Sot në mbarë botën po flitet për atë gafë të prezantuesit Steve Harvey gjatë shpalljes së fitueses së Miss Universe në Las Vegas, SHBA.
Ai shpalli si fituese të vendit të parë Ariadna Gutierrez, Miss Kolumbia.
Por pak minuta më vonë, Harvey bëri korrigjimin: Fituesja është Pia Alonzo Wurtzbach, Miss Filipinet.
Për të qenë akoma më korrekt, ai publikoi edhe letrën me emrat e fitueseve.
Shumë shpejt kjo ishte çështja më e diskutuar në rrjet.
Disa thonë se si mund të ndodhë një gabim i tillë.
Dashnorët e teorive konspirative thonë se ishte gjithçka e qëllimishme, në funksion të publicitetit për një spektakël në rënie.
Pas largimit të Donald Trump për herë të parë nga ky konkurs, mendohej se do ishte e nevojshme të gjendej një mënyrë për të tërhequr vëmendjen.
Ndërkohë të tjerë sugjerojnë se Harvey e bëri qëllimisht për t’u rikthyer edhe ai vetë në qendër të vëmendjes.
“Steve Harvey mori më shumë publicitet se konkurrentet,” thotë dikush.
Në Kolumbi, njerëzit janë zemëruar.
Ata thonë se ishte e qëllimshme, pasi vjet fituese e këtij konkursi u shpall Miss Kolumbia.
“Ata nuk duan që ne të fitojmë sërish,” tha një qytetar.
“Mafia është kudo. Ata na vodhën titullin”, thekson Efrain Salinas nga Bogota.