Lamtumirë Edward Wilson, studiuesi që shpiku sociobiologjinë

Bota

Lamtumirë Edward Wilson, studiuesi që shpiku sociobiologjinë

Nga: Jak Simini Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 14:35
Edward Wilson

Nga TELMO PIEVANI Corriere della sera

Lindur në Alabama, pedagogu i Harvardit prezantoi konceptin kryesor të biodiversitetit. Ai theksoi se evolucioni na bën të aftë për altruizëm si dhe për agresion

Ishte njeriu që u pëshpëriti milingonave. Ai dinte gjithçka rreth tyre: sjelljen, jetën shoqërore, komunikimet, luftërat, skllavërinë dhe aleancat. 26 dhjetori ishte dita e fundit e evolucionisit dhe mirmekologut të madh të Harvardit Edward Osborne Wilson, i cili vdiq në Burlington, Massachusetts në moshën 92-vjeçare. Në iluminizmin e tij natyralist, një milingonë e rrallë ishte fjalë për fjalë një vepër arti. Pak lëvore të kalbura ose një copë humusi u bënë mikrokozmose të mbipopulluara.

Fitues dy herë i çmimit Pulitzer, Wilson ka shkruar artikuj dhe libra me sukses botëror . Dyzet vjet më parë, ai ishte ndër të parët që argumentoi se shkatërrimi i ekosistemeve po çonte në "zhdukjen e gjashtë masive" të specieve, shkaqet e të cilave ai identifikoi në mënyrë analitike. E quanin katastrofist, tani termi i tij përdoret në dokumentet zyrtare ndërkombëtare. Në vitin 1992 ai bëri të njohur për të gjithë fjalën "biodiversitet", që është diversiteti i jetës në të gjitha nivelet dhe renditi vlerat e tij. Ai tha se shkatërrimi i pyjeve tropikale për përfitime financiare është si djegia e një pikture të Rilindjes për të gatuar darkën.

Për të mbrojtur shtëpinë e përbashkët që ne e banojmë në mënyrë të padenjtë, Wilson thirri "biofilinë", lidhjen e pavetëdijshme me natyrën që shumë njerëz në qytet e kanë humbur, por që frymëzon veprat tona më të mira e gjeniale, dhe consilienzën, aleancën midis shkencës dhe humanizmit, që për të ishin dy degë të të njëjtit lum, gjetja e origjinws së të cilit  të çon në burimet evolucionare të krijimtarisë njerëzore.

I lindur në Alabama në vitin 1929, gjithmomnë me çantë në shpine, rrjetë dhe dylbi, Wilson hodhi themelet e biogjeografisë së ishujve, d.m.th. studimit të ligjeve të shpërndarjes së organizmave në ishuj dhe ekologjisë si shkencë. Polemika të furishme shpërthyen nga "sociobiologjia" e tij në 1975, që ka si objekt studimin e evolucionit të sjelljeve sociale të kafshëve, përfshirë dhe njerëzit. Ai u akuzua për determinizëm gjenetik dhe se donte të justifikonte biologjikisht idetë konservatore dhe stereotipet seksiste.

Rezultoi se nuk ishte aq e gabuar të mendohej se evolucioni, së bashku me faktorët kulturorë, mund të na ndihmonte të kuptonim më mirë shoqërinë njerëzore. Por ishte vetë ai në vitin 2010 - duke demonstruar një ndershmëri intelektuale që disa nga ndjekësit e tij nuk e kishin - që ndryshoi mendje për hipotezat e thjeshta të sociobiologjisë së parë.

Në librin e tij ndoshta më të bukur, Pushtimi Social i Tokës, ai tregon historinë e specieve tona si një epope evolucionare: një pushtim ky sa madhështor aq dhe i pamundur. Ai mendonte se dy pushtuesit kryesorë shoqërorë të Tokës ishin "super-organizmat" e formuar nga bletët, grerëzat, termitet dhe milingonat, nga njëra anë, dhe grupet njerëzore, nga ana tjetër. Natyra jonë është kimerike, shkroi ai: evolucioni na bën të aftë për altruizëm dhe bashkëpunim, po aq sa për dhunë dhe tribalizëm. Ai përkrahte një antropologji pesimiste, jo pa momente shprese: në fund të fundit, është e vërtetë që milingonat kanë qytete, kopshte dhe simbioza të mrekullueshme, por jo një Shekspir që flet për mundimet e tyre të brendshme.

Një nga kryeveprat e tij, Diversiteti i Jetës, hapet me një stuhi në Amazonë. Historia e thjeshtë e renies  së një dege në pyll bëhet një roman heroik me qindra protagonistë, një aventurë ripërteritje. Sipas Wilson, nuk hyn kurrë dy herë në të njëjtin pyll. Për ta nderuar atë, le t'i rilexojmë shkrimet e tij, duke imagjinuar zhytjen në hijeshinë e koraleve ose vezullimet e xixellonjave.

Biografia

Biologu amerikan, fitues i çmimit Pulitzer, Edward O. Wilson, vdiq më 26 dhjetor në moshën 92-vjeçare. Pedagog në Universitetin e Harvardit, ai ishte një autoritet botëror në fushën e studimit të milingonave dhe kishte qenë gjithmonë i përkushtuar për të mbrojtur biodiversitetin. Librat e Wilsonit të botuara në Itali nga botues të ndryshëm janë shumë të shumtë: Raffaello Cortina, Adelphi, Mondadori, Rizzoli, Codice, Elliot. Ndër më të fundit: Origjina e thellë e shoqërive njerëzore (Raffaello Cortina, 2020); Milingonat prerëse të gjetheve (Adelphi, 2020).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat