Shtetet me shumicë myslimane të zemëruara për përdhosjen e Kuranit në Suedi

Bota

Shtetet me shumicë myslimane të zemëruara për përdhosjen e Kuranit në Suedi

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 18:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Shtete me shumicë myslimane po vazhdojnë të shprehin zemërimin e tyre për përdhosjen e Kuranit në Suedi. Disa kanë organizuar demonstrata pas lutjeve të së premtes.

Në Iran, Irak, Liban, protestuesit kanë planifikuar demonstrata, pasi policia suedeze lejoi një protestë të enjten, në të cilën një i krishterë irakian, që jeton në Stokholm dhe që tani e quan veten si ateist, shkelmoi dhe shkeli mbi Kuranin, librin e shenjtë të fesë islame, para ambasadës irakiane. Disa orë para kësaj ngjarjeje, demonstruesit në Bagdad hynë me forcë në ambasadën suedeze, duke ndezur zjarr brenda, për të shprehur zemërimin e tyre.

Kryeministri irakian, Mohammed Shia al-Sudani urdhëroi dëbimin e ambasadorit suedez nga Iraku dhe tërheqjen e të ngarkuarit me punë irakian nga Suedia. Por një gjest i tillë mund të mos mjaftojë për të qetësuar gjakrat e të zemëruarve dhe një protestë tjetër është planifikuar të mbahet të premten pasdite.

E drejta për të protestuar është e garantuar në Kushtetutën e Suedisë. Ligjet e blasfemisë u hoqën në vitet ‘70. Policia zakonisht i lejon protestat bazuar në shkallën e rrezikshmërisë që ato paraqesin për sigurinë. Për myslimanët, djegia apo çfarëdo lloj abuzimi me Kuranin, paraqet përdhosje të librit të shenjtë të fesë së tyre.

Ndonëse nuk tregoi shenja se do të tërhiqet nga vendimi për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Suedinë, Sudani të premten u bëri thirrje protestuesve irakianë, “të identifikojnë dhe të frenojnë individët problematikë, që tentojnë të devijojnë protestat nga natyra e tyre paqësore dhe e garantuar me kushtetutë”, si dhe forcave të sigurisë “të ruajnë pronën publike dhe private.”

Të enjten, agjencia shtetërore e lajmeve irakiane njoftoi se 20 individë janë arrestuar në lidhje me sulmin ndaj ambasadës suedeze. Në mesin e të arrestuarve ishin një fotograf i agjencisë së lajmeve The Associated Press dhe dy punëtorë të agjencisë së lajmeve Reuters, që po mbulonin protestën. Gazetarët e ndaluar u liruan pas disa orësh pa akuza, pas një urdhëri nga zyra e kryeministrit.

Në Iran, demonstruesit gjithashtu po planifikojnë protesta. Ministri i jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për përdhosjen e Kuranit dhe thirri ambasadorin suedez.

“E konsiderojmë qeverinë suedeze përgjegjëse për provokimin e reagimeve nga myslimanët e botës,” deklaroi Nasser Kanaani, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Protestuesi irakian në Stokholm fshiu këmbët më fotografinë e Udhëheqësit Ssuprem të Iranit, Ajatollah Ali Kamenei dhe bëri një gjest të ngjajshme edhe me fotografinë e klerikut shiit irakian, Muktada al-Sadër, udhëheqës me ndikim në Irak.

Grupi militant shiit libanez Hezbolla gjithashtu bëri thirrje për protesta të premten pasdite. Khamenei dhe teokracia e Iranit janë mbështetësit kryesorë të Hezbollahut. Përmes një fjalimi me video të enjten mbrëma, udhëheqësi i Hezbolla Hasan Nasrallah, u bëri thirrje myslimanëve të kërkojnë nga qeveritë e tyre të dëbojnë ambasadorët e Suedisë.

“I ftoj vëllezërit dhe motrat në të gjitha lagjet dhe fshatrat të shkojnë në të gjitha xhamitë, të marrin me vete Kuranin dhe të ulen mbi të dhe të kërkojnë nga shteti të mbajë qëndrim ndaj Suedisë,” deklaroi zoti Nasrallah, sipas agjencisë libaneze të lajmeve.

Të premten “e gjithë bota duhet të shoh se si ne e përqafojmë Kuranin tonë dhe e gjithë bota duhet të shoh se si e mbrojmë Kuranin tonë me gjakun tonë.”

Arabia Saudite dhe Katari, dy shtete të Gjirit të drejtuara nga udhëheqës të besimit suni, thirrën diplomatët suedezë për të dënuar përdhosjen e Kuranit. Ministria e jashtme e Turqisë po ashtu e kritikoi ngjarjen.

Në Pakistan, Kryeministri Shehbaz Sharif i dënoi ashpër zhvillimet në Suedi. Ai i bëri thirrje Organizatës Islamike për Bashkëpunim të luajë “rol historik në përfaqësimin e ndjenjave të myslimanëve dhe t’i japë fund këtij demonizimi.” Ndërkohë, islamistët në Pakistan po i bëjnë presion zotit Sharif, i cili është në prag të zgjedhjeve, të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Suedinë.

Të enjten në mëngjes, protestuesit në Bagdad pushtuan Ambasadën Suedeze për disa ora dhe ndezën një zjarr të vogël brenda saj. Personeli i ambasadës ishte evakuuar nga ndërtesa një ditë më herët. Pasi protesuesit u larguan nga ambasada, diplomatët e mbyllën atë pa ofruar sqarim se kur do të hapet.

Kjo është përdhosja e dytë e Kuranit nga një i krishter irakian në Suedi, i identifikuar si Saluan Momika. Muajin e kaluar, një burrë i identifikuar nga mediat lokale dhe rrjetet e tij sociale si Momika, dogji Kuranin pranë një xhamie në Stokholm gjatë festës myslimane të Bajramit, që nxiti dënim të gjerë në tërë botën myslimane.

Në të kaluarën, djegia e Kuranit ka nxitur protesta në tërë botën myslimane. Disa prej tyre u shndërruan në protesta të dhunshme. Në Afganistan, Talibani pezulloi të gjitha aktivitetet e organizatave suedeze në vend, si reagim ndaj djegies së fundit të Kuranit.

Një protestë e ngjajshme nga një aktivist i krahut të djathtë ekstrem para ambasadës turke në fillim të këtij viti, komplikoi përpjekjet e Suedisë për të bindur Turqinë që të lejonte anëtarësimin e saj në NATO.

Në qershor, përkrahësit e klerikut al-Sadër sulmuan Ambasadën e Suedisë në Bagdad në shenjë proteste për djegien e Kuranit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat