Izrael: Gjykata e Lartë kërkon shkarkimin e ministrit të qeverisë Netanjahu

Bota

Izrael: Gjykata e Lartë kërkon shkarkimin e ministrit të qeverisë Netanjahu

Më: 18 janar 2023 Në ora: 20:31
Izrael: Gjykata e Lartë kërkon shkarkimin e ministrit të qeverisë Netanjahu

Gjykata e Lartë e Izraelit urdhëroi kryeministrin Benjamin Netanjahu të mërkurën të shkarkojë një nga ministrat e tij për shkak të një dënimi të kaluar për mashtrim me taksat, një pengesë për qeverinë e re të koalicionit të krahut të djathtë.

Vendimi për udhëheqësin e partisë Shas, Aryeh Deri duket se do të nxisë më tej tensionet midis kabinetit dhe Gjykatës së Lartë të Izraelit lidhur me planet e qeverisë për reformim të gjykatës që synojnë ta dobësojnë atë.

"Shumica e gjyqtarëve arriti në përfundimin se emërimi ishte jashtëzakonisht i paarsyeshëm dhe si rrjedhim kryeministri duhet ta shkarkojë ministrin Deri nga detyra," thuhet në një përmbledhje të vendimit të gjykatës.

Zoti Deri, i cili aktualisht është ministër i brendshëm dhe i shëndetësisë, ishte parashikuar të bëhej ministër financash, në pjesën e dytë të mandatit, sipas një marrëveshjeje për rotacion. Ai pranoi fajësinë për mashtrime me taksa vitin e kaluar, në një marrëveshje për të mos vuajtur denim në burg.

Disa nga gjyqtarët në vendimin e tyre përmendën gjithashtu faktin që zoti Deri i kishte thënë më parë gjykatës që u mor me çështjen e tij për taksat, se do të tërhiqej nga politika.

Nuk ka pasur ende reagim ndaj vendimit nga kryeministri Netanjahu, i cili u kthye në detyrë në dhjetor në krye të një qeverie të djathtë. Por ministri i Drejtësisë dhe anëtari i partisë së tij Likud, Yariv Levin tha se Gjykata kishte zgjedhur të mos respektonte zgjedhjen e popullit.

"Unë do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të ndrequr plotësisht këtë padrejtësi të dukshme që i është bërë rabinit Aryeh Deri, lëvizjes Shas dhe demokracisë izraelite," tha zoti Levin në një deklaratë.

Reforma e ministrit Levin do të rriste ndikimin e qeverisë mbi emërimet gjyqësore, ndërkohë që do të kufizonte kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar ligje ose për të vendosur kundër veprimeve të ekzekutivit.

Reforma, për të cilën qeveria thotë se është e nevojshme për të frenuar tejkalimin e kompetencave nga gjyqtarët e njëanshëm elitarë, ka shkaktuar zemërim midis kritikëve, të cilët thonë se kjo do të minonte pavarësinë e gjyqësorit dhe do të dobësonte kontrollet dhe balancat demokratike në themel të sundimit të ligjit.

Plani për reformë mbështetet nga zoti Netanjahu, i cili është në gjyq për akuzat për korrupsion të cilat ai i ka mohuar.

Partia Shas, që e merr mbështetjen nga hebrenjtë fetarë me origjinë nga Lindja e Mesme, fitoi 11 nga 120 vendet e Knesset-it në zgjedhjet e 1 nëntorit. Ajo tha se vendimi ishte politik. "Gjykata vendosi sot se zgjedhjet nuk kanë vlerë."

Organizatat që ndjekin zhvillimet politike kishin apeluar në Gjykatën e Lartë për të urdhëruar zotin Netanjahu ta kthente mbrapsht emërimin e zotit Deri, duke pasur parasysh dënimin e tij të fundit, si dhe shkeljet e mëparshme. Në vitin 1999, ai ishte dënuar me tre vjet burg për marrje ryshfeti./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat