LIVE: Izraeli teston me sukses “Iron Beam”, armë laserike – Këto dy shtete marrin hapa kundër Izraelit!

Azia

LIVE: Izraeli teston me sukses “Iron Beam”, armë laserike – Këto dy shtete marrin hapa kundër Izraelit!

Nga: BOTA SOT Më: 12 shkurt 2024 Në ora: 06:39 Përditësuar në ora: 16:41 më 12.02.2024
Gaza

Holanda ndalon eksportin e pjesëve të aeroplanëve luftarak F-35 në Izrael

Gjykata holandeze ka vendosur se Holanda duhet të ndalojë eksportin e pjesëve të aeroplanëve luftarak F-35 në Izrael.

Ky vendim nga shteti holandez erdhi pas shqetësimeve se pajisjet luftarake të saj mund të përdoren për të shkelur ligjin ndërkombëtar si pjesë e fushatës izraelite në Gazë.

“Gjykata konstaton se ekziston një rrezik i qartë që aeroplanët luftarak F-35 mund të përdoren për kryerjen e shkeljeve serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Gjykata e Apelit të Hagës në një deklaratë.

Nga kjo deklaratë nënkuptojmë se eksporti i pjesëve të F-35 nga Holanda në Izrael do të ndalet, shkruan CNN.

Ndryshe, tre organizatat joqeveritare, Oxfam Novib, Pax for Pace, dhe The Rights Forum, kanë apeluar për një vendim të mëparshëm të gjykatës që lejonte eksportin e vazhdueshëm të pjesëve të F-35.

Por, duke i pasur parasysh rregulloret ndërkombëtare në të cilat Holanda bën pjesë, ka vendosur që duhet të parandalojë eksportin e pajisjeve ushtarake.

Gjykata tha se “Izraeli nuk po merr parasysh mjaftueshëm pasojat e sulmeve të tij për popullatën civile”, duke theksuar se sulmet izraelite në Gazë kanë rezultuar në “një numër disproporcional të viktimave civile”.

Britania e Madhe sanksionon kolonë izraelitë në Bregun Perëndimor

Britania e Madhe i ka sanksionuar katër shtetas izraelitë të hënën, duke thënë se ata janë kolonë "ekstremistë", të cilët i kanë sulmuar palestinezët në Bregun Perëndimor të uzurpuar nga Izraeli.

Katër shtetasit izraelitë përballen me masa të rrepta financiare dhe të udhëtimit, për të cilët Britania tha se kishin bërë "shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut”.

“Kolonët ekstremistë izraelitë po i kërcënojnë palestinezët, shpesh me armë, duke i detyruar t’i braktisin tokat që ligjërisht janë të tyre”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron.

“Kjo sjellje është e jashtëligjshme dhe e papranueshme. Izraeli po ashtu duhet të ndërmarrë veprime më të fuqishme dhe t’i japë fund dhunës së kolonëve. Shpesh shohim premtime të dhëna që nuk përmbushen”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Britanisë tha se shkalla e dhunës nga kolonët ka qenë e paparë gjatë vitit të fundit në Bregun Perëndimor.

Edhe Shtetet e Bashkuara i sanksionuan katër kolonë izraelitë në fillim të këtij muaji, duke i akuzuar për përfshirje në dhunë në Bregun Perëndimor.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej se Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – e sulmoi Izraelin më 7 tetor.

Autoritetet palestineze thonë se disa palestinezë janë vrarë, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut thonë se kolonët kanë djegur vetura dhe i kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduine, duke i detyruar të evakuohen.

Izraeli e uzurpoi Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme më 1967, bashkë me Rripin e Gazës dhe Jerusalemin lindor.

Palestinezët i kërkojnë këto territore për një shtet të pavarur që shpresojnë ta kenë./REL

Izraeli teston me sukses “Iron Beam”, arma laserike si në filmat e James Bond

Një laser që mund të shkatërrojë raketat e armikut dukej jo reale edhe në filmat e James Bond.

Por kur jeni në luftë dhe kërkoni zgjidhje të reja për të mbrojtur veten sa më mirë, ndoshta diçka e tillë është e mundur.

Ushtria izraelite testoi me sukses një sistem të ri mbrojtës, që shkatërron raketat duke përdorur një rreze drite.

Ky projekt ishte ideja e dr. Danny Gold, “Q-ja” izraelite, gjeniu shkencor që qwndron pas sistemit të mbrojtjes ajrore Iron Dome.

Ai sistem është një nga më të famshmit dhe më të mirët në botë, dhe së fundmi ka qenë vazhdimisht në veprim për të mbrojtur Izraelin nga bombardimet e Hamasit dhe Hezbollahut.

“Këtu ka tru, afër reve”, u tha gazetarëve shoqëruesi, duke i çuar nëpër shtresat e sigurisë në zyrën e Dr. Gold në katin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes izraelite.

Dr. Gold, gjeneral brigade që drejton Autoritetin e Kërkimit dhe Zhvillimit të Mbrojtjes të Izraelit brenda ministrisë së Mbrojtjes, tha se me laserin e ri ishte “luajtur” gjatë konfliktit të vazhdueshëm me Hamasin.

Irone Dome, shpjegon ai, është vetëm një pjesë e mburojës që rrethon Izraelin. Mbi të është ‘katapulti i Davidit’, i projektuar për të çaktivizuar aeroplanët e armikut dhe raketat me rreze të mesme dhe të gjatë, siç janë raketat e shkrepura deri në 200 milje larg.

Mbi të janë Arrow 2 dhe Arrow 3, që ofrojnë mbrojtje kundër raketave balistike të lëshuara nga toka nga vende si Irani.

Arrow 3 u vendos me sukses për herë të parë në nëntor, duke kapur një raketë të gjuajtur në Izrael nga Huthi, një grup rebel në Jemen.

Sistemi i ri i mbrojtjes është Iron Beam.

“Tani po shtojmë një dimension të ri. Është një laser”, tha Dr. Gold.

Me luftën që po afrohet nga veriu dhe 160,000 raketat e Hezbollahut të drejtuara drejt Tel Avivit, mbrojtja ajrore e Izraelit së shpejti mund të vihet në testin më të madh ndonjëherë.

Në ekranin në zyrë, dr. Gold demonstron efektivitetin e Iron Beam duke luajtur një video të provës. Ai tregon dronin duke u ngritur dhe laserin Iron Beam që tregon objektivin. Një rreze drite lëshohet në dronin, duke prerë krahun e tij dhe duke e rrëzuar në tokë. 

Të paktën 50 palestinezë vriten në Gazë gjatë operacionit izraelit për shpëtimin e dy pengjeve

Ushtria izraelite tha se ka shpëtuar dy pengje gjatë një bastisjeje të zhvilluar në orët e hershme të 12 shkurtit, duke shënuar një sukses të vogël, por me rëndësi simbolike, në përpjekjen e saj për të liruar mbi 100 pengje që besohet se po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Të paktën 50 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore që ishin pjesë e kësaj bastisjeje, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Bastisja u krye në Rafah, qytet në cepin jugor të Rripit të Gazës ku 1.4 milion palestinezë janë zhvendosur për t’iu ikur luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në pjesën tjetër të territorit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një banese në Rafah, dhe po ruheshin nga pjesëtarë të armatosur të Hamasit, që gjendeshin si në banesë, por edhe në ndërtesat përreth.

Hagari tha se njësitë speciale hynë në ndërtesë, mes shkëmbimit të zjarrit, në orën 01:49 të së hënës, dhe një minutë më vonë, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në zonat përreth. Ai tha se anëtarët e ekipit të shpëtimit mbrojtën pengjet me trupat e tyre përderisa u zhvillua një betejë e ashpër me shumë luftëtarë të Hamasit.

Sipas Dr.Marwan al-Hams, drejtor i spitalit Abu Youssef al-Najjar, në mesin e të vrarëve nga sulmet izraelite në Rafah kishte gra dhe fëmijë.

Ndërkaq, pengjet e shpëtuara u dërguan në një “zonë të sigurt” aty afër dhe iu nënshkruan një kontrolli të shpejtë mjekësor para se të dërgoheshin në një spital në Izraelin qendror.

Izraeli e ka përshkruar Rafahun si bastionin e fundit të mbetur të Hamasit në Gazë dhe ka sinjalizuar se një ofensivë tokësore shumë shpejt do të shënjestrojë këtë qytet të mbushur me banorë. Të dielën, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka paralajmëruar kryeministrin Benjamin Netanyahu, se Izraeli nuk duhet të kryejë një operacion ushtarak kundër Hamasit në Rafah pa një plan “të besueshëm dhe të zbatueshëm” për të mbrojtur civilët.

Ushtria izraelite identifikoi pengjet e shpëtuara si Fernando Simon Marman, 60 vjeç dhe Louis Har, 70, që tha se ishin rrëmbyer nga luftëtarët e Hamasit nga fshati Nir Jizhak më 7 tetor, kur grupi radikal kreu sulme në jug të Izraelit, duke nxitur luftën e fundit.

Sipas autoriteteve, të dy pengjet e shpëtuar u dërguan në spitalin Sheba dhe u tha se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata janë vetëm tri pengje që Izraeli deri më tani ka arritur të lirojë me sukses, pasi paraprakisht në nëntor ishte shpëtuar një ushtare.

Hagari tha se operacioni i shpëtimit ishte bazuar në informacione të sakta të inteligjencës dhe ishte planifikuar për një kohë.

Hamasi vrau 1.200 persona dhe rrëmbeu 250 të tjerë gjatë sulmeve të 7 tetorit. Ndërkaq, nga ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit janë vrarë mbi 28.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësore, dhe janë zhvendosur mbi 80 për qind e popullsisë.

Mbi 100 pengje u liruan gjatë armëpushimit njëjavor në nëntor. Izraelit thotë se afër 100 pengje vazhdojnë të jenë nën robërimin e Hamasit, ndërkaq Hamasi po mban mbetjet mortore të afër 30 të tjerëve të cilët ose u vranë më 7 tetor ose që kanë vdekur në robërim. Tri pengje u vranë gabimisht nga ushtria izraelite, pasi ata kishin arritur të iknin nga robëruesit e tyre në dhjetor./REL

Netanyahu: Izraeli duhet të shtyjë ofensivën në Gaza për të liruar më shumë pengje

Kryeministri izraelit. Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli nuk do të humbasë asnjë mundësi për të liruar më shumë pengje nga Gaza.

Ai e përshkroi presionin e qëndrueshëm ushtarak deri në “fitoren totale” ndaj Hamasit, si të domosdoshëm për rimëkëmbjen e tyre të plotë, shkruan Al Jazeera.

Deklarata e tij u lëshua pasi forcat speciale izraelite liruan dy pengje në një operacion shpëtimi në Rafah në kufirin e Gazës me Egjiptin.

Qyteti është i mbushur me refugjatë të zhvendosur të luftës, ku perspektiva e operacioneve më të gjera ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar.

Mbi 28 mijë palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori

Sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë 28,340 palestinezë dhe kanë plagosur 67,984 që nga 7 tetori, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës.

Në 24 orët e fundit, sulmet izraelite vranë 164 persona dhe plagosën 200 në Gaza, thuhet në një deklaratë të ministrisë në Telegram, shkruan Al Jazeera.

Hamasi ka pretenduar se sulmi i Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, është një vazhdim i “luftës gjenocidale” dhe përpjekjeve për zhvendosje të detyruar që ka bërë kundër popullit palestinez.

Rafah është hapësira e fundit relativisht e sigurt në një enklavë që është shkatërruar nga ofensiva ushtarake e Izraelit.

“Shmangni një fatkeqësi në Gaza”, Franca përsërit thirrjen për t’i dhënë fund armiqësive

Franca, duke shprehur shqetësimin pas sulmeve izraelite në Rafah (në jug të Rripit të Gazës), i kërkoi të dielën Izraelit t’i japë fund armiqësive për të shmangur një katastrofë të mundshme.

Një sulm në shkallë të gjerë izraelite në Rafah do të krijonte një situatë katastrofike humanitare të një dimensioni të ri dhe të pajustifikuar. Për të shmangur një katastrofë, ne përsërisim thirrjen tonë për ndërprerjen e armiqësive”, tha zëvendës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Francës, Christophe Lemoine.

Parisi kujton se “Rafah është sot një zonë ku janë strehuar më shumë se 1.3 milionë njerëz”. “Është gjithashtu një pikë jetike tranziti për transferimin e ndihmave humanitare për popullsinë e Gazës”, nënvizoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli sot për ofensivën ushtarake kundër Rafahut.

“Në Gaza, si kudo tjetër, Franca kundërshton çdo zhvendosje të detyruar të popullsisë, e cila është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar humanitar. E ardhmja e Rripit të Gazës dhe banorëve të saj mund të shkruhet vetëm brenda një shteti palestinez ku ata do të jetojnë në paqe dhe siguri përkrah Izraelit”, nënvizoi zyrtari francez.

Egjipti: Planet e Izraelit për të sulmuar Rafahun shkelin ligjin ndërkombëtar

Egjipti ka paralajmëruar për pasojat që mund të vijnë nëse Izraeli nis një operacion ushtarak në Rafah. Ministria e Jashtme egjiptiane tha se një sulm në qytetin jugor pranë kufirit të tij do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar me “pasoja të rënda”.

“Egjipti bëri thirrje për domosdoshmërinë e bashkimit të të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare dhe rajonale për të parandaluar shënjestrimin e qytetit palestinez Rafah,” tha ministria.

Ministria shtoi se Egjipti i konsideron planet pjesë të një “politike të zhvendosjes së popullit palestinez dhe likuidimit të kauzës së tyre, në shkelje të qartë të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare, ligjit ndërkombëtar humanitar dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”.

David Cameron, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, shprehu shqetësime të thella për idenë, ndërsa Gjermania tha se ishte një “katastrofë në zhvillim”. Edhe Katari ka paralajmëruar se mund të jetë një fatkeqësi ndërsa Arabia Saudite tha se operacioni i Izraelit do të kishte “pasoja shumë serioze”.

Bllokimi i dërgesave ushqimore, OKB: Ndihmat për Gazën kanë ‘ngecur’ në portin izraelit

Agjencia kryesore e Kombeve të Bashkuara që ofron ndihma për palestinezët në Gazë po përballet me pengesa administrative në rritje nga Izraeli, njoftuan zyrtarët. Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën, UNRWA, tha se në një port të Izraelit ishte bllokuar një dërgesë ushqimore që mund të plotësojë nevojat 30 ditore për palestinezët.

Izraeli pretendon se 12 punonjës të kësaj agjencie ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, ndërsa një numër vendesh donatore pezulluan fondet. UNRWA i ka shkarkuar punonjësit e akuzuar dhe ka nisur një hetim.

​“Aktualisht mjedisi ku jemi është mjaft armiqësor ndaj agjencisë. Disa vendime kanë filluar të ndikojnë tek aftësitë e agjencisë që të funksionojë siç duhet”, tha të premten Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së ndihmave për palestinezët, UNRWA.

Ai tha se një kontraktor që ofronte shërbime për agjencinë në portin Ashdod e ka njoftuar atë se nuk mund të vazhdonte të punonte me organizatën e ndihmave pas udhëzimeve nga autoritetet izraelite.

Si rezultat, tha zoti Lazzarini, në port është bllokuar një dërgesë nga Turqia me 1,049 kontejnerë me furnizime ushqimore që mund të mbulojë nevojat e 1.1 milion njerëzve për një muaj.

Ai tha se UNRWA e kishte informuar Turqinë për bllokimin. Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pasur asnjë koment nga autoritetet turke. Incidenti ndodh ndërsa Gaza përballet me një emergjencë humanitare në rritje, me qindra mijëra palestinezë që përballen me urinë akute.

Ndërhyrja në rripin e Gazës, Biden telefonon kryeministrit izraelit: Mbroni të zhvendosurit në Rafah

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden i komunikoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të dielën se Izraeli nuk duhet të nisë zbatimin e një operacioni ushtarak në Rafah pa një plan për të garantuar sigurinë e rreth 1 milion njerëzve të strehuar atje, tha Shtëpia e Bardhë.

Telefonata e Preidentit Biden me kryeministrin Netanyahu u zhvillua disa ditë pasi udhëheqësi amerikan u tha gazetarëve se ndërhyrja e Izraelit në Rripin e Gazës ishte “e tepruar”.

Shtëpia e Bardhë tha se biseda telefonike u përqëndrua gjithashtu në përpjekjet e vazhdueshme për të bërë të mundur lirimin e pengjeve të marra nga grupi Hamas gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.

Agjencitë e ndihmave thonë se një ndërhyrje në Rafah do të ishte katastrofike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat