Sprovat që sjell përpara viti 2021

Bota

Sprovat që sjell përpara viti 2021

Më: 1 janar 2021 Në ora: 18:45
Foto ilustrim

Për shkak të pandemisë viti 2020 do të mbahet mend si viti që ndryshoi rrënjësisht natyrën sociale të njerëzimit duke kushtëzuar përditshmërinë e saj.

Mirëpo përpara viti 2021 parashikon sprova të tjera të vështira ekonomike, gjeopolitike, sociale dhe klimaterike.

Më poshtë ju përcjellim disa nga zhvillimet që priten këtë vit.

Pandemia e COVID-19

Vijimi i pandemisë do të varet kryesisht në dy aspekte, forcimi i imunitetit të popullatave dhe shpërndarja e vaksinave efektive ndaj virusit. Bashkimi Evropian ka caktuar një plan të qartë sipas së cilit asnjë vend të mos lihet pas në përballjen me pandeminë, por edhe me rimëkëmbjen ekonomike. Plani duket të vazhdojë pa ndryshime, pavarësisht burimit nga Britania e Madhe të një varianti të ri të coronavirus-it.

Britania e Madhe jashtë BE-së

Prej 1 janarit të vitit 2021 Britania e Madhe do të jetë zyrtarisht jashtë Bashkimit Evropian. Do të ketë rregulla të reja për sipërmarrjet, tregtinë, lëvizjet e njerëzve dhe marrëdhënieve mes Londrës dhe Brukselit.  

Një president i ri amerikan

Më 21 janar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfundojë koha e Donald Trump dhe do të nisë ajo e Joe Biden si drejtues i Shtëpisë së Bardhë. Biden është zotuar të vërë nën kontroll pandeminë të ridiskutojë çështjet e ndryshimeve klimaterike dhe të reduktojë polarizimin e theksuar social, sidomos pas protestave për dhunë dhe diskriminim racor nga policia.

Ndryshimet klimaterike

Traktati i Parisit për klimën, arritur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 2015, pritet të rivendoset në axhendën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shtuar kështu angazhimin e përgjithshëm të shteteve më të zhvilluara për të reduktuar emetimet e karbonit dhe mbajtur kështu nën kontroll ngrohjen globale me nën 2 gradë Celcius rritje të temperaturave mesatareve stinore.

Migracioni

Për vitin 2021 ka pritshmëri që pakti i ri për migracionin në Bashkimin Evropian t’i shtyjë vendet anëtare të jenë mbështetje për njëra-tjetrën duke shmangur situatat e krizave me emigrantët si ato në Greqi apo Hungari. Nga ana tjetër pritet që përmes këtij pakti të forcohet lufta kundër trafikut të njerëzve dhe emigracionit të paligjshëm.

Ekonomia botërore

Rimëkëmbja botërore vështirë të ndodhë gjatë vitit 2021. Pritshmëritë janë që tronditja ekonomike e shkaktuar prej pandemisë të zgjasë më shumë nga çfarë ishte parashikuar në fillim. Kjo mendohet të vijë si rrjedhojë e zgjatjes së vetë pandemisë dhe rivendosjes së masave kufizuese në dhjetëra shtete me ndikim në ekonominë botërore. Presidentja e Bankës Qendrore të Evropës Christian Lagarde ka shtuar se ndikim në rimëkëmbjen e ngadaltë mund të ketë edhe qasjet e gabuara apo dhe lokaliste të politikave ekonomike.

Sfidat politike

Vende të ndryshme në Evropë pritet të kenë gjatë vitit 2021 zgjedhje të rëndësishme elektorale. Në muajin mars Bullgaria dhe Kosova pritet t’i drejtohen votimeve në zgjedhje parlamentare.

Në Sofje gjatë gjysmës së vitit 2020 ka pasur protesta masive anti-qeveritare ndaj kryeministrit Boyko Borisov. Në Prishtinë viti 2020 pa dy qeveri të rrëzoheshin njëra pas tjetrës ndërsa vendi votoi një parlament të ri vetëm një vit më parë. Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese edhe i qeverisë së Avdullah Hotit ka bërë që vendi t’i drejtohet zgjedhjeve, ndërkohë që dorëheqja e Presidentit Hashim Thaçi, i cili përballet me akuza për krime lufte në Hagë, e bën edhe më të ndërlikuar situatën.

Në muajin prill zgjedhje parlamentare pritet të ketë edhe Shqipëria. Në muajin maj vëmendja shkon kryesisht në Skoci kur pritet të mbahet një tjetër referendum për pavarësinë nga Britania e Madhe pas atij të vitit 2014-të.

Në qershor përballja me votën popullore i takon Presidentit të Iranit Hassan Rouhani. Vendi ka vuajtur shumë pandeminë dhe sanksionet e ri-vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Më tej gjatë muajit shtator dhe tetor zgjedhje do të ketë gjithashtu në Rusi, Gjermani dhe Çeki.

Dhjetëvjetori i sulmeve terroriste në SHBA

Më 11 shtator 2021 do të përkujtohet dhjetëvjetori i sulmeve terroriste ndaj ish-Qendrës Botërore të Tregtisë, apo siç njihet në zhargonin e përgjithshëm si ish-kullat binjake të Nju Jorkut. Rrëzimi i dy kullave, që asokohe ishin më të lartat në botë, u mori jetën mbi 2,700 personave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat