Kriza e varësisë nga droga në Afganistan

Bota

Kriza e varësisë nga droga në Afganistan

Më: 23 tetor 2021 Në ora: 21:06
Foto ilustrim

Lulëkuqja rritet e egër në Afganistan dhe për vite me rradhë ka qenë produkti që i ka siguruar vendit më shumë të ardhura nga çdo produkt tjetër. Por opiumi që nxirret nga lulëkuqja ka rival një bimë tjetër që rritet e egër në Afganistan. Pjesa e dytë e serisë "Kriza e Varësisë së Afganistanit" tregon thellësinë dhe zgjerimin e tregtisë së drogës në Afganistan.

Si vend, Afganistani është përballur me pasiguri, luftëra të pafundme, korrupsion, varfëri, një ekonomi të dobët, papunësi të madhe dhe sfida të tjera. Por ai gjithashtu përballet me problemin e varësisë dhe përdorimit të drogës në vend. Disa e përshkruajnë varësinë nga droga në këtë vend si një cunami të fshehur; një valë e madhe gati për të përpirë gjithçka.

Pavarësisht miliarda dollarëve në ndihma ndërkombëtare, projekte dhe përpjekje qeveritare, Afganistani mbetet kultivuesi kryesor i lulëkuqes në botë - bima e përdorur për të prodhuar opiumin dhe heroinën.

Vendi është prodhuesi më i madh i narkotikëve në botë. Një sondazh i përbashkët nga qeveria afgane dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, UNODC, tregon se ata po humbasin luftën për ta zhdukur atë.

Thuhet se në vitin 2020, kultivimi i lulëkuqes në Afganistan u rrit me 37%.

Raporti zbuloi se vitin e kaluar lulëkuqja ishte kultivuar në gati një çerek milion hektarë tokë në 22 nga 34 provincat.

Pjesa më e madhe e opiumit kontrabandohet jashtë vendit, por ajo që mbetet është një problem në vend.

“Ne po shohim nivel të lartë të përdorimit të opioideve në vend. Po shohim nivel të lartë të përdorimit të kanabisit në vend dhe një kërcënim në rritje gjatë viteve të fundit ka ardhur padyshim nga metamfetamina dhe stimuluesit e tjerë. Pra, të gjitha këto po rrisin kërcënimet ndaj popullatës me shpejtësi. Pra kemi prodhimin e drogës dhe rritjen e përdorimit të saj në vend, që është një kërcënim i madh për njerëzit e këtij vendi", thotë Mark Colhoun, ish përfaqësues I UNODC-së në Afganistan.

Prodhimi i drogës dhe varësia prej saj janë të lidhura, dhe të dyja janë në rritje.

Statistikat e përdoruesve janë të vështira për t'u përpiluar. Numrat më të fundit janë nga një sondazh i vitit 2015 i kryer nga Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe qeveria afgane. Sondazhi zbuloi se 2.5 deri 3.5 milionë afganë janë drejtpërdrejt ose tërthorazi të varur nga droga. Në atë kohë, një në tre familje rezultoi pozitive për drogë. Zonat rurale ishin tre herë më të prekura se qytetet.

“Fatkeqësisht, varësia nga droga nuk po zvogëlohet, por po shtohet. Dhe kjo është arsyeja pse, ne mendojmë se numri është rritur edhe më shumë", thotë Dr. Ahmad Jawad Osmani, ish-ministër i Shëndetit Publik të Afganistanit.

Ndërkohë, një raport i kohëve të fundit tregon se metamfetamina kristal, e quajtur edhe kristal ose meth--është një problem në rritje në Afganistan. Nëntorin e kaluar, Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogat dhe Varësitë nga Droga (EMCDDA) raportoi se vendi po bëhet një prodhues i rëndësishëm global i meth-it.

Një arsye është se trafikantët e drogës zbuluan se bima efedra, e cila zakonisht rritet e egër në pjesë të Afganistanit, mund të përdoret për të bërë meth. Raporti u përqëndrua në prodhimin e methit në qarkun Bakwa. Ai i quajti gjetjet paraprake "shqetësuese", duke shtuar se ekziston mundësia që lënda meth të rivalizojë prodhimin e opioidëve në vend./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat