Britania, sanksione të reja ndaj Rusisë lidhur me zhvendosjen e fëmijëve ukrainas

Bota

Britania, sanksione të reja ndaj Rusisë lidhur me zhvendosjen e fëmijëve ukrainas

Më: 17 korrik 2023 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Qeveria britanike tha të hënën se kishte vendosur sanksione të reja ndaj personave rusë, mes së cilëve ndaj ministrit rus të arsimit Sergey Kravtsov, lidhur me zhvendosjen e detyruar të fëmijëve ukrainas në Rusi.

Britania vendosi sanksione të reja ndaj 14 personave në përgjigje të “përpjekjeve të Rusisë për të shkatërruar identitetin kombëtar ukrainas”, 11 prej të cilave tha se ishin të lidhura me zhvendosjen me forcë të fëmijëve.

Atyre do t’u ngrihen pronat dhe do t’u ndalohet udhëtimi.

“Ne shohim në planin e tij të frikshëm për zhvendosjen e detyruar të fëmijëve dhe propagandën e mbushur me urrejtje të shpërndarë nga lakejtë e tij, qëllimin e vërtetë të (Presidentit rus Vladimir) Putin: fshirjen nga harta të Ukrainës”, shprehet në një deklaratë Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly.

“Sanksionet e sotme vënë para përgjegjësisë ata që mbështesin regjimin e Putinit, përfshirë ata që duan të shohin shkatërrimin e Ukrainës, shpërbërjen e identitetit të saj kombëtar dhe zhdukjen e së ardhmes së saj”.

Ambasada e Rusisë në Britani i quajti sanksionet e reja “ligjërisht të pavlefshme dhe kategorikisht të papranueshme”, siç njoftuan mediat shtetërore ruse. Ambasada nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Muajin e kaluar BE-ja shpalli një paketë sanksionesh, përfshirë ndaj personave përgjegjës për “transferimet dhe zhvendosjet e detyruara të fëmijëve ukrainas dhe personave përgjegjës për grabitjen e trashëgimisë kulturore të Ukrainës”.

Në qershor 2022, Britania sanksionoi gjithashtu komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Belova për transferimin dhe birësimin e detyruar të fëmijëve ukrainas. Britania thotë se shumë nga fëmijët janë dërguar në kampe riedukimi, ku janë “të ekspozuar ndaj edukimit akademik, kulturor, patriotik dhe ushtarak që ka në qendër Rusinë”.

Në fillim të këtij muaji Rusia tha se kishte marrë rreth 700,000 fëmijë nga zonat e konfliktit në Ukrainë në territorin rus për mbrojtjen e tyre.

Ukraina ka arritur të kthejë disa prej tyre, por thotë se shumë prej tyre konsiderohen të zhvendosur në mënyrë të paligjshme, pa lejen e prindërve të tyre apo autoriteteve ukrainase.

Mes të sanksionuarve të së hënës nga Britania ishte edhe ministrja ruse e kulturës Olga Lyubimova “për shpërdorimin e pozicionit të saj për të mbështetur politikat e dëmshme anti-ukrainase të shtetit rus”, si edhe ish-prezantuesi i televizionit “Russia Today”, Anton Krasovsky për përhapjen e “propagandës për të nxitur dhunë dhe urrejtje ndaj Ukrainës”. “/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat