Problemet në zinxhirin e furnizimit, pasoja tek eksportet amerikane drejt Azisë

Bota

Problemet në zinxhirin e furnizimit, pasoja tek eksportet amerikane drejt Azisë

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 20:34
Porti në Long Beach dhe Porti i Los Anxhelosit janë dy portet më të mëdha të transportit të mallrave në Shtetet e Bashkuara.

Problemet në zinxhirin e furnizimit vazhdojnë të shkaktojnë vonesa të importeve nga Azia. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Titi Tran, vonesat përjetohen edhe nga eksportuesit amerikanë që dërgojnë mallra drejt tregjeve të Azisë.

Porti në Long Beach dhe Porti i Los Anxhelosit janë dy portet më të mëdha të transportit të mallrave në Shtetet e Bashkuara.

Ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit të shkaktuara nga COVID-19 dhe rikthimi i kërkesave nga konsumatorët, ka bërë që në këto porte të vijnë më shumë mallra nga sa mund të përpunohen.

Megjithëse portet po funksionojnë me pothuajse 24 orë në ditë, shpesh ka mbi 70 anije që presin për t’u shkarkuar.

“Është një krizë e zinxhirit global të furnizimit. Anijet me kontenierë qëndrojnë në port për 9 ditë apo më shumë. Kemi një problem të vërtetë kapaciteti. Nuk janë thjesht probleme transporti, por prekin të gjithë segmentet – kamionët, magazinat, autoritetet portuale dhe transportin detar”, thotë Mario Cordero, drejtor ekzekutiv i portit në Long Beach.

Problemet e porteve reflektohen deri edhe tek fermat në Kaliforni që eksportojnë produkte për konsumatorët aziatikë.

“Pasi humbëm ritmin në porte, efektet u grumbulluan si një ortek”, thotë Luis Katsurayama, koordinator në vreshtat “Jasmine”.

Këtu kultivohen 12 varietete rrushi që përfaqësojnë eksportin kryesor bujqësor të Kalifornisë. Nga 10 tregjet më të mëdha për rrushin, 6 gjenden në Azi.

Përpara pandemisë, vreshtat “Jasmine” dërgonin drejt Azisë brenda periudhës korrik-tetor deri në 350 kontenierë të mbushur me rrush. Këtë vit kanë mundur të dërgojnë më pak se 10%.

Për çdo kontenier që nuk eksportohet, humben 45 mijë dollarë nga fitimet. Zoti Kastsurayama përllogarit 15-20 milionë dollarë humbje këtë vit për shkak të problemeve logjistike të lidhura me pandeminë.

Pjesë e sfidës së eksportuesve është të plotësojnë kërkesat. Konsumatorët bëjnë blerje nëpërmjet internetit 24 orë në ditë, por prodhuesit nuk munden të funksionojnë pa pushim dhe po kështu edhe pjesët përbërëse të zinxhirit të furnizimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat