U druhen efekteve anësore, të rinjtë në Evropë dhe SHBA hezitojnë të vaksinohen

Bota

U druhen efekteve anësore, të rinjtë në Evropë dhe SHBA hezitojnë të vaksinohen

Më: 6 shtator 2021 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Mbi 40 për qind e njerëzve në botë janë vaksinuar për sëmundjen e Covid-19, por vendet me të ardhura të ulëta mbeten një problem për përhapjen më tej të koronavirusit për shkak të ritmeve të ngadalta të imunizimit.

Rreth nëntë muaj më parë filluan të hyjnë në përdorim vaksinat kundër koronavirusit, të zhvilluara dhe testuara në kohë rekord, por fushatat e imunizimit duket se po ngadalësohen.

Kjo po vihet re nga ekspertët në Amerikë dhe në disa shtete të Europës, ku të rinjtë janë më të tërhequr ndërsa janë edhe kundërshtarët të cilët i druhen efekteve anësore të vaksinave.

Trendi është shqetësues pasi e lejon virusin të përhapet dhe i jep atij mundësi të transformohet në variante të tjera që i rezistojnë vaksinave.

"Vaksinimi është një e drejtë por edhe një përgjegjësi. Në 6 javët e kaluara, ai është ngadalësuar, i ndikuar nga qasja në to por edhe nga hezitimi i vendeve të tjera. Sot vetëm 6 për qind e shteteve me të ardhura të ulëta e kanë përfunduar plotësisht vaksinimin," deklaroi javën e kaluar drejtori i OBSH-së për Europën.

Vendet e Bashkimit Europian u kanë mundësuar njërën dozë rreth 77 për qind të banorëve të vet apo mbi 285 milionë njerëzve.

Ndërkohë në Britani, rreth 80 për qind e personave mbi 16 vjeç janë plotësisht të vaksinuar dhe kjo përqindje zbret në 62 në rastin e SHBA-së, ku fushata ka rinisur me shpejtësi.

Rusia mbetet ndër vendet me më shumë skeptikë ndaj vaksinave, ndërkohë Kina raportoi në fundjavë një total prej 2,1 miliardë dozash të kryera, me 900 milionë njerëz të vaksinuar plotësisht apo 60 për qind e popullsisë kineze.

Njerën dozë të vaksinës e kanë marrë deri tani mbi 40 për qind e njerëzve në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat