Pas komenteve shqetësuese për Nikki Haley-n, CNN merr masë ndaj gazetarit Don Lemon

Bota

Pas komenteve shqetësuese për Nikki Haley-n, CNN merr masë ndaj gazetarit Don Lemon

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 06:10
Don Lemon

Prezantuesi i rrjetit televiziv CNN Don Lemon do të rikthehet në punë të mërkurën dhe do t'i nënshtrohet një procesi zyrtar kualifikimi, pas komenteve të tij të bëra në transmetim në lidhje me kandidaten republikane për presidente Nikki Haley. Lajmi u njoftua nga drejtori ekzekutiv i rrjetit Chris Licht, në një email drejtuar punonjësve të hënën në mbrëmje.

Letra, siguruar nga agjencia ‘Associated Press’, nuk specifikonte llojin e trajnimit të cilit do t’i nënshtrohej prezantuesi televiziv. Zoti Licht shtonte se ishte e rëndësishme për të që rrjeti “të balanconte llogaridhënien me nxitjen e një kulture në të cilën njerëzit mund të mësojnë dhe të rriten nga gabimet e tyre”.

Don Lemon nuk ka qenë në transmetim që prej ditës së enjte të javës së kaluar, kur gjatë emisionit të mëngjesit në CNN, tha se 51-vjeçarja Nikki Haley nuk ishte "në kulmin e saj".

Zoti Lemon dhe prezantueset e tjera të emisionit, Poppy Harlow dhe Kaitlan Collins ishin duke diskutuar rreth deklaratave të zonjës Haley, sipas së cilës politikanët mbi 75 vjeç t'i nënshtroheshin ekzaminimeve të detyrueshme mbi aftësitë e tyre mendore.

"Nikki Haley nuk është në kulmin e saj, më vjen keq", tha zoti Lemon në transmetim, duke shpjeguar se pse ai nuk ndihej rehat me çështjen e diskutimit të moshës. Ai tha se një grua konsiderohet të jetë në kulmin e saj kur është në të 20-at, 30-at dhe ndoshta të 40-at, dhe se zonja Haley është 51 vjeç.

Ai u sfidua nga bashkëprezantuesja e emisionit Poppy Harlow, që kërkoi që ai të sqaronte se çfarë po përpiqej të thoshte me këtë komente: “Mendoj se ne duhet ta sqarojmë nëse e ke fjalën për mundësinë për të lindur fëmijë apo po flet mbi mundësinë për të qenë president?”.

"Mos u përpiq të më kundërvihesh mua sepse thashë disa të vërteta të hidhura, thjesht po them se cilat janë faktet", u përgjigj me tej Don Lemon. Ai e solli sërish këtë temë në vëmendje një orë më vonë, por u kundërshtua nga komentatorja Audie Cornish.

"Ajo është në kulmin e saj për të kandiduar për këtë post", tha zonja Cornish për zonjën Haley. “Të jesh në kulmin e karrierës politike, për këtë po flasim”, shtoi ajo.

Po atë ditë zoti Lemon lëshoi një deklaratë duke thënë se i vinte keq për komentet e tij, të cilat u kritikuan gjerësisht. Vetë zonja Haley i quajti ato seksiste si dhe e përdori rastin për të mbledhur fonde.

Sipas gazetës ‘The New York Times’, zoti Licht e kishte kritikuar zotin Lemon gjatë një telefonate me personelin të premten, duke thënë se komentet e tij ishin "shqetësuese, të papranueshme dhe të padrejta" dhe një "shpërqendrim i madh". Sikurse njoftoi CNN-i, zoti Lemon u shfaq në takim dhe u kërkoi falje kolegëve.

"U ula me Donin dhe pata një bisedë të sinqertë e kuptimplotë me të", shkruante zoti Licht në deklaratën e së hënës në mbrëmje. “Ai ka pranuar të marrë pjesë në kualifikime formale, si dhe që të vazhdojë të dëgjojë e të mësojë. Ne e kemi marrë këtë situatë shumë seriozisht”, shtonte ai më tej. Prezantuesja Poppy Harlow tha në hyrje të emisionit të mëngjesit të ditës së martë se kolegu i saj, Don Lemon, do të kthehej të nesërmen./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat