​BE diskuton për ndalimin e hyrjes për turistët rusë

Bota

​BE diskuton për ndalimin e hyrjes për turistët rusë

Më: 30 gusht 2022 Në ora: 07:23
Foto ilustrim

Ministrat e jashtëm të BE-së sot do të diskutojnë apelin e Ukrainës për ndalimin e vizitave të turistëve rusë në Evropë, transmeton Euractiv nga Brukseli.

Sipas këtij portali, disa nga vendet fqinje me Rusinë kanë vendosur tashmë ndalime apo kufizime të vizave për rusët, por ndalimi në nivel të BE-së ende nuk është në fuqi.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, i cili do të kryesojë takimin e ministrave të BE-së në Pragë, tha se ai beson se ndalimi i hyrjes së të gjithë rusëve në Evropë "nuk është një ide e mirë".

Në muajin shkurt, Bashkimi Evropian kufizoi vizat për zyrtarët rusë, mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe drejtorët e kompanive, por vizat turistike ishin ende të lejuara.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga BE-ja të mbyllë kufijtë për të gjithë rusët, përfshirë turistët, duke thënë se ata duhet "të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre", të cilën Kremlini e quajti "irracionale" dhe premtoi një përgjigje.

Finlanda, e cila ndan kufirin më të gjatë me Rusinë në Evropë, nga e enjtja do të zvogëlojë numrin e kërkesave për viza turistike ruse, të cilat janë rreth 1000 në ditë, kështu që tani do të përpunojë vetëm 10 për qind të tyre, sepse, siç shpjegohet, nën ligjin finlandez, është e pamundur të ndalohet plotësisht hyrja në bazë të shtetësisë së aplikantit.

Për shkak të sanksioneve të BE-së që mbyllën hapësirën ajrore evropiane për fluturimet nga Rusia, qytetarët rusë masivisht iu drejtuan udhëtimeve tokësore përmes Finlandës për të arritur në vendet e tjera evropiane.

Letonia, Lituania dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave të reja turistike për qytetarët rusë kur Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit.

Estonia dëshiron që rregullat e BE-së të ndryshojnë për të ndaluar rusët me viza Shengen të lëshuara tashmë, pavarësisht se cili vend i BE-së i ka lëshuar ato.

Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të BE-së, pretendon se "biznesi i zakonshëm i turistëve rusë në kohën e agresionit është i papërshtatshëm".

Lituania ka thënë se nëse nuk bihet dakord për një ndalim në mbarë BE-në, ajo mund të kërkojë një "zgjidhje rajonale" për ndalimin e turizmit, i cili ka të ngjarë të përfshijë Letoninë, Estoninë, Finlandën dhe Poloninë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat