SHBA, fati i marrëveshjes bërthamore me Iranin në rrezik nëse Teherani nuk vepron

Bota

SHBA, fati i marrëveshjes bërthamore me Iranin në rrezik nëse Teherani nuk vepron

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 22:43
Vjenë

Shtetet e Bashkuara thonë se bisedimet e saj indirekte me Iranin për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 kanë shënuar përparim modest në raundin e fundit që përfundoi të premten, por shtuan se mbetet shumë punë për t'u bërë për të shmangur dështimin i plotë.

Në një konferencë telefonike me gazetarët, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit përmendi dy shembuj të përparimit "modest" në bisedimet në Vjenë, në të cilat janë të përfshira Shtetet e Bashuara, Irani dhe pesë fuqitë botërore që veprojnë si ndërmjetës mes dy palëve.

Përparimi i parë ishte arritja e një marrëveshje të mërkurën për të lejuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të riinstalojë kamerat që lejojnë inspektorët e OKB-së të vëzhgojnë një strukturë bërthamore iraniane që prodhon centrifuga të avancuara në qytetin e Karaj. Kamerat u dëmtuan në qershor në atë që Irani e quajti një akt sabotimi nga rivali i tij rajonal, Izraeli, i cili as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar përfshirjen në një operacion të tillë.

Image
Teheran

Shembulli i dytë i cituar nga zyrtari amerikan është se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord për një teksttë përbashkët që do të shërbejë si bazë për negociatat në lidhje me pjesët e programit bërthamor të Iranit që duhet të frenohen në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane.

Por zyrtari amerikan paralajmëroi kundër entuziazmit mbi përpariminarritur.

“Ne bëmë njëfarë përparimi, por me një ritëm që nuk do të jetë i mjaftueshëm për të arritur atje ku duhet të shkojmë përpara se përparimi i Iranit në fushën bërthamore të venit shpresat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore”, tha zyrtari amerikan.

Irani, i cili thotë se aktivitetet e tij bërthamore janë paqësore, ka shkelur kufizimet mbi aktivitetet e tij bërthamore që nga viti 2019 në shenjë hakmarrjeje ndaj tërheqjes së Shteteve të Bashkura nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Në vitin 2019, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ashpërsoi në mënyrë të njëanshme sanksionet ndaj Teheranit, duke thënë se kjo ishte mënyra më e mirë për t'i bërë presion regjimit iranian që të ndalë veprimet keqadashëse. Pasuesi i zotit Trump, presidenti Joe Biden, ka thënë se kthimi i Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore me Iranin është rruga më e mirë për të frenuar përpjekjet e Teheranit për të prodhuar armë bërthamore, nëse zyrtarët iranianë e respektojnë atë.

Image
Ali Bagheri Kani

Negociatori iranian Ali Bagheri Kani tha të premten në një postim në Twitter se kishte patur përparim të mirë dhe se Irani “do të vazhdojë bisedimet pas një pauze disa ditore”. Asnjëra nga palët në bisedime nuk njoftoi se kur do të rifillonin saktësisht bisedimet.

Irani ka thënë se përparësia e tij në Vjenë është sigurimi i heqjes së të gjitha sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë dobësuar ekonominë e përfshirë nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i qeverisë. Teherani ka refuzuar të deklarojë publikisht se cilat aktivitete bërthamore mund të frenojë në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane.

Zyrtari amerikan shprehu shpresën se së shpejti Irani do të binte dakord për një raund të tetë të bisedimeve në Vjenë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat