të rekrutimit. Kështu ish-komisari ushtarak i Odesas, Jevhen Borisov akuzohet, për pasurim ilegal në vlera milionëshe dhe shkelje të ligjeve të detyrimit ushtarak. Gazetarët kanë zbuluar, se të afërm të Borisov që nga fillimi i luftës në Ukrainë kanë blerë pasuri të patundshme në Spanjë dhe vetura të shtrenjta. Pas publikimeve, Borisovi u shkarkua nga detyra, u arrestua dhe ndodhet në proces.

Ndërsa në një kontroll tjetër doli, se komisari ushtarak i rajonit të Transkarpateve kishte angazhuar ushtarët për ndërtimin e shtëpisë së tij. Në Rivne, drejtuesi i një zyre rajonale kishte keqtrajtuar vartësit.

Po ashtu u arrestua edhe drejtuesi i një zyre rajonale në Donetsk. Sipas hetimeve, rekrutët e kësaj zyre paraqiteshin sikur i bashkangjiteshin një brigade luftimesh, por realisht ata nuk kishin marrë pjesë asnjëherë në luftime dhe vazhdonin të merrnin pagën e caktuar. Në zyra rekrutimi në Kiev dhe 10 rajone të tjera u zbuluan raste, ku shiteshin raporte mjekësore për paaftësi në shërbim ushtarak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat