Haliti: Flaka arriti rezultat të mirë në evropian

Sporti

Haliti: Flaka arriti rezultat të mirë në evropian

Nga: Kemajl Goca Më: 6 korrik 2016 Në ora: 17:39
Kombëtarja e Kosovës për juniorë

Notarët e përfaqësueses së Kosovës arritën rezultate solide në ditën e parë të Kampionatit Evropian për juniorë, që po zhvillohet në Hodmezovasarhely të Hungarisë. Në këtë kampionat po marrin pjesë rreth 750 garues nga 47 shtete të Evropës.  “Në përgjithësi paraqitja ishte e pritshme. Notaret kanë përmirësuar kohët që është shumë më rëndësi, sepse dihet infrastruktura ku këta sportist stërviten e cila është në nivele shumë të ulëta. Prandaj, nuk guxojmë të mos i vlerësojmë arritja e 566 pikëve të Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA)”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” Astrit Haliti, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës. “Nga Flaka Pruthi është rezultat i mirë dhe kjo gjeneratë do të jetë gjeneratë e suksesit në një të ardhme. Janë sportist të rinj, si Dijon Kadriu e Dren Ukimeraj të vitlindjes 2001. Rezultatet në 100 metra krol, Flaka Pruthi pati kohën 01.02.94 minuta, ndërsa 100 metra shpinë Dijoni 01.06.71 minuta, në 50 metra delfin Meriton Veliu 00.28.25 sekonda, në 50 m. delfin Dijon Kadriu 00.29.09 sekonda, 50 metra bretkosë Sara Imeri me kohën 00.36.11 sekonda, kurse në 50 metra bretkosë Melisa Zhdrella 00.36.53 sekonda. Megjithatë, një pishinë me dimensione olimpike është nevojë jetike për rezultate më të mira”, thotë Haliti. Flaka Pruthi është e kënaqur që ka arritur pikët e FINA-s, duke thënë: “Konkurrenca ishte shumë e madhe në këtë garë, pasi që merrnin pjesë të gjithë shtetet e Evropës. Jam shumë e kënaqur me rezultatin që arrita, pasi që kam përmirësuar kohën time për dy sekonda.  Jam e lumtur që arrita me rrit numrin e pikëve të FINA-s, nga 525 në 566 pikë”. Pruthi pret rezultate të mira edhe në disiplina tjera. “Garoj edhe në 50 metra delfin, 50 m. shpinë dhe 50 m. Krol, nga të tri garat pres rezultate më të mira”, shprehet Pruthi, e cila zuri vendin e 90-të.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat