A mund të ndikojë heqja e patentave në rritje të prodhimit të vaksinave?

Bota

A mund të ndikojë heqja e patentave në rritje të prodhimit të vaksinave?

Më: 12 mars 2021 Në ora: 22:44
Një dozë e vaksinës kundër koronavirusit, e kompanisë amerikane Pfizer.

Një këshill i Organizatës Botërore të Tregtisë është duke shqyrtuar një propozim të Indisë dhe Afrikës së Jugut që të pezullohen patentat për vaksinat kundër koronavirusit dhe për ilaçe tjera, me qëllim të rritjes së prodhimit dhe delegimit të prodhimit edhe në fabrika tjera.

Kjo ide, për ndryshim të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, sa i përket pronës intelektuale, mund të rrisë furnizimet me vaksina dhe duket gjë e thjeshtë.

Mirëpo disa ekspertë besojnë se përfitimet nuk janë shumë të qarta.

Kuptojeni pse.

Çfarë statusi ekziston tani?

Kombet evropiane kanë bllokuar sërish më 10 mars një propozim të Indisë dhe Afrikës së Jugut që të pezullohen patentat për vaksinat kundër koronavirusit dhe teknologji tjera për luftim të pandemisë, në përpjekje për të rritur prodhimin nga prodhuesit që kanë kapacitet.

Më 10 mars është shënuar hera e tetë që është diskutuar kjo çështje në këtë organizatë. Megjithatë ky trup është pajtuar ta trajtojë këtë çështje sërish.

Çfarë po diskutohet?

Në tetor, India dhe Afrika e Jugut kanë bërë propozim për pezullimin e marrëveshjes për pronë intelektuale gjatë pandemisë, duke pretenduar se këto rregulla e pengojnë luftën dhe kufizojnë qasjen në ilaçe.

Dhjetëra kombe kanë treguar mbështetje, ashtu sikurse Mjekët pa Kufij dhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Nëse pezullimi i përkohshëm i patentave nuk bëhet tani, gjatë këtyre kohërave të pashembullta, kur do të jetë koha e duhur?” ka pyetur ai.

Zyrtarë për Mjekët pa Kufij kanë thënë se shtetet duhet të rrisin menjëherë prodhimin, të përshpejtojnë shpërndarjen në vendet e varfra, të cilat po furnizohen përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për shpërndarje të vaksinave kundër koronavirusit për vendet e varfra.

Këshilli për çështje të pronës intelektuale në Organizatën Botërore të Tregtisë, që është i angazhuar për të trajtuar këto çështje, do të takohet sërish me 8-9 qershor, kur mund të diskutohet sërish për këtë gjë.

Megjithatë, për të miratuar diçka në këtë organizatë ekziston rrugë e gjatë: propozimet kërkojnë miratimin e 164 vendeve anëtare.

Ku qëndron problemi?

Këto diskutime kanë fituar vëmendje teksa po rriten shqetësime për mungesë vaksinash në vendet më të varfra në botë, dhe kur mungesa e kapaciteteve të prodhimit po rrezikon edhe vendet më të pasura.

Në raportin e publikuar nga organizatorët e fushatave kundër varfërisë, në muajin shkurt, është thënë se shtetet e pasura kanë siguruar më shumë se 1 miliard doza vaksinash sesa duhet, duke krijuar ndasi të thella në mes të vendeve të varfra dhe atyre pasura.

Kush është kundër?

Kompanitë e mëdha të ilaçeve kundërshtojnë pezullimin eventual, duke thënë se nuk ka të dhëna se kjo gjë mund të rrisë prodhimin apo qasjen në vaksina.

Grupi tregtar amerikan për kërkime dhe prodhime farmaceutike në Shtetet e Bashkuara, ka thënë në një letër dërguar presidentit amerikan më 5 mars se eliminimi i mbrojtjes mund të dëmtojë përgjigjjen globale ndaj pandemisë, duke përfshirë përpjekjet për të luftuar variantet e reja, si dhe mund të krijojë dilema që dëmtojnë besimin publik në vaksina.

Britania e Madhe, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara, që kanë kompani të mëdha farmaceutike, nuk e pëlqejnë këtë ide po ashtu.

A ka shembull paraprak për këtë gjë?

Dy dekada më parë, Mozambiku, Zambia dhe Zimbabveja kanë lëshuar licenca të detyrueshme për ilaçet për HIV/AIDS, të përcjella nga Indonezia, Malajiza dhe Brazili, çka ka nënkuptuar se qeveritë kanë pasur mundësi të pezullojnë të drejtat e pronës intelektuale pa lejen e pronarit.

Ky vendim, që është marrë pas diskutimeve të dështuara me kompanitë farmaceutike, ka ndikuar në ulje të çmimit të ilaçeve për AIDS dhe ka rritur qasjen në to.

Përkrahës të kësaj ideje në Afrikë të Jugut dhe Indi shpresojnë që një vendim i njëjtë tani mund të ndikojë në rritje të përgjigjes kundër koronavirusit në vendet e neglizhuara.

A ka nevojë për këtë gjë?

Big Pharma dhe disa grupe që shtyjnë përpara thirrje për rritje të dërgesave të vaksinave në vendet në zhvillim, kanë thënë se prodhimi i vaksinës është gjë e vështirë, andaj pezullimi patentave nuk do të rezultojë me më shumë vaksina.

Rrjeti për Prodhim të Vaksinave në Vendet e Varfra, që bën thirrje për më shumë prodhim në vendet e varfra, pajtohet se heqja e të drejtës për pronë intelektuale nuk është përgjigjja.

Për dallim nga ilaçet për AIDS, që janë krijuar më lehtë dy dekada më parë, vaksinat komplekse kërkojnë bashkëpunim të thellë në mes të zhvilluesve dhe prodhuesve, ka thënë presidenti i këtij rrjeti Sai Prasad.

“Një e drejtë për pronë intelektuale nuk mund të prodhojë këto produkte”, ka thënë Prasad, që është edhe pjesë e kompanisë indiane për vaksina Bharat Biotech.

Sarah Gilbert nga Universiteti i Oksfordit, e cila ka bashkëpunuar me kompaninë AstraZeneca, për vaksinën e kësaj të fundit, u ka thënë ligjvënësve britanikë pothuajse të njëjtën gjë.

“Unë vërtet dua që të heqim nga koka idenë se duhet ndarë të drejtën për pronë intelektuale dhe të lejojmë secilin të bëjë vaksina”, ka thënë Gilbert.

Krijuesit e vaksinave veçse janë duke bashkëpunuar pasi Novartis , Merck dhe Sanofi, janë duke u ndihmuar disa krijuesve të vaksinave që të rrisin prodhimin.

Richard Hatchett, që udhëheq Koalicionin për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike -aleancë që promovon zhvillimin e vaksinave – ka thënë këtë javë se kufizimet për pronë intelektuale nuk përbëjnë problem dhe se mungesa e lëndës së parë është më problematike./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat