Në rrezik trajnimi për abortin i studentëve të mjekësisë dhe praktikantëve

Bota

Në rrezik trajnimi për abortin i studentëve të mjekësisë dhe praktikantëve

Më: 18 prill 2022 Në ora: 20:53
Dr. Keith Reisinger-Kindle, në shkollën mjekësore të Universitetit Shtetëror Wright, në Dejton, Ohajo, gjatë një leksioni për praktikantët e obstetrikës dhe gjinekologjisë, 13 prill 2022 (AP Photo/Paul Vernon)

Nëse shfletoni një fjalor mjekësor, përpara se të arrini tek termi anestezi, do të gjeni fjalën abort.

Ndërkohë që procedurat si anestezia janë pjesë e edukimit standart në fushën e mjekësisë, për studentët e mjekësisë në Shtetet e Bashkuara që duan të mësojnë rreth abortit, mundësitë janë të pakta.

Po shtohen madje kufizime të reja. Gjatë vitit të fundit, janë propozuar apo miratuar në të paktën tetë shtete amerikane ligje që kërkojnë të kufizojnë edukimin për abortin. Ndryshimet po bëhen nga kundërshtarë të abortit që janë inkurajuar nga kufizimet e reja të vendosura ndaj vetë kësaj procedure, si dhe nga një padi gjyqësore që po shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, e cila mund t'i japë fund vendimit historik të marrë nga gjykimi i çështjes Roe kundër Wade, që legalizoi abortin.

"Është e tmerrshme kjo që po ndodh", tha Ian Peake, një student në vitin e tretë të mjekësisë në Oklahoma, ku guvernatori nënshkroi më 12 prill një masë që i bën të jashtëligjshme shumicën e aborteve.

Trajnimi për abortin nuk ofrohet në dy shkollat mjekësore të Oklahomas dhe arsimimi për këtë çështje është i kufizuar. Doktorët e ardhshëm, të cilët duan të mësojnë për të, zakonisht u drejtohen për ndihmë mjekëve jashtë sistemit tradicional të arsimit mjekësor, të cilët ofrojnë procedurën e abortit.

Zoti Peake, 32 vjeç, tha se nëse do të donte p.sh. të mësonte rreth kolonoskopisë, ai mund të bashkëpunonte me stafin e shkollës për të ndjekur punën që bën një doktor në klinikë.

Image
Studenti i mjekësisë Ian Peake në Klinikën e Grave në Tulsa, Oklahoma (11 prill 2022)

"Kjo do të ishte e lehtë", thotë ai. "Për të bërë të njëjtën gjë për abortin, është pothuajse e pamundur". Ai tha se iu deshën gjashtë muaj për të gjetur një mjek që do të ishte i gatshëm ta mësonte.

Studentja e mjekësisë në Nevada, Natasha McGlaun, krijoi jashtë programit të trajnimit një seminar për kryerjen e procedurave standarte mjekësore për abortin. Ajo e ofron seminarin gjatë orëve të mbrëmjes, në kohën e saj të lirë.

27-vjeçarja është vajza e dy prindërve "pro-feministë" dhe vetë nënë e dy vajzave, për të cilat dëshiron të mbrojë të drejtat e tyre të riprodhimit.

"Ishte si një shaka në familjen time: Nëse më thonë se nuk mund të bëj diçka, do të përpiqem dyfish që ta bëj", thotë ajo. "Ndjej një lloj shtyse morale, drejtësie për ta realizuar".

Mungesa e leksioneve

Arsimi mjekësor në Shtetet e Bashkuara përmban zakonisht katër vite të shkollës së mjekësisë, ku studentët mësojnë bazat e mjekësisë së përgjithshme dhe ushtrojnë kujdesin për pacientët. Kjo pasohet në vazhdim me të paktën tre vite stazhi ku marrin trajnim intensiv gjatë punës dhe aftësi të specializuara.

Shkollat amerikane të mjekësisë u kërkojnë studentëve të përmbushin një praktikë të tillë në obstetrikë dhe gjenekologji, por nuk ka ndonjë rregull që të përfshijë edhe edukimin për abortin. Në nivelin pasuniversitar është i detyrueshëm stazhi për obstetrikën dhe gjenekologjinë nga një grup i akredituar, për të mundësuar qasjen tek trajnimi për abortin, megjithëse pjesëmarrësit që nuk janë dakort mund të zgjedhin të mos kryejnë aborte.

Shumica e aborteve në Shtetet e Bashkuara kryhen nga mjekët obstetër gjenekologë, në bashkëpunim me specialistë të mjekësisë në familje. Por, këta nuk janë gjithnjë mjekët e parë me të cilët ndërveprojnë gratë kur mësojnë për një shtatëzani të padëshiruar. Mbështetësit e të drejtave të abortit thonë se të gjithë mjekët duhet të dinë mjaftueshëm për këtë procedurë në mënyrë që të informojnë dhe këshillojnë pacientët, dhe se arsimi për këtë duhet të fillojë në shkollën e mjekësisë.

Image
Gjatë një seminari të Dr. Reisinger-Kindle

Në vitin 2020, studiuesit në Universitetin Standford thanë se konstatuan e gjysma e shkollave të mjekësisë nuk e përfshinin zyrtarisht trajnimin për abortin, apo se nuk jepnin as edhe një leksion të vetëm për këtë.

"Aborti është një ndër procedurat më të zakonshme mjekësore", shkruajtën ata. "Megjithatë, tematikat e lidhura me abortin mungojnë qartësisht në lëndën mësimore në shkollën e mjekësisë".

Zonja McGlaun ndihmoi vitin e kaluar për hartimin e një rregulli që do t'i kërkonte Shoqatës Amerikane të Mjekësisë të mbështesë arsimin e detyrueshëm për abortin në shkollat e mjekësisë, duke u lënë edhe mundësinë të mos marrin pjesë në këtë program nëse kështu dëshirojnë. Ky grup me influencë ka kundërshtuar prej kohësh urdhëresat për lëndët mësimore dhe e refuzoi këtë propozim, por u shpreh se mbështet dhënien e mundësisë për studentët e mjekësisë dhe praktikantët që të mësojnë rreth abortit dhe se kundërshton përpjekjet për të ndërhyrë tek trajnime të tilla.

Kufizime të mëtejshme

Përpjekjet legjislative për të ulur abortet prekin të gjitha nivelet e arsimit mjekësor.

Një ligj i miratuar vitin e kaluar në Ajdaho personifikon këtë tendencë. Ligji ndalon përdorimin e mësimdhënies dhe pagesave për abortin dhe aktivitetet e tjera që lidhen me të, në klinika arsimore që gjenden në institucionet që marrin fonde të shtetit.

Ndër përpjekjet e tjera është një ligj në Uiskonsin që do t'ua ndalonte mjekëve që punojnë në Universitetin e Uiskonsinit dhe spitaleve të tij të marrin pjesë në aborte, qoftë edhe për trajnim. Projektligji nuk arriti të kalojë në mars, por mbështetësit e tij do ta paraqesin sërish. Propozime të ngjashme synojnë kufizime të tilla për universitetet në Mizuri dhe Ohajo.

Divya Jain nuk mësoi për abortin në shkollën e saj të mjekësisë në Mizuri, ku ajo thotë se procedura diskutohet rrallë, por mësoi në një klinikë të planifikimit familjar (Planned Parenthood) në Kanzas. Ajo ishte vullnetare në klinikë dhe pa pengesat me të cilat përballeshin gratë që vinin nga shtete të tjera për të abortuar. Disa prej tyre përfundonin gabimisht në një qendër krizash për shtatëzanitë në anën tjetër të rrugës, ku mundoheshin që t'u ndryshonin mendjen, thotë zonja Jain.

Në moshën 23-vjeçare, ajo thotë se eksperienca e saj e parë e vëzhgimit gjatë një aborti, nuk ishte mbresëlënëse dhe ishte shumë larg imazhit të frikshëm që kishte dëgjuar gjatë përshkrimeve të kundërshtarëve të abortit.

Image
Divya Jain

"Është thjesht një procedurë normale në klinikë", tha ajo. "Janë thjesht pacientë që kërkojnë trajtim mjekësor".

Nga ai moment, ajo kuptoi se donte të ofronte mundësinë e abortimit. "Ishte si kërcitje gishtash. Më ndryshoi", thotë zonja Jain, që po studion politikat publike në Harvard, ndërsa ka marrë leje nga shkolla mjekësore në Universitetin e Mizurit, në Kansas City.

Prindërit e saj, me mendje të hapur por tradicionalë, emigruan në Kanzas nga India. Ajo kujton se ndihej si në një kurth nga kultura tradicionale e familjes së saj dhe nga një komunitet tradicional i bardhë ku aborti nuk diskutohej ndonjëherë.

"Më pëlqente t'i trazoja ujërat" dhe t'i tejkaloja kufizimet, thotë ajo.

Zonja Jain e di se vendimi që do të marrë Gjykata e Lartë për ndalimin në Misisipi të aborteve pas 15 javëve të para të shtatëzanisë mund të ndryshojë në mënyrë drastike realitetin për abortin në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht se çfarë vendimi do të merret, ndoshta brenda verës, zonja Jain thotë se i ka përcaktuar vetes një objektiv: të bëjë aborte në shtete "jomiqësore", ku mjekët që ofrojnë këtë shërbim janë të rrallë.

"Është e vështirë për pacientët që të marrin kujdesin që meritojnë dhe që u nevojitet, dhe thjesht mendoj se kjo është e gabuar", thotë ajo.

Trajnim i zgjeruar

Dr. Keith Reisinger-Kindle, 33 vjeç, është drejtor i asociuar i programit të stazhit në obstetrikë dhe gjinekologji në shkollën e mjekësisë të Universitetit Shtetëror Wright në Dejton, të Ohajos. Ai thotë se objektivi i tij për të rritur trajnimin për abortin ka qenë një betejë e vështirë për shkak të pengesave legjislative.

Kur mbërriti në këtë shkollë gati dy vite më parë, ai tha se "kishte zero arsim zyrtar për abortin". Ai hartoi dhe zbatoi lëndë mësimore për abortin për studentët e mjekësisë dhe praktikantët, me mbështetjen e universitetit, si dhe ofroi trajnim në një klinikë aty pranë, ku kryente edhe aborte.

Image
Dr. Keith Reisinger-Kindle

Mjeku thotë se një ligjvënës i këtij shteti u ka kërkuar administratorëve të universitetit që ta shkarkojnë. Në dhjetor, guvernatori i Ohajos nënshkroi në fuqi një ligj që ua ndalon doktorëve që punojnë në institucione shtetërore, të punojnë si doktorë plotësues në klinikat e abortit kur ndodhin komplikacione të rralla. Klinika ku punon zoti Reisinger-Kindle po bën një padi për ta ndaluar këtë ligj.

"Ka ditë kur bëhet sigurisht sfiduese", thotë zoti Reisinger-Kindle. Mjekët e rinj që dëshirojnë të ndihmojnë, e nxisin që ta vazhdojë punën. Programi ka aktualisht 24 praktikantë. Ata mund të zgjedhin të mos trajnohen për abortin, por ai thotë se pothuajse të gjithë kanë zgjedhur të marrin pjesë në një formë apo në një tjetër.

Ai mendon se do të vendosen kufizime të mëtejshme ndaj abortit, por shton se: "Në afatgjatë, mendoj se do të arrijmë aty ku duhet. Thjesht shpresoj që studentëve të mi të mos u duhet të vuajnë"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat