Mianmar, banorët largohen nga periferia pas vendosjes së ligjit ushtarak

Bota

Mianmar, banorët largohen nga periferia pas vendosjes së ligjit ushtarak

Më: 17 mars 2021 Në ora: 00:38
Mianmar

Mijëra banorë u larguan nga një periferi industriale e qytetit më të madh të Mianmarit të martën, pasi ajo u vendos nën ligjin ushtarak nga junta në pushtet pas protestave të përgjakshme kundër grushtit të shtetit gjatë fundjavës.

"Këtu është si një zonë lufte, ata po qëllojnë me armë kudo," i tha agjencisë Reuters një sindikalist në qarkun Hlaing Tharyar, duke shtuar se shumica e banorëve janë tepër të frikësuar për të dalë nga shtëpitë.

Më shumë se 40 njerëz u vranë të dielën nga forcat e sigurisë në Hlaing Tharyar dhe disa fabrika u dogjën. Familjet e shumë prej viktimave morën pjesë në varrimet e tyre të martën.

Mianmari vazhdon të jetë në trazira që kur ushtria rrëzoi me grusht shteti qeverinë e zgjedhur të zonjës Aung San Suu Kyi më 1 shkurt dhe arrestoi atë dhe anëtarët e tjerë të partisë së saj, duke u bërë shënjestër e dënimit ndërkombëtar.

Franca tha se Bashkimi Evropian do të miratojë sanksione të hënën kundër atyre të cilët qëndrojnë pas grushtit të shtetit.

Junta, ndërkohë, akuzoi të dërguarin ndërkombëtar të qeverisë së rrëzuar për tradhëti dhe për inkurajimin e një fushate të mosbindjes civile, tha televizioni i drejtuar nga ushtria. Akuzat parashikojnë një dënim të mundshëm me vdekje.

Doktor Sasa - i cili nuk është më në Mianmar - tha se ndihej krenar që u akuzua.

"Këta gjeneralë kanë kryer akte tradhtie çdo ditë. Duke marrë atë që duan për veten e tyre, duke u mohuar njerëzve të drejtat, duke shtypur ata që i pengojnë," tha ai në një deklaratë.

Më shumë se 180 protestues janë vrarë ndërsa forcat e sigurisë përpiqen të shtypin një valë demonstratash, sipas grupit aktivist Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat