Çfarë tha Çitaku para lojtareve?

Basketboll

Çfarë tha Çitaku para lojtareve?

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 11:14
Çfarë tha Çitaku para lojtareve?

Kosova A për herë të parë do të garojë në një garë ndërkombëtare. Vashat e Kosovës do të debutojnë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

Basketbollistet e Kosovës i ka vizituar edhe diplomatja Vlora Çitaku.

Vlora Çitaku është ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, ka qenë Konsull e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ministre e Integrimit Evropian, Ministre e Punëve të Jashtme dhe një nga gratë më të suksesshme shqiptare.

“Prej vitit 2017, që jam pjesë e projekteve të Ambasadës amerikane dhe Departamentit të Shtetit, sa herë kam kontaktuar me komunitetin e shqiptarëve në SHBA, më kanë lavdëruar ambasadoren Çitaku. Edhe në Departamentit e Shtetit kur jam takuar me amerikanë, më kanë treguar për Vlorën, që ka bërë shumë për shqiptarët në SHBA.

Jam ndier shumë mirë dhe krenare që ambasadorja po na përfaqëson në mënyrën më të mirë. Kur kemi bërë kampanjën për Përfaqësuesen A, për gratë që kanë influencë, më ka rënë ndërmend Vlora dhe për këtë arsye kam dashur që ajo të ju flasë juve për rëndësinë e përfaqësimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Dushku para lojtareve dhe stafit të Kosovës A.

Ndërkohë, Vlora Çitaku, para vashave dardane ka mbajtur një fjalim shumë domethënës. “Jam shumë e nderuar dhe e privilegjuar që jam këtu me ju. Gjatë punës time si ambasadore, gëzimin më të madh e kam marrë nga ju. Nga vajzat dhe djemtë e ri të Kosovës. Nga pak përkrahje institucionale, ata kanë thyer shumë barriera. Ju do të shkoni në një vend (Qipro), ku unë nuk mund të shkoj si turiste e aq më pak si zyrtare e shtetit dhe të përfaqësoj shtetin tim. Kjo nuk është hera e parë që sportistët e Kosovës ngritin flamurin në një shtet që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës. Ju jeni ambasadorët më të mirë të vendit.

Ju po jetësoni një ëndërr për të gjitha vajzat e reja të Kosovës, të cilat kanë me u rrit me juve si inspirim. Unë e di se çfarë barre dhe përgjegjësie e madhe është të kesh flamurin mbi supe dhe të përfaqësosh shtetin. Atë ditë kur dilni në fushën e basketbollit, duhet të dini që nuk jeni vet, janë 2 milionë zemra që do të jenë me ju. Ju vetëm jeni fitimtare, pasi jeni aty. Çdo sukses tjetër është i mirëseardhur. Ju jeni kampione për mua dhe vajzat e reja. Ju po shënoni historinë, ju po bëni historinë. Do të jemi krenare me juve”, ka thënë Vlora Çitaku.

Në fund, kapitenia e Kosovës, Arbnore Përquku i ka dhuruar një fanellë të Kosovës dhe një top të nënshkruar nga lojtaret.

Kosova është në grup me Qipron dhe Luksemburgun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat