Talebanët marrin qytetin e dhjetë të rëndësishëm në vend

Bota

Talebanët marrin qytetin e dhjetë të rëndësishëm në vend

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 17:03
Foto ilustrim

Talebanët kanë marrë qytetin e rëndësishëm strategjik Ghazni, kryeqytetin e 10 -të krahinor që ra në duart e militantëve në më pak se një javë.

Forcat afgane të sigurisë arrestuan guvernatorin e Ghazniut dhe zëvendësin e tij, pasi ata ikën nga qyteti.

Ghazni është në autostradën kryesore Kabul-Kandahar, që lidh fortesat e militantëve në jug me kryeqytetin, Kabul, raporton BBC.

Marrja e Ghazniut mendohet të rrisë gjasat që talebanët përfundimisht të synojnë të marrin vetë Kabulin.

Pothuajse një e treta e 34 kryeqyteteve krahinore të vendit tani janë nën kontrollin e talebanëve.

Kryengritësit kanë lëvizur me shpejtësi, duke pushtuar territore të reja pothuajse çdo ditë, ndërsa trupat amerikane dhe të tjera të huaja tërhiqen pas 20 vitesh operacionesh ushtarake.

Në Ghazni, një anëtar i këshillit krahinor i tha BBC se talebanët kishin marrë pjesën më të madhe të qytetit, me vetëm një bazë policie në periferi të kontrolluar nga forcat afgane të sigurisë.

Luftime të rënda u raportuan gjithashtu në qytetin e Kandaharit të mërkurën. Talebanët pretendojnë se kanë marrë nën kontroll burgun e qytetit, edhe pse kjo nuk është konfirmuar.

Në qytetin jugor të Lashkar Gah, kryeqyteti i provincës Helmand, militantët kanë marrë nën kontroll selinë e policisë.

Ndërkohë, ambasada amerikane në Kabul tha se po dëgjonte raportet se talebanët po ekzekutonin trupat afgane që po dorëzoheshin, duke thënë se ishte "thellësisht shqetësuese dhe mund të përbëjnë krime lufte".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat