A rrezikohet procesi i paqes në Afganistan nga përfshirja e Moskës?

Bota

A rrezikohet procesi i paqes në Afganistan nga përfshirja e Moskës?

Më: 18 mars 2021 Në ora: 10:57
Forcat speciale të ushtrisë afgane.

Shteti rus po bën përpjekje të përfshihet në procesin paqësor për Afganistanin. Të enjten (18 mars) Moska është nikoqire e një konference të nivelit të lartë mes talibanëve dhe përfaqësuesve të Qeverisë afgane. Aty do të marrin pjesë edhe delegacionet nga Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe Kina.

Supozohet që deri më 1 maj, Shtetet e Bashkuara do të përfundojnë tërheqjen e të gjithë trupave të tyre nga Afganistani, si pjesë e një marrëveshjeje me talibanët. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, talibanët ishin pajtuar që të përfshihen në bisedime të paqes me administratën e presidentit afgan, Ashraf Ghani.

Këto bisedime kanë nisur në shtator të vitit të kaluar, mirëpo deri më tani është shënuar shumë pak përparim. Si kurrë më parë e ardhmja e Afganistanit është e pasigurt, pasi muaji maj është afër, shkruan agjencia AFP.

Uashingtoni synon që procesi i paqes përfundimisht të fillojë së zbatuari në mënyrë që talibanët dhe Qeveria afgane të bien dakord për një formë të ndarjes së pushtetit. Edhe Moska ka përkrahur idenë e një qeveria të përkohshme. Por, kjo zgjidhje po refuzohet ashpër nga Qeveria afgane, përkatësisht presidenti Ghani, i cili ka thënë se mënyra e vetme për një transferim të pushteti janë zgjedhjet.

Më poshtë sjellim disa përgjigje në lidhje me dilemat e konferencës së Moskës:

Cili është qëllimi i konferencës?

Sipas, Sayed Naser Mosawi, një analist me qendër në Kabul, konferenca e Moskës është vetëm një parapërgatitje e një takimi edhe më të madh që do të mbahet në Turqi, muajin tjetër.

Ai thotë se në bisedimet në Doha të Katarit, dukej se amerikanët dhe talibanët “diktonin rregullat ashtu siç dëshironin” dhe një zhvendosje e vendit të bisedimeve, me shumë gjasë do të tregohet më i frytshëm.

“Në këtë konferencë, talibanët dhe qeveria do të kenë një mundësi të re për të shprehur apo edhe rishikuar qëndrimet e tyre të mëhershme për disa çështje të ndjeshme”, tha ai për agjencinë AFP.

Edhe ambasadori afgan në Emiratet e Bashkuara Arabe ka thënë më herët se bisedimet e paqes nuk duhet të mbahen në një vend, pasi sipas tij, talibanët kishin filluar të ndjehen “shumë rehat” në Katar. Që nga viti 2013 ata kanë një zyrë në këtë vend.

"Ne duam që talibanët të dalin nga zona e tyre e rehatisë", ka thënë ambasadori, Javid Ahmad.

Kush do të marrë pjesë në konferencë?

Delegacionet e talibanëve dhe Qeverisë afgane do të jenë kryesisht të njëjta, sikurse në Katar.

Delegacionit të kryengritësve i prin bashkëthemeluesi, Mullah Abdul Ghani Baradar, ndërsa pala qeveritare drejtohet nga ish-shefi ekzekutiv, Abdullah Abdullah.

Pakistani përfaqësohet nga diplomati veteran i pensionuar, Mohammed Sadiq. Ky vend ka ndikim mbi talibanët. Shtetet e Bashkuara dërguan në Moskë të dërguarin e posaçëm për Afganistanin, Zalmy Khalizaid.

Cila është situata aktuale?

Qendrat kryesore urbane të Afganistanit po përballen me një fushatë të përgjakshme terrori. Sulmet e armatosura shënjestrojnë politikanë, nëpunës civilë, akademikë, aktivistë për të drejtat dhe gazetarë.

Talibanët vazhdimisht e mohojnë përgjegjësinë për këto sulme, por qeveria kërkon që ata të fajësohen.

Stina e pranverës zakonisht paralajmëron edhe rritjen e shkallës së luftimeve në zonat rurale, ku talibanët kanë nën kontroll pjesë të mëdha të territorit.

A do të përmbushet afati i tërheqjes së trupave deri më 1 maj?

Tashmë dihet se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e mbështet një tërheqje të SHBA-së nga Afganistani, por zyrtarët e administratës kanë rezerva rreth afatit dhe po e rishikojnë atë.

Presidenti Biden e pranoi të mërkurën se do të jetë "e vështirë" të përmbushej afati për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri më 1 maj.

Në anën tjetër, talibanët e kanë mbajtur premtimin për të mos sulmuar trupat e huaja amerikane ose të tjera pasi u arrit marrëveshja. Ata thonë se afati i 1 majit është i panegociueshëm.

Analistët thonë se do të rezultati do të jetë një lloj kompromisi. Sipas tyre Uashingtoni do të thotë se e ka përmbushur detyrimin e tij, ndërsa në të njëjtën kohë do të lë disa ekspertë amerikanë për të këshilluar forcat afgane./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat