Njerëzit mobilizohen mes kritikave për reagimin e ngadaltë të qeverisë turke

Bota

Njerëzit mobilizohen mes kritikave për reagimin e ngadaltë të qeverisë turke

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Pas tërmeteve që shkaktuan mijëra të vdekur në Turqi, ka dëshpërim dhe zemërim në rritje mes të mbijetuarve për reagimin e qeverisë. Por shumë njerëz në të gjithë vendin po mobilizohen me kryebashkiakët opozitarë për të ndihmuar. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, kjo po ndodh edhe në vende, që nuk u goditën nga tërmeti. 

Gjatë gjithë natës, njerëzit në qytetin kryesor të Turqisë sjellin furnizime për të mbijetuarit nga tërmeti. 

Dy salla dasmash janë tani qendra shpërndarjeje për ndihmat e dhuruara nga i gjithë qyteti. 

Ne hapëm sallat e dasmave qysh mëngjesin e parë. Ka një ndihmë të pabesueshme që vjen nga kudo. Ndihma është kryesisht ushqim, batanije dhe jorgan, si dhe artikuj higjenikë, pelena dhe një sasi e jashtëzakonshme mallrash, të gjitha në cilësinë e parë”, thotë Elif Polat, menaxhere e sallës së dasmave. 

Qindra vullnetarë punojnë gjatë natës; për disa motivimi është personal. 

“Prindërit e mi jetojnë në Adana dhe miqtë e mi në Antakia, ku ranë tërmetet. Nuk mund të shkoj në ato vende. Unë dua t'i ndihmoj njerëzit, dhe vendi më i afërt dhurues me shtëpinë time është këtu, në Kadikoy. Unë do të vij këtu dhe miqtë e mi do të vijnë këtu”, thotë vullnetari Ali Can Kocak. 

Përpjekja e ndihmës po koordinohet nga kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu nga partia opozitare CHP. 

Ai ka siguruar kamionë dhe përdorimin e ndërtesave të qytetit për përpjekjet e ndihmës. 

Zoti Imamoglu vizitoi rajonin e fatkeqësisë, ku dërgoi ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nga Stambolli. 

Kryebashkiaku i Ankarasë – gjithashtu një anëtar i opozitës – dërgoi punëtorë për të rindërtuar një nga aeroportet në rajonin e goditur nga tërmeti. 

Përpjekje të tilla vijnë pasi qeveria përballet me kritika në rritje nga të mbijetuarit, se përgjigja e saj është shumë e ngadaltë, një akuzë që zyrtarët e mohojnë. 

Kishte kritika të ngjashme në vitin 1999 për tërmetin e Izmirit në afërsi të Stambollit, i cili mori më shumë se 18,000 jetë. 

Kujtimet e asaj fatkeqësie janë ende të freskëta në mendjet e disa të mbijetuarve, të motivuar për të ndihmuar në këtë krizë të fundit. 

“Kam përjetuar tërmetin e Izmirit në vitit 1999. Ne e jetuam atë fatkeqësi. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne. Tani e pashë këtë tërmet dhe i rijetova ato momente. Kjo është arsyeja pse nuk mund të rri në shtëpi apo të pi çaj. Doja të vija këtu dhe të ofroja ndihmë" thotë Yilmazi. 

Pelenat, parfumet anti-djersë dhe produkte të tjera sanitare janë artikuj me përparësi, ndërsa Stambolli bashkohet për të ndihmuar. 

“Nga më i moshuari tek më i riu, këtu ka një unitet të pabesueshëm. Pyesim veten se si mund t'i arrijmë të gjithë ata njerëz në zonat e goditura nga tërmeti. Shoh pikëllim të pamasë në sytë e të gjithëve, por ata po marrin forcë dhe këmbëngulje nga ky trishtim”, thotë Elif Polat. 

Një kamion i mbushur plot, niset drejt rajonit të fatkeqësisë duke çuar ndihmë dhe shpresë për miliona njerëz në nevojë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat